Home KRYESORE Spiune pasionante

Spiune pasionante

Nga Edison Ypi

Mahnitëse letra drejtuar kurvit për të spiunuar Ismail Kadarenë.
Spiunia që shkroi atë letër është autorja e atij marshit partizan mes të cilit buçet ai vargu; “N’ato maja, n’ato rriipa, her’ ma hipe, her’ ta hipa”, pra “her’ më spiunove, her’ të spiunova”.

Spiunen e dija të gjallë. Kur më thanë se ka nja dy vite që ka vdekur, si pervers mediatik që jam, u lumturova.

Nëse ajo spiune do kishte qënë thjesht spiune, nuk do ja vlente të merresha me një ndër spiunet e një populli spiun. Por meqënse spiunia në fjalë nuk është thjesht spiune, por spiune pasionante, për më tepër dhe e vdekur, pra pa asnjë mundësi për të spiunuar përsëri, mund të vazhdoj pa frikë ta eksploroj pak spiunllëkun e saj.Kjo angari më përket që pas një përvoje të suksesëshme me një të vdekur idhnak mallakastriot, kur rregullin shiptaresk të mos folurit keq për të vdekurit por vetëm për të gjallët e theva dhe asgjë e keqe s’më gjeti, përkundrazi u mbulova me lëvdata.

Spiunia e talentuar, e pasionuar dhe e vdekur, komunistja delirante që spiunoi shkrimtarin gjenial, është e pakonkurrueshme në rrënqethjet që të shkakton.

Ka qindra biblioteka me mijëra libra që s’vlejnë asnjë grosh.
Ka tekste fare të shkurtër të shkruara në një copë letër, si letra e spiunes pasionante, me më tepër vlerë se mijëra librat e qindra bibliotekave.

Ndërkohë që shkrimtari gjenial shkruante hapur kryevepra botërore, spiunia pasionante shkruante fshehtas spiunllëqet nga më kriminalet.

Dromcat llahtarisëse që përmban ajo letër janë me vlerë të pallogaritshme instruktive për vigjilencë spiunore për brezat e ardhshëm.

Spiunia pasionante na paska bërë dhe “Opera” dedikuar kurvit, shkruar “me shumë frymëzim, vullnet, guxim”. (dhe shumë spiunllëk)

Spiunimi cilësohet “detyrë karshi partisë dhe popullit”. Këtu nuk ka gabuar dhe aq, përderisa fjala është për një popull spiun.

Emrat që përmenden në letër, Mafuz, Qerim, Filat, Siri, duken si emra nëpunësish të Pallatit të Ëndërrave.

Spiunia e pasionuar spiunllëkun e përkufizon me fjalë që mund të shkaktojnë atake kardiake; “njëra nga detyrat t’ime kryesore, krahas krijimtarisë muzikore, ishte të ndihmonja organet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtore, punë kjo që kërkon ndërgjegje të naltë, besnikëri, sakrifica…dhe unë brenda mundësive të mija u mundova ta justifikonja me punë dhe besnikëri besimin që m’u dha për të kontribuar si bashkëpunëtore e organeve të Sigurimit. Dhe s’ka gjë më të rëndë se sa të mbash të fshehur në kraharor dashurinë për Partinë të heshtësh kur të tjerët brohorasin.”

Dhe vazhdon spiunia pasionante; ” Po a kishte forcë që përmbante shpirtin tim të rilindur (nga spiunllëku) unë do isha jo vetëm ushtar i heshtur i saj (por edhe spiune pasionante kundër Ismail Kadaresë).

Spiunimin për Ismail Kadarenë e quan “ta shoh më afër Ismail Kadarenë”

Pak më poshtë, gjithmonë lidhur me spiunimin ndaj Kadaresë; “n’atë çast m’u duk më e arsyeshme dhe i shkrojta letër me ton të papërcaktuar, edhe si armik, edhe si person që e don Partinë, duke i lënë shteg që ky ishte një materjal që ay mund ta përdorte për ndonjë tregim, dhe e ftonja të shkruanim bashkë një vepër.” Spiunia pasionante “vepër” të përbashkët me viktimën e spiunimit të saj ?! O ç’më shkrive moj spiune pasionante.

Në një vend tjetër thotë; “kur ardha në Tiranë për të dorëzuar operën, shkova në Ministrin e Brendshmme”.

Më tutje; “më tha të firmosnja deklaratën e shkarkimit nga detyra, unë rezistova e i thasë nuk e firmoj. …unë po firmos, vetëm dijeni se unë edhe pa deklaratë do vazhdoj ta ndjej vehten bashkëpunëtore të organeve të sigurimit.”

Në një vend tjetër, për spiunen e pasionuar letrat e spiunllëkun janë hiç më pak se “skica letrare”

Dhe pas gjithë këtyre; “është e vendosur deri në vdekje për çështjen e Partisë.”

Diku tjetër; “sot më 1967 po i këndoj me besnikëri Partisë (me anë të letrave të spiunllëkut) Do fliste (dhe do digjte ) vetë zjarri që kishte shpërthim (dhe shkatërrim) në kompozimin e operës (së spiunllëkut)

Ose; “i takoj Partisë dhe ushtar i heshtur qëndroj këtu në një barangë kompesatoje, midis hajdutëve, matrapazëve, vajzave rrugaçe (spiunia pasionante quan të tillë të internuarit politikë në fshatrat e Myzeqesë).”

E të tjera e të tjera tmerre mishrrënqethëse.
Letra është shkruar më 11 qershor 1967.
49 vjet, 9 muaj e 20 ditë më parë.

Kërkova në Internet çfarë ka ndodhur në botë në atë datë. Asgjë, njerëzore, kafshërore, shtazarake, e turpshme, e frikëshme, historike, biografike, shkencore, astronomike, astrologjike, më e rëndësishme se letra e spiunes pasionante.

Share: