Nga Azem Parllaku
Asambleja Parlamentare e NATO-s, që mblidhet në Tiranë zhvillohet në prag të Samitit të Aleancës, që do të mbahet në Varshavë në datat 8 dhe 9 korrik të vitit 2016. Më herët zyrtarë të lartë të Aleancës, kanë bërë me dije se; Axhenda kryesore e samitit do të fokusohet tek roli i NATO-s në sigurinë europiane dhe botërore dhe theksi do të vihet tek rëndësia e përshtatjes së strategjive të NATO-s, për sfidat dhe pasiguritë e botës moderne. Këtu përfshihen shtimi i pranisë së NATO-s në krahun lindor, zhvillimi infrastrukturës përkatëse si dhe përmirësimi i efektivitetit të lidershipit të NATO-s.
Me organizimin e Asamblesë në Tiranë, Shqipëria shpreson të shfaqë angazhimin e saj ndaj organizatës si dhe kredibilitetin si një anëtare e NATO-s.
Që prej vitit 1992 bashkëpunimi me NATO-n dhe ai rajonal në fushën e mbrojtjes për të garantuar siguri, paqe, dhe stabilitet në Ballkanin Perëndinor, është vlerësuar nga të gjitha qeveritë e Tiranës si një dimension shumë i rëndësishëm i politikës së saj të jashtme dhe i të qenit vend anëtar i NATO-s. Në arkitekturën e pasur të ngritur në rreth 24 vjet, me nisma të konsoliduara ku merr jetë ky bashkëpunim, Shqipëria është vlerësuar për mundësi të reja partneriteti dhe rritje të rolit të saj.
Vecanërisht, Forcat e Armatosura të Republikës kanë dhënë një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO, por edhe BE e OKB. Janë pikërisht këto kontribute që ndikuan që Shqipëria të shihet si një vend që prodhon siguri.
Forcat e Armatosura, krahas pjesëmarrjes në misione luftarake kanë realizuar edhe një numër aktivitetesh të tjera të përbashkëta me NATO-n, të natyrës stërvitje, konferenca, etj.
Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.
Ende dhe sot, publiku shqiptar mbetet në treguesit më të lartë të mbështetjes së anëtarësimit të vendit në NATO dhe pjesëmarrjes në misione të drejtura nga Aleanca jashtë rajonit. Sondazhet zyrtare nxjerrin një mbështetje rreth 89% të shqiptarëve për NATO-n.
Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me NATO-n. Pjesë e këtij plani është paketa me objektivat e forcës, të cilat janë marrë përsipër nga Forcat e Armatosura si kapacitete operacionale të cilat vihen në dispozicion të NATO-s, për misionet aktuale dhe të ardhshme.
Aktualisht, Shqipëria merr pjesë në misionin ISAF të NATO-s në Afganistan në disa rajone si Herat (me kontingjentin italian), Kabul (me kontingjentin turk), Kandahar (në misione speciale me kontingjentin amerikan) etj.
Asambleja Parlamentrare e NATO-s, që prej krijimit të saj në vitin 1955 u ka siguruar anëtarëve të tryezës, diskutimin e çështjeve politike dhe të sigurisë së Aleancës, me qëllim: ndikimin në marrjen e vendimeve në të ardhmen e saj. Kjo Asamble, kontribuon në cështjet kryesore që kanë të bëjnë me sigurinë e zonës euroatlantike dhe ndihmon në kontrollin më efiçent nga parlamentet kombëtare të institucioneve që kanë të bëjnë me mbrojtjen.
Edhe pse Asambleja Parlamentare është institucionalisht e ndarë nga struktura ekzekutive e NATO-s, ajo përbën lidhjen thelbësore ndërmjet saj dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo siguron transaprencë më të madhe politike të Organizatës së Atlantikut të Veriut dhe lejon ligjvënësit dhe qytetarët e Aleancës të kuptojnë më mirë detyrat dhe objektivat e kësaj të fundit.
Për 67 vjet, NATO, Aleanca më e suksesshme dhe e qëndrueshme në histori, ka shërbyer si themel për paqen dhe sigurinë transatlantike. Ndërsa kërcënimet kanë ndryshuar formë dhe muret kanë rënë, Aleanca ka vazhduar të jetë themel për stabilitetin dhe prosperitetin, e siguruar nga një angazhim i palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta demokratike dhe mbrojtjes kolektive.
Ligjvënësit e vendeve anëtare të NATO-s, e të ftuarit nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, bëhen bashkë në Tiranë për të riafirmuar këto angazhime thelbësore. Vëmendja ndaj fqinjëve lindorë të aleancës, ku agresioni i Rusisë ka sfiduar qëllimin themelor të një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe, spektri i plotë i sfidave të sigurisë, me të cilat Aleanca përballet në periferi të saj, me një fokus të veçantë te Siria, Iraku dhe kërcënimi në rritje që ISIS paraqet për rajonin, ndihma për krizën e refugjatëve, etj, janë temat e pritshme ku do të përqëndrohen diskutimet e Asamblesë.
Aleatët në mënyrë të vazhdueshme, por dhe në Asamblenë Parlamentare që mbahet në Tiranë do të rikonfirmojnë se dialogu, transparenca, mekanizmat për minimizimin e rreziqeve janë të rëndësishme për shmangien e keqësimit të situatave.
Kriza e refugjatëve në Lindjen e Mesme dhe Evropë pritet të jetë një tjetër temë, për të cilën NATO ka dislokuar anije në Detin Egje dhe ndihmon me vëzhgim dhe informacion që e ndanë me rojën kufitare turke dhe greke dhe me agjencinë kufitare të Bashkimit Evropian, FRONTEX dhe pastaj këto autoritete lokale të ndryshme i përdorin këto informacione për të menaxhuar më mirë krizën.
Koncepti i ri strategjik, i Aleancës rikonfirmon edhe njeherë angazhimin e vendeve anëtare në lidhjen mes kombeve për të mbrojtur njëri-tjetrin kundër rreziqeve të reja të sigurisë e paqes. Ai shpreh qartë angazhimin e Aleancës në parandalimin e krizave, menaxhimin e konflikteve dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, OKB dhe BE. Ai hap një faqe të re bashkëpunimi me partnerët, duke ju ofruar një rol thelbësor në formësimin e operacioneve të NATO-s. Aleanca garanton të mbetet një komunitet i pashembullt i lirisë, paqes, sigurisë dhe vlerave të përbashkëta.
Detyrat themelore dhe parimet e NATO-s, nuk ndryshojnë, ajo do vijojë të ketë qëllim afatgjatë, mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë të të gjithë anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake. Aleanca është vendosmërisht e angazhuar në qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe në Traktatin e Uashingtonit, i cili pohon përgjegjësinë kryesore të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Në mënyrë që të garantohet siguria e territorit dhe popullsisë së vendeve të NATO-s, Aleanca do të vazhdojë të përmbushë me efektshmëri të lartë tre grup-detyrat themelore të saj, gjithmonë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sic janë; Mbrojtja Kolektive, Menaxhimi i Krizave, Bashkëpunimi për Sigurinë.
Zona Euroatlantike është në paqe dhe kërcënimi me sulm konvencional kundër territorit të NATO-s, është i ulët, megjithatë ky kërcënim konvencional nuk mund të shpërfillet.
Përhapja e armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë, terrorizmi, paqëndrueshmëria dhe konfliktet përtej kufijve të NATO-s, sulmet pirate kompjuterike, teknologjitë e reja, rreziqet për shëndetin, ndryshimet klimaterike, mungesat e ujit dhe rritja e nevojës për energji do të formësojnë mjedisin e ardhshëm të sigurisë në zonat me interes për NATO-n, dhe natyrisht pritet të kenë efekte të mëdha globale, që do të ndikojnë në planifikimin e operacioneve të ardhshme politiko-ushtarake te Aleancës.
Përgjegjësia më e madhe e Aleancës është mbrojtja, ruajtja e territoreve dhe popujve tanë kundër sulmeve, siç është përcaktuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. Aleanca nuk konsideron asnjë vend si kundërshtar të saj. Megjithatë, askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë e NATO-s, nëse siguria e ndonjë prej anëtarëve të saj do të kërcënohet.
Siguria nëpërmjet menaxhimit të krizave për NATO-n do të thotë që ajo do të angazhohet kur është e mundur dhe kurdoherë që është e nevojshme, për të parandaluar dhe menaxhuar krizat, stabilizuar situatat paskonfliktuale, dhe për të mbështetur rindërtimin. Mënyra më e mirë për të menaxhuar konfliktet është parandalimi, por aty ku parandalimi i konflikteve nuk është i suksesshëm, NATO do të jetë e përgatitur dhe e aftë për menaxhimin e konfliktit që vijon. NATO ka kapacitete menaxhuese të veçanta për konfliktet, përfshirë këtu kapacitetet e pashembullta për vendosjen dhe mbajtjen e një force ushtarake të fuqishme.
Operacionet e drejtuara nga NATO kanë treguar kontributin e domosdoshëm që ajo mund të japë në kuadrin e përpjekjeve ndërkombëtare për menaxhimin e krizave.
Qëllimi i Aleancës për një Europë të lirë që ndan vlera të përbashkëta, do të arrihej më mirë nëpërmjet integrimit të mundshëm të gjithë vendeve Europiane që dëshirojnë integrimin në strukturat Euroatlantike. Dera e antarësimit në NATO mbetet plotësisht e hapur për të gjitha demokracitë Europiane, të cilat ndajnë të njëjtat vlera me Aleancën, kështu Mali i Zi së shpejti do të jetë anëtari më i ri i saj, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dhënë sinjali për nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me Kosovën.
NATO është gati të zhvillojë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik me çdo shtet dhe organizatë, është e hapur për t’u konsultuar me çdo vend partner, ju ofron partnerëve operacionalë një rol strukturor në përpunimin e strategjisë dhe vendimeve për misionet e udhëhequra nga NATO dhe është gati të zhvillojë më tej partneritetet ekzistuese duke ruajtur specifikat e tyre.
Bashkëpunimi NATO-Rusi është me një rëndësi strategjike, sepse ai kontribuon në krijimin e një hapësire të përbashkët të stabilitetit, paqes dhe sigurisë. NATO aktualisht nuk përbën asnjë kërcënim për Rusinë. Në marrëdhëniet NATO-Rusi, NATO është e vendosur të zgjerojë konsultimet politike dhe bashkëpunimin praktik në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen raketore, luftën kundër terrorizmit, drogës, piraterisë dhe promovimin e sigurisë ndërkombëtare në shkallë të gjerë.
NATO është e angazhuar në mënyrë të vendosur për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet e Mesdheut, dhe synon të zhvillojë më tej dialogun mesdhetar.
NATO i jep rëndësi të madhe paqes dhe stabilitetit në rajonin e Gjirit Persik, dhe synon të forcojë bashkëpunimin nëpërmjet nismës së bashkëpunimit të Stambollit në zgjerimin e konsultimeve në kuadër të EAPMC; vazhdimin dhe zhvillimin e partneritetit me Ukrainën dhe Gjeorgjinë; lehtësimin e integrimit Euroatlantik të Ballkanit Perëndimor; thellimin e bashkëpunimit me anëtarët aktualë të dialogut mesdhetar si dhe zhvillimin e një partneriteti më të thellë me partnerët e saj të Gjirit Persik.
NATO, angazhohet të maksimizojë nivelin e dislokueshmërisë së forcave të saj dhe të aftësisë së tyre për mbështetjen e operacioneve në terren, duke përfshirë ndërmarrjen e përpjekjeve të përqendruara për përmbushjen e objektivave; të sigurojë koherencën maksimale në planifikimin e mbrojtjes për të reduktuar në maksimum dublikimet duke përqendruar zhvillimin e kapaciteteve sipas kërkesave të kohës; të zhvillojë dhe të përdorë kapacitete së bashku për shkak të efektivitetit të kostos dhe si shenjë e manifestimit të solidaritetit të ruajë dhe forcojë kapacitetet, standardet, strukturat dhe fondet e përbashkëta që e lidhin atë së bashku; si dhe të kryejë një proces të vazhdueshëm reformash, për të përmirësuar strukturat, metodat e punës dhe rritjen e efektshmërisë.