Home KRYESORE Risia e Kushtetutës për Normalizimin e Shqipërisë

Risia e Kushtetutës për Normalizimin e Shqipërisë

Nga PhD Ledian Droboniku*

1. Në radhë të parë, Kushtetuta që nenin 1 fuqizon sovranitetin popullor me anë të demokracisë pjesëmarrëse, duke spostuar vendimmarrjen nga partitë drejt qytetarëve. Subjekti themelor i Republikës bëhen qytetarët dhe jo partitë politike. Partitë kthehen në shtratin e tyre natyror, si shoqata me qëllim politik dhe organizim demokratik ku qytetarët identifikohen në një vizion të botës dhe përpunojnë ide për politikat e vendit. Fuqizimi i rolit të qytetarit kalon nëpërmjet çpartitizimit të Repubklikës dhe demokratizimit të partive politike.

Partitë politike nuk shihen më si zëvendësuese të vullnetit popullor, por thjesht si instrumenta në duart e qytetarëve për përfaqësim dhe ndërmjetësim të interesave të përgjithshëm në politikën e vendit.

Shkaku kryesor i bllokimit te demokracisë shqiptare është pikërisht partitizmi total i institucioneve shtetërore, administratës publike, ekonomisë, arsimit deri tek arti dhe kultura.

Partitë shqiptare nuk ia dolën dot të demokratizoheshin në epokën e re të pluralizmit por ruajtën ADN-në e partisë shtet. Njësoj si në komunizëm, e gjithë jeta në vend graviton rreth partisë, duke zëvendësuar raportet e së drejtës me ato të militantizmit partiak. Kjo ka pasoja të rënda për gjithë vendin duke fragmentizuar popullin, rritur përçarjen në një formë moderne lufte klasash. Suksesi në jetën politike, ekonomike, akademike etj, nuk vjen në bazë të meritës dhe talentit si kërkon kushtetuta dhe shteti i së drejtës por nga militantizmi partiak.

Çpartitizimi i vendit ndodh së bashku me demokratizimin e partive duke i futur në shtratin kushtetues. Që organizimi dhe funksionimi i partive të jetë demokratik, rregullimi i tyre bëhet direkt në Kushtetutë përveç se me statut, dhe proçeset e zgjedhjeve të brendshme sigurohen nga një organ kushtetues si është Komisioni për Referendumet dhe Zgjedhjet. Konstitucionalizmi dhe demokratizimi i partive sigurohet nga zgjedhja nga poshtë dhe jo emërimi nga lart i Kryetarit të partisë dhe strukturave drejtuese, kufizimi në dy mandate, publikimi online i antarëve të partisë, sistemit të primarieve për kandidatët e për zgjedhje, trasparencës proaktive të financave nën përgjegjësinë penale të drejtorit të thesarit të partisë.

2. Prodhimi i normës juridike nuk është më eskluzivitet i parlamentit por dhe i qytetarëve të cilët mund të ndërmarrin nisma referendare, nismave ligjvënëse që i shtrohen parlamentit. Përsëri parlamenti mbetet organi kryesor për prodhimin e ligjeve, por poulli mund të kushtëzojë hyrjen në fuqi të një ligji me anë të një referendumi si ndodh në eksperiencën zviceriane. Kjo siguron popullin nga ligje kundër interesit publik si dhe ndalon që partitë të kthehen në instrumenta të lobeve. Kurse ndryshimet kushtetutese apo ligjet më të rëndësishme kalojnë detyrimisht me referendum popullor. Qoftë normat referendare ashtu dhe ato ligjore parlamentare i nënshtrohen vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese për ruajtjen e kushtetushmërisë dhe shtetit të së drejtës.

3. Lidhja mes popullit dhe makinës shtetërore nuk bëhet vetëm me një “fije” të hollë një herë në katër vjet nëpërëmjet zgjedhjeve të ndërmjetësuara nga partitë. Tashmë populli zgjedh përfaqësuesit e tij në shumë organe shtetërore duke krijuar kështu një rrjetë direkte togëzimi mes shtetit dhe popullit, në atë formë që njihet si shtet komunitar. Kështu që populli tashmë pa ndërmjetësimin e partive zgjedh dhe shkarkon zyrtarët e lartë shtetërorë, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli gjyqësor, Komisioni për referendumet dhe zgjedhjet etj. Për rritur llogaridhënien dhe mbajtur të togëzuar të zgjedhurin me zgjedhësit, për tu shkëputur nga premtimet elektorale dhe zhgënjimet postelektorale, mandati i çdo përfaqësuesi të popullit mund të hiqet në çdo kohë (recall) .

Në këtë mënyrë goditen tendencat oligarkike korporative dhe përforcohet parimi i ndarjes së pushteteve, duke larguar zyrtarët e lartë nga shpirti korporativ aktual (të gjithë kalojnë nëprmejt kanaleve të partisë) si dhe duke e shtrirë më tej përveç trindarjes klasike: legjislative-ekzekutive-gjyqësore.

Tashmë jo vetëm parlamenti por çdo pushtet është i togëzuar me sovranin, kështu qytetarët mund të kushtëzojnë projektet madhore qeverisë qendrore dhe lokale me anë të referendumeve ashtu si dhe në pushtetin gjyqësor me pjesëmarrjen e jurive qytetare. Kushtetuta eviton makthin e vjetër të demokracisë shqiptare: përqendrimin e pushtetit në duart e një personi të vetëm. Zhduket figura e Kryeministrit dhe në vend të tij kemi një organ kolegjial qeveritar që vendos për drejtimin politik të vendit. Këshilli i ministrave zgjedh çdo vit kryetarin e këshillit të ministrave si i barabartë mes të barabartëve. Kurse Presidenti i Republikës i zgjedhur nga populli siguron unitetin e popullit, duke qenë apartiak dhe pa mandat politikbërje.

4. Të drejtat dhe liritë themelore do të garantohen më mirë në një shtet që nuk merret peng nga një oligarki partiake që zëvendëson raportet e forcës me ato të së drejtës. Lidhja direkte e organeve shtetërore me vullnetin popullor jo vetëm që rrit trasparencën dhe llogaridhënien, por dhe ndihmon në përmirësimn e administratës në një lidhje të vazhdueshme me qytetarët. Jeta politike dhe ekonomike në vend do të normalizohet dhe Drejtësia do merret vetëm me rastet patoligjike, ku gjyqtari do përdorë pavarsinë e tij për të qenë i paanshëm por jo i papërgjegjshëm ndaj zbatimit të ligjit.

Nga ana tjetër të drejtat zgjerohen dhe bëhen të realizueshme në praktikë. Kushtetuta nuk mjaftohet me deklarimet potenciale të të drejtave por kërkon realizimin e tyre në praktikë për zhvillimin e plotë të dinjitetit dhe personalitetit të njeriut si individ apo si pjeëtar në komunitet. Përveç të drejtave civile, një rol i rëndësishëm iu njihet edhe të drejtave sociale dhe ekonomike duke garantuar një drejtësi sociale dinjitoze. Në një epokë ku zhvillimi teknologjik po zëvendëson gjithmonë e më shumë punën e njeriut me anë të makinave, të ardhurat duhet të shihen jo domosdoshmërisht si korrispetiv i raportit të punës, por si të ardhura qytetarie universale ne një sistem prodhimi kombëtar me aktorë privatë dhe publikë. Ekonomia e vendit nuk do të jetë më spekuative por e bazuar në prodhim dhe punësim të përgjithshëm. Në një shtet të së drejtës, pa monopole operatorët e ndryshëm ekonomikë do ta kenë më të lehtë për të krijuar raporte bashkëpunimi.

5. Tjetër pikë e rëndësishme është vlerësimi i gjysmës së shqiptareve jashtë Shqipërisë, jo më me premtime partish, por duke i institucionalizuar direkt në krijimin e një senati të Republikës ku mund të kontribuojnë direkt në zhvillimin e vendit dhe forcimin e identitetit kombëtar. Garantohet gjithashtu votimi i emigrantëve shqiptarë kudo janë për parlamentin e shqipërisë.

ledian drobonikuPjesë e senatit do të jenë edhe dy përfaqësues nga çdo rreth i Shqipërisë, për të kujdesur për interesat lokale shpesh të sakrifikuara nga pushteti qendor si dhe duke mundëusar një zhvillim homogjen të të gjithë territorit shqiptar. Edhe pushteti vendor sheh pëforcimin e kompetencave të tija dhe instrumentave financiarë autonomë për përmbushjen e interesave të qytetarëve sa më afër vendimmarrjes.

Autori është drejtues i organizates ShqipOn

Share: