Home KRYESORE SKEMA QË MBRON EMRAT E POLITIKANËVE NË PARAJSAT FISKALE

SKEMA QË MBRON EMRAT E POLITIKANËVE NË PARAJSAT FISKALE

Shpërthimi i skandalit “Panama Paper” për shumë lexues krijoi iluzionin sikur sasia gjigande e dokumenteve rrezikonte daljen e emrave të politikanëve të rëndësishëm në kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale.

Deri më sot, dorëheqjen e ka dhënë vetëm kryeministri i Islandës, por interesant është fakti se asnjë politikan i lartë nuk e ka pasur emrin e tij personal në letrat e aksionarëve të kompanive.

Mund të kenë rezultuar familjarë apo farefis por konstatimi i emrit të politikanëve të lartë në këto kompani është thuajse i pamundur për t’u zbuluar dhe kjo ndodh për shkak të një sistemi të garantuar mbrojtës të quajtur “bearer shares”, e shqipëruar:“aksionet e bartësit”.

Po e shpjegojmë skemën thjeshtë:

Supozojmë se politikani është i mbrojtur në Panama nga labirinti i një rrjeti kompanish të quajtura A-B-C-D-E-F-G, ku secila kompani ndërvepron me tjetrën nga shtete të ndryshme dhe ku A është aksionere në C, B është aksionere në D dhe G është aksionere në A e kështu me radhë duke krijuar një labirint.

Të gjitha këto kompani i kryejnë veprimet e tyre në letra nëpërmjet drejtorëve të emëruar, që nuk janë gjë tjetër veçse punonjës të studiove ligjore që punojnë si koperturë.

Por në çdo rast duhet të ekzistojë një kompani-bërthamë, që do jetë leva e sigurisë dhe që do ketë pronësinë mbi gjithë këtë labirint, pra duhet të ekzistojë dhe kompania Z, që ka rolin e garantimit të pronësisë së individit(politikanit) që i kontrollon.

Letrat e kompanisë kontrolluese Z janë dhe problemi për t’u zgjidhur, sepse aty duhet me doemos të shkruhet emri i poseduesit real.

Për ta shmangur dhe nga ky rrezik i fundit poseduesin(politikanin), u krijua një sistem jo dhe aq i njohur për publikun e gjerë i cili është “bearer-shares”, pra “aksionet e bartësit”.

Ky sistem krijon një mbrojtje të thellë dhe thuajse të pamundur për t’u zbuluar.

Në kompaninë  bërthamë dhe kontrolluese Z, mund të jetë një ose disa posedues. Në çdo rast aksionet mund të shpallen si aksione “anonime”.

original

Certifikatë/Kupon ilustrues i pronësisë mbi aksionet anonime të kompanisë. (Bearer Shares)

Kujdestari juridik i kompanisë (zyra si Mossack-Fonsecka),  lëshon një certifikatë ose një kupon sigurie. Personi që mban këtë kupon është automatikisht poseduesi i aksioneve anonime të kësaj kompanie.

Pra emri nuk regjistrohet asnjëherë në asnjë regjistër publik, por aksionet i disponon ai që ka  kuponin/certifikatën.

Madje në rast se humbet kuponi, humbasin automatikisht dhe aksionet mbi kompaninë, prandaj dhe për të tilla raste janë krijuar disa elemente shtesë sigurie që të shmangin humbjen totale të kontrollit, janë kryesisht pyetje sigurie dhe kode të ngjashme me sistemin PIN dhe PUK për kartat e telefonit.

Kjo skemë e bën të padepërtueshme thyerjen e sekretit të kompanisë. Sepse aksionet nuk kanë pronar me emër por përfaqësohen nga një kupon që nuk ke si ta dish se kush e posedon. Është skemë e garantuar dhe është legale.

Madje dhe bankat(sidomos ato zvicerane) e njohin të drejtën e poseduesit anonim të kompanisë dhe ja regjistrojnë llogaritë bankare në emër të kopanisë.

Por kjo është një skemë që solli shumë probleme dhe për shërbimet sekrete  më të specializuara, sepse depërtimi ishte i pamundur, gjithçka përfundonte në eter dhe pronari i vërtetë nuk kishte asnjë gjurmë në letra.

Ndaj dhe në vitin 2015 pas presioneve për transparencë, Panamaja e modifikoi ligjin dhe skema e “aksioneve të bartësit” u ndryshua.

Të gjithë ata pronarë anonimë që mbanin këto kuponë dhe certifikata speciale të “Bearer Shares” duhej të mos i mbanin më vetë por duhej t’i dorëzonin në një studio ligjore të autorizuar dhe duhej t’i regjistronin.

Screenshot 2016-04-09 at 13.53.25

Formulari-Tip i studios ligjore “Mossack Fonseca” për kujdestarinë mbi aksionet anonime

Ky është formulari i regjistrimit që përdor studioja ligjore “Mossack Fonseca”, aty shkruhej emri i bartësit dhe të dhënat përshkruese, shkruhej emri i personit të garancisë, në rast të mungesës absolute të bartësit(pronarit).

Dukej sikur me këtë skemë emrat e pronarëve ishin të ruajtur diku, por “Mossack Fonseca” e gjeti sërish marifetin për të krijuar mbrojtje absolute.

Sepse politikanët shënonin në formularë emrat e drejtorëve të emëruar në ishuj ose zona të tjera të parajsave fiskale, ndërsa në këto zona parimi i kuponit të aksioneve nuk kishte ndryshuar.

Pra loja vijon njësoj, pronarët e kompanive mbajnë kuponin/certifikatën në xhep dhe emri nuk u rezulton askund. Janë 100% të garantuar.

Kjo është dhe arsyeja pse dalja e arkivës së “Mossack Fonseca” nxori kryesisht emrat e biznesmenëve që i kanë të deklaruara ato pasuri por që regjistrohen në Panama për të shmangur taksimin, ndërsa të gjithë politikanët që zgjedhin Panamanë për të mbrojtur anonimatin është e pamundur të ekspozohen, sepse ata përdorin “bearer shares”, përdorin sistemin e padepërtueshëm të pronësisë mbi kompanitë. / HashtagAL

Share: