Home KRYESORE Parlamenti, o Zot çfarë neverie…

Parlamenti, o Zot çfarë neverie…

Nga Mentor Kikia

Në parlament edhe sot pati zhurmë, shumë zhurmë, vetëm zhurmë. Sërish deputetët e opozitës u çuan në këmbë dhe pushtuan foltoren dhe ca projektligje u votuan me vrap, pa asnjë diskutim. Sërish u kërkua që Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim mandatet e deputetëve Leskaj e Suli. Mund të ketë shumë të drejtë. Jo në Kushtetuese, por në burgun 313 të shkojnë deputetët që e shfrytëzojnë mandatin për të marrë tendera për kompanitë e tyre, të fëmijëve, të kunetërve, baxhanakëve…

Por derisa të zgjidhet kjo punë, nuk do të bëhet asnjë punë tjetër? Mbi të gjitha do te mbetet e bllokuar reforma në drejtësi? Drejtësia, ajo për të cilën kemi nevojë kaq shumë ne, dhe që duket se gjithmonë ka një arsye të mos bëhet.

Nëse zgjidhet edhe kjo puna e mandateve, atëherë duket se opozita do të vërë një tjetër kusht. Të pezullohen këndi i lojrave tek liqeni, psh. Nëse edhe kjo bëhet, atëherë mund të kërkohet që ti ndryshojë drejtimi lumit Lanë… Bëjeni reformën sa pa u shpallur non grata në SHBA edhe vetë Ministri i Drejtësisë apo presidenti i republikës, e të hyjmë në histori pastaj.

Përtej kësaj, edhe sot të njëjtat fjalime të pështirë, me kriminelë, hajdutë, akuza në të dy anët për të gjithë paudhësitë që bëhen në këtë vend. Ta paktën janë koshientë që i bëjnë vetë. Diskutim parlamentar, deri edhe nëse e kishte me këllëf apo pa këllëf pistoletën Gent Strazimiri. Sa neveri!

Nesë e keni ndarë mendjen të mos bëni ndonjë punë, mos na e shpifni te pakten. Votat do ti merrni, kur të vijë dita, pasi keni para për ti blerë, por në emër të popullit mos flisni më.
As e përfaqësoni, as ju beson.

Share: