Home KRYESORE Jeto dhe mundëso jetën!

Jeto dhe mundëso jetën!

Nga Lis Bukuroca
Arthur Schopenhauer, “Religjionet janë sikur xixëllonjat: për të shndritur, kanë nevojë për errësirë.”

Religjioni është besim, nuk është dije. Besimi nuk kërkon dije shtesë, por bindje. Dije prodhon shkenca. Dija kërkon lexim të vazhdueshëm, të qindra librave.

Dija nuk fitohet vetëm me një libër. Me një libër ikim prapa për disa shekuj. Religjion nuk mëson të prodhohen barëra, makina, avion, kompjuter, por çdo njëri prej tyre, ka ndaluar librat tjerë, prandaj edhe nuk ka lejuar shkollat derisa kanë pasur pushtet.
Demokracia e toleron jashtë shtetit, derisa nuk ideologjizohet, kur vëren se mund të rrezikojë vlerat morale njerëzore, humanizmin, atëherë demokracia, mund të bëhet më shumë barabare se barbarët.
Demokracia e sotshme, nuk është sintezë e religjioneve, por e filozofëve, dijetarëve në përgjithësi. Edhe politikanët e kanë kundërshtuar në kohën e tyre.
Religjioni përpiqet ta bëjë të lumtur njeriun pas vdekjes, demokracia para saj. Kjo e fundit edhe i lejon të drejtën për ta synuar vetëm pas vdekjes, e para jo. Demokracia i beson lirisë dhe individualitetit, deri sa nuk dëmtohet njeriu, religjioni përpiqet të anulojë lirinë dhe individualitetin, nëse bie në kundërshtim me kriteret fetare.
Religjioni krijon grupe, distancon njerëzit dhe kulturat, humanizmi dhe demokracia, i afron. Demokracia ndalon racizmin, urrejtjen në baza fetare dhe nacionale. Religjioni kultivon ndarjen.
Humanizmi nuk pranon ekzistimin e skllevërve, të gjitha religjionet e pranojnë si tregti normale. Si blen njeriu speca, blen skllavin. Se mbrojnë klerikët religjionin, është normale. Ata fitojnë pushtet dhe rrogë nga kjo dhe është logjike, çdo njeri të mbrojë profesionin e vet, që e ushtron me pasion.
Demokracia lejon konvertimin, religjionet jo. Ashtu si ka vdekur politeizmi, do të vdesë një ditë edhe monoteizmi. Ky është e evolucioni. Çdo gjë një ditë shpërbëhet në grimca më të vogla dhe lind e reja. Do të mbetet një njollë e madhe në historinë e njerëzimit, sepse në emër të tij, janë vrarë miliona veta.
Nëse ka Zot, ai din se në këtë tokë, ka shumë religjione dhe i pëlqen kjo. Po të ishte e kundërta, do ta ndryshonte për disa sekonda. Të gjitha religjionet bazohen në ëndrra. Shkenca thotë, nëse dëshironi të humbni kohë, analizoni.
Humanizmi mund të sigurojë paqen në botë dhe mundësojë të gjithë popujve, lumturi më të madhe. Këtë mundësi i garanton demokracia. Edhe besimtarëve, sepse demokracia u dhuron atyre lirinë e nevojshme. Shumica në botë nuk janë monoteistë.
Humanizmin e impresionojnë diversitetet, religjionin e impresionon njëllojshmëria, uniteti i brendshëm, segregacioni, krjimi i enklavave. Kjo është në kundërshtim me natyrën e njeriut. Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë besime të ndryshme. Kur të pranojmë këtë realitet të madh dhe të pandryshueshëm, kemi dhënë një kontribut të madh për ruajtjen e paqes në botë.

Vivre et laisser vivre

Share: