Home KRYESORE Mos ndoshta lipset edukim shkencor?

Mos ndoshta lipset edukim shkencor?

Nga Ani Bajrami

Debatet mbi mësimin e fesë në shkolla janë shtuar dhe tashmë secili nga ne është rreshtuar në kahe të ndryshme konceptuale për të mësuarit ose jo mbi fetë. Argumenti kryesor i kryeministrit mbi dobinë e mësimit të fesë në shkolla ishte të mësuarit e saj, do të shërbejë si armë e fortë për të mos u bërë pre e atyre që kryejnë krime në emër të Zotit.

Natyrisht, kjo nuk e shmang problemin e ekstremizmit, pasi feja, si sistem besimesh, udhëhiqet nga një parim i deklaruar nën zë: të shtojmë rradhët e besimtarëve të fesë sonë. Me krime apo jo, kjo varet nga ideologjia nga e cila besimtarët udhëhiqen dhe qëllimet e ideologëve fetarë.

Në rastin kur ISIS është ndjellës për një grup njerëzish të izoluar kulturalisht, si shprehet dhe antropologu i njohur S. Attran, zgjidhja nuk mund të jetë vetëm edukimi mbi fetë por përfshirja në jetën sociale të një vendi dhe sigurimi i cilësisë së arsimimit për qytetarët e tij.

Në këtë kuadër, mësimi i fesë në moshë të vogël e aq më shumë me detyrim në shkolla nuk do mund të evitojë qëndrimet ekstremiste për aq kohë sa vetë ideologjia fetare në vetëvete, predikon ndasi dhe izolacion karshi besimtarëve të feve të tjera.

Nga ana tjetër, në shkrimin e zotit A. Vehbiu të botuar në blogun e tij në datë 10 prill, theksohet fakti që “mësimi i fesë në shkolla, nuk do të konsistojë në mësimin vetëm të fesë tënde por dhe atë të tjetrit.” Njohuritë për fenë- si shprehet ai- që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian pasi përballja e feve është pjesë e ballafaqimit të sotëm ndërkulturor mes njerëzve që i përkasin kulturave të ndryshme”. Por qytetari europian, në tërësinë e formimit të tij kulturor, nuk bazohet vetëm në të mësuarit e fesë apo ideve që ajo shpërfaq por ruan në kujtesë edhe konfliktin e pandërprerë të fesë si institucion me shkencën si veprimtari njohëse, veprimtari e bazuar në metoda dhe teori. Turra e druve dhe dënimi i figurave të tilla si Xhordano Bruno ose Galileo Galilei janë provë e këtij konflikti.

Fatmirësisht në Evropë, konflikti, këtë rradhë pa djegie në turrën e druve dhe si pasojë e periudhës së Iluminizmit, vazhdoi dhe në shekujt në vijim. Konkretisht, kur natyralisti Ç. Darvin publikoi në vitin 1859 veprën “Prejardhja e llojeve”. Në këtë vepër, duke u bazuar në kërkimet e tij në terren e më gjerë, ai pohoi se të gjithë organizmat e gjallë kanë një paraardhës të përbashkët dhe përshtatjet e tyre me mjedisin i detyrohen veprimit të përzgjedhjes natyrore. Në mënyrë indirekte, Darvini pohoi se bota e gjallë nuk është produkt hyjnor apo e krijuar nga Zoti. Sot pranohet se procesi e evolucionit ose ndryshimit të llojeve në kohë ndodh. Ky proces është thjeshtësisht i vëzhgueshëm në laborator dhe provohet nga fosilet e të dhënat gjenetike. Por sulmet ndaj Darvinit kulmuan ndër besimtarë e individë që nuk e njihnin si duhet themelin ideor të librit të tij.  Në ditët e sotme, histeria vazhdon.

Ballafaqimi kulturor është sot po ashtu një realitet i vëzhgueshëm. Ashtu si gjuha e huaj na ndihmon dhe na çel një dritare të botës së tjetrit, edhe njohja e fesë ku ai bën pjesë, mund të na ndihmojë ta kuptojmë. Por çfarë mund të kuptojmë kur një besimtar pohon i bindur dhe me qëllimin të bindë tjetrin se bota e gjallë nuk ndryshon dhe se metoda shkencore nuk çel dritare njohjeje? Natyrisht, jo të vërtetën e pakundërshtueshme që një besimtar mendon dhe propandon por njohjen që bazohet në ndryshim, në përputhje me provat e gjetura.

Në ditët e sotme, në SHBA, pas dekadash sulmi të teorisë së evolucionit, sulme të shprehura dhe në kurrikulat e shkollave, 73 për qind e të rinjve nën moshën 30 vjeç, kanë shprehur një farë besimi në procesin e evolucionit, pra se ky proces natyror ndodh. Në Shqipëri, pas një anketimi të kryer me përkushtim nga studentë të Masterit në AML Biologji te 14 mijë individë të moshave të ndryshme, rezultoi se rreth 60% e tyre mendojnë se organizmat e gjallë janë rezultat i procesit të evolucionit, e paralelisht, rreth 40% e tyre i janë  përgjigjur “Nuk e di” pohimit “Zbulimet e reja shkencore bien ndesh me evolucionin”. E thënë më shkoqur, të anketuarit pranojnë se evolucioni ndodh por nuk njohin faktin se zbulimet e reja shkencore në të vërtetë, e provojnë atë. A vjen kjo mosnjohje e thellë e të rejave shkencore nga të mësuarit e pjesshëm në shkolla, kurioziteti i mangët larg saj apo mungesa e informacionit shkencor në media? Kur i riu i edukuar në shkollat tona të haset, bie fjala, me një të ri italian, dijet e të cilit janë sipërore për evolucionin, si do ta përjetojë injorancën e treguar tjetrit? Veç evolucionit ku ka mangësi konceptuale, çfarë do të kuptojë i riu jonë i ngratë p.sh mbi ngrohjen globale dhe nevojën e zhvillimit të qëndrueshëm? Mos ndoshta mjafton të citojë pjesëza nga fjalimi që mbajti Papa në SH.B.A por përsëri nuk do e ketë idenë se çfarë është ngrohja globale?

Njohja e sistemeve të ndryshme të besimit që kanë shoqëruar njerëzimin, edhe besime si në jetën e përtejme që janë hipotetizuar nga artefaktet e gjetura në varret e Neandertalëve, vlen në kuadrin  e trajtimit të tyre si sisteme, pjesë të kulturave të caktuara. Le të përfshihen këto njohuri në histori, paralel me lindjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor në shekuj. Një nga sfidat e sotme tonat në arsim nuk mund të jetë edukimi fetar por ai shkencor. Dhe edukimi shkencor nuk do të lehtësojë vetëm njohjen dhe komunikimin ndërkulturor por do të na mësojë të tolerojmë dhe të kuptojmë qoftë dhe përse njerëzit besojnë në ngjarje që nuk mbështeten në prova. Shkenca nuk ka natyrë deterministe, feja po. Ajo mbështetet në njohje të vazhdueshme dhe të testueshme, feja jo. E kështu, me shumë gjasa, me anë të edukimit shkencor, ne do të tolerojmë besimin e tjetrit por më së shumti, do të kuptojmë principet ku bazohet shkenca si veprimtari njohëse.

Share: