Home KRYESORE Politika, Reforma dhe Shqipëria xhungël!

Politika, Reforma dhe Shqipëria xhungël!

Nga Aleksandër Rrema

Pritshmëria e reformës për t’u votuar, ka nxjerrë sëfundmi risi të reja, si ajo e Eskobarit Balili dhe fenomenin Shukri të përfolur shumë në këto kohë tepër të nxehta për situatën në vend. Natyrisht me këto ngjarje politika kështu fiton kohë, duke debatuar publikisht dhe duke përdorur nën zë shprehjen e famëshme: Ku ka ligje, ka dhe shtigje. Pra me pak fjalë, reforma është thjeshtë zhurmë mediatike dhe konsum politik për të kaluar kështu ditën njëra pas tjetrës.

Kur mediat fqinje nisin ditën në faqen e parë për gjurulltitë e mëdha që ndodhin në Shqipëri, për kanabisin që qarkullon në të gjithë europën, krahas kësaj politika shqiptare as nuk e vë ujin në zjarr. Madje me krejt neglizhencë, mundohen të hedhin baltë me analistët e tyre, se Balili dhe Shukriu nuk i përkasin aspak reformës në drejtësi si dhe dekriminalizimit të funksionarëve publikë.

Po nga erdhën Balili dhe Shukriu në postet publike ?! Natyrisht prej politikës. Prej kësaj politike që i përzgjodhi si besnikë të pazareve dhe kurrë si të aftë për të zhvilluar politikat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për zonat ku këta ishin përzgjedhur gjoja me votë qytetare. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pasi dihet botërisht se pushteti është mekanizëm që ose trashëgohet, ose blihet. Pra në këto kushte kemi të bëjmë me afera politike korruptive të pastra, që funksionet e larta publike nuk depërtohen sipas standarteve të përfolura nëpër tryezat me ndërkombëtarë, por me klanizma miqësie dhe paraje. Kështu nisi 2013-ta, kështu erdhi edhe 2015-ta dhe le të shpresojmë që 2017-ta të mos jetë më kështu, pasi do të ishte një vetvrasje për shqiptarët që kërkojnë të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

Por lojërat politike duket që nuk i shqetëson fakti se shqiptarët kërkojnë një jetë më të mirë në vendin e tyre, nuk i shqetëson as fakti i punësimit dhe i sigurisë për jetën. Tashmë është e qartë se fushat me kanabis në të gjithë Shqipërinë, vrasjet mafioze në mes të ditës, gjobat e Shullazit ndaj biznesmenëve, videot me pullë të kuqe për t’u punësuar, si dhe nami i keq si vend i barazuar me Kolumbinë për trafikim të lëndëve narkotike, duket kthjellazi se reforma në drejtësi nuk ka asnjë shanc të votohet dhe as të zbatohet viteve në vazhdim nga asnjëra palë politike në Shqipëri, se kështu ju leverdis të gjithëve mesa duket. Madje do ishte më mirë për shqiptarët, që në këtë vend të projektohej një protektorat Amerikan, se sa një reformë në drejtësi.

Nuk mund t’ju kërkosh luanëve të politikës shqiptare, mos gllabëroni më territore me krimet tuaja se reforma do ashpërsojë ligjet e xhunglës. Luanët e politikës shqiptare, janë bashkë edhe pse duken veç e veç. Edhe pse për interesat amerikane ata bëjnë sikur zihen, por kurrë nuk ngatërrohen për pazaret e tyre; për pazaret e emërimeve, për pazaret e drogës dhe tregëtimit të saj, për pazaret e tenderave dhe konçesioneve dhe as për kriminelët brenda territorit që kontrollohen prej tyre.

Kështu që shqiptarët e kanë humbur shpresën për këtë vend se një ditë të bukur do të lulëzojë. Kjo tregon se as reforma nuk u’a mbush mendjen më për të qëndruar, pasi në historinë e zhvillimit të tokës, nuk kemi parë dhe as dëgjuar që luanët të braktisin mbretërinë kaq lehtë. Mendoj dhe besoj se reforma në drejtësi do drejtojë xhunglën, por jo xhungëltarët. Xhungëltarët zhdrejtojnë dhe copëtojnë çdo gjë që u vërtitet rreth gojës së tyre. Këta xhungëltarë do të coptojnë edhe këtë reformë, duke mos e lënë të mbijetojë asnjë moment në territorin e Shqipërisë.

Autori është: Shefi i departamentit politik të Aleancës Kuq e Zi!

Share: