Nga Astrit Patozi
Sikur e kam para syve ditën e afërt kur Emiliano Shullazi do të lirohet për mungesë provash dhe policia me prokurorinë do të nxitojnë të fajësojnë njëra-tjerën për dështimin e hetimeve.
Natyrisht, unë as jam profet dhe as dua të bëj Kasandrën, por tek e tundit asgjë e keqe s’vjen prej fjalës sime. Qofsha i gabuar, por nuk e besoj dot të kundërtën.
Sepse gjithcka është rrjedhojë logjike e rrënimit dramatik të sistemit tonë, ku forca e pushtetit dhe pushteti i “të fortëve” i kanë zhdukur kufinjtë prej vitesh. Madje shpesh herë, duket sikur janë e njëjta gjë, por e shprehur në trajta të ndryshme.
Dhe meqë kjo është një ngjarje e sigurt, unë vetëm një lutje kam që të mos na e shpifin më tej këtë histori. Që pasi kjo të ndodhë të mos dalë dikush pastaj e të na thotë se kjo është nje arsye më shumë pse është e domosdoshme të votohet reforma në drejtësi.
Sepse kjo do të ishte e tepërt. Do të ishte njësoj me atë spotin e LSI-së, që u kërkonte shqiptarëve në fushatën e zgjedhjeve të fundit të mos e shisnin votën.