Ndalimi i Emiljano Shullazit me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, mesnatës e së shtunës, ishte një surprizë jo vetëm për median, por edhe për zyrtarët e policisë së Shtetit.
Në kohën kur zyrtarë të Policisë së Tiranës shpërndanin “jozyrtarisht” në media se Shullazi do të dilte shumë shpejt nga ambjentet policore, pasi ndaj tij nuk kishin prova, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dorëzuan urdhërin e ndalimit ndaj tij dhe dy miqve të tij, Gilmando Dani dhe Besmir Shullazi.
Pak orë para ndalimit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë të veçantë për median se Shullazi dhe njerëz të tij kishin kërcënuar kandidatit për rektor në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni që të tërhiqej nga gara akademike.
Sipas ish-kryeministrit, kandidati Koni është kërcënuar me jetën e familjarëve që të tërhiqej nga gara, të cilën automatikisht do ta fitonte Klodeta Dibra, kandidatja tjetër, anëtarë e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama.
Shullazi, një emër i njohur i botës së “nëntokës” së Tiranës dhe Durrësit, është etiketuar shpesh nga opozita e djathtë si një njeri me precedent penalë, i cili kryen punë të pista për llogari dhe nën mbështetjen e kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Por, denoncimi publik i Berishës se Shullazi ishte përfshirë në kërcënime edhe në fushën universitare, solli një element të panjohur më parë në lidhjet krim-biznes-politikë.
Kjo situatë detyroi Policinë e Tiranës që të niste verifikimet pas publikimit të rastit në deklaratën publike të Berishës.
Mbrëmjen e së shtunës, policia, për të treguar se nuk ka komplekse ndaj askujt që dyshohet për vepra penale, shoqëroi Emiljano Shullazin. Zyrtarisht, policia deklaroi se e gjeti atë në dalje të banesës së tij, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Gjatë shoqërimit, po zyrtarisht, thuhet se ai nuk kishte me vete asnjë send të paligjshëm, madje as telefon cellular./Express.com