Mijera njerëz u mblodhën në Bruksel të dielën për të marrë pjesë në marshimin e organizuar në përkujtim të sulmeve vdekjeprurëse të muajit të kaluar që goditën aeroportin Zavantem dhe metronë e Brukselit.
I quajtur marshimi kundër terrorit dhe urrejtjes, parakalimi nisi nga stacioni verior i Brukselit dhe përfundoi në sheshin Fontainas, ku familjarë të viktimave dhe të mbijetuar të sulmeve mbajtën fjalime.
32 persona humbën jetën në shpërthimet e Brukselit. Belgjika ka akuzuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me sulmet që tronditën të gjithë Evropën, vijojne gjithashtu operacionet dhe bastisjet e shtëpive të dyshuara se janë përdorur nga ekstremistët apo personat e lidhur me grupin e dyshuar se fshihet pas sulmeve terroriste.