Nga Enver Bytyçi
Shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier, ditën e djeshme ka kritikuar manovrën ushtarake të NATO-s në territoret e vendeve të Europës Lindore, (Poloni) duke e konsideruar atë si një shkendijë që vetëm shkakton nxehtësi në dialogun dhe bashkëpunimin me Rusinë. “”Ëer glaubt, mir symbolischen Panzerparaden an der Ostgrenze des Buendnisses mehr Sicheheit zu schaffen, der irrt”.
(Kush beson se arrin më shumë siguri me paradën simbolike të tankeve në kufijtë lindorë të aleancës, ai gabon), deklarohej ai dje në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane “Bild am Sonntag”. Madje ai e quan fatale përpjekjen për të gjetur shërim përmes ushtrimit “të zhurmshëm” të forcës. Sipas ministrit të jashtëm të RF të Gjermanisë zgjerimi i mjeteve ushtarake do të thotë ngushtim i mjeteve politike, prandaj ai rekomandon se që të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundësitë për çarmatimin dhe kontrollin e armëve, me qëllim që Europa të bëhet më e sigurt.
Nga deklarata e djeshme e Herr Steinmeier dhe nga ato që thotë sekretari IiPërgjithshëm I NATO-s ka një diferencë të dukshme. Eshtë detyrë e ekspertëve të mirëfilltë që këtë hendek mendimi e botëkuptimi ta shqyrtojë me imtësi, me qëllim që të gjenden mundësi e rrugë efektive për të mundësuar një mendim dhe veprim të përbashkët të shteteve anëtare të NATO-s. Por një analizë e përgjithshme e situatave që janë krijuar në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perendimit në shekullin e kaluar e në këto 16 vite të shekullit të ri çon në përfundimin se këshillat dhe reagimet e zotit Steinmeier janë të pavend, nuk pasqyrojnë një realitet në të cilin gjendet NATO dhe Europa përballë Rusisë agresive dhe të rrezikshme.
Opinioni publik është njohur me përcaktimin e strukturave përbërëse të NATO-s, se “Rusia dhe terrorizmi janë dy rreziqet kryesore, të cilat kërcënojnë paqen, lirinë dhe sigurinë në botën e sotme”. Deklara e sipërpërmendur na dëshmon se shefi i diplomacisë gjermane nuk pajtohet me këtë konstatim unanim edhe së paku të deputetëve gjermanë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të cilët ishin në Tiranë në fund të muajit të kaluar. Unë nuk kam pasur asnjëherë dyshimin më të vogël se ministri gjerman i Punëve të Jashtme është dhe mbetet produkt dhe nën ndikimin e ish-kancelarit të Gjermanisë, Gerhard Schroeder, njëkohësisht mik i ngushtë i Vladimir Putin. Nisur nga ky fakt mundet që ai të parashtrojë pikëpamje personale subjektive sa i përket zhvillimeve gjeopolitike e politike lidhur me Aleancën Atlantike dhe mënyrën e reagimit të saj ndaj Rusisë. Por nuk është shqetësimi im ky fakt.
Ajo që shoh në deklarimet e zotit Steinmeier ka të bëjë me nocionin e sigurisë europiane sipas tij. Çeshtja shtrohet se në deklaratën e tij ai fshin nga memoria arrogancën e Kremlinit sa i përket cënimit të sovranitetit të vendeve të tjera. Ngjarjet në konfliktin me Gjeorgjinë të vitit 2008, kur Moska urdhëroi ushtrinë federale të aneksonte Abkhasinë dhe Osetinë e Jugut, duke cënuar rëndë sovranitetin dhe integritetin e një shteti të pavarur, ishin një mësim i vlefshëm për të qëndruar në një pozicion të reagimit të ashpër gërshetuar me ofertën e dialogut përballë Rusisë. Këtë mesazh do të duhej ta kishte përforcuar politika dhe diplomacia e çdo vendi anëtar i BE-së dhe NATO-s në rastin e aneksimit të Krimesë në marsin e vitit 2014. Ndërkaq manovrat ushtarake dhe shkeljet e hapësirës ajrore të vendeve anëtare të Aleancës nga ana e aviacionit luftarak rus përbëjnë një arësye më shumë për t’i ik qëndrimeve pragmatiste dhe të pamata, të cilat i shfaq shefi i diplomacisë gjermane. Po ashtu ngjarjet në Ukrainën Lindore dhe angazhimi rus kundër sovranitetit të Kievit mbi këto territore është një arësye e mjaftueshme për të qenë më i përkushtuar në mbrojtje të rregullit dhe rendit ndërkombëtar.
Nëse studiojmë rrjedhën e ngjarjeve që përmendëm më sipër, do të vinim re se në fakt politikanët e predikimeve të paqes me rusët agresorë i kanë dhënë dritën jeshile veprimeve të çmendura të Moskës në aventurën e saj për pushtime territoresh në këto kohë moderne, kur bashkësia ndërkombëtare ka dëshmuar aq shumë vendosmëri dhe përkushtim për ruajtjen e sovranitetit të shteteve si dhe parandalimit të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare. Veprimet autoritare dhe arrogante të Rusisë, kërcënimet ushtarake të presidentit të saj, Vladimir Putin, planet e tij për pushtime të reja dhe zgjerim territoresh me anën e forcës ushtarake të fuqisë bërthamore janë kërcënimi më serioz i sigurisë dhe stabilitetit europian, si edhe lirisë dhe demokracisë në këtë kontinent. Askush nuk dyshon se Kremlini dëshiron që me anën e forcës të realizojë interesat e saj gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës. Ndërsa sa i përket interesave ruse në Europën Lindore është i njohur dëshprimi i deklaruar i Putin për shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, proces të cilin ai e konsideron si gabimin më të madh të historisë. Mjafton kjo deklaratë hitleriane që diplomatë dhe politikanë të përmasave të Steinmeier të kuptojnë realisht rrezikun rus për sigurinë e NATO-s e të Bashkimit Europian.
Por deklarata e tij që përgatitja ushtarake për të përballuar këtë rrezik të zevendësohet me dialog dhe marrëveshje shkon në drejtimin e kundërt. Duket sikur Europa, NATO dhe Rusia ende jetojnë periudhën e një farë harmonie e të mundësive për dialog të kohës së Michael Gorbaçov ose Boris Jelcin. Kryediplomati gjerman, sigurisht që ka informacione të bollshme për të dëshmuar se koha e mbretërimit të Vladimir Putin është e mbushur me shembuj të shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të një sjelljeje arrogante kundrejt aktorëve ndërkombëtarë. Prandaj do të pritej që të këshillonte së paku kombinimin e predikimit të forcës dhe të dialogut në raport me politikat e sotme të Kremlinit. Madje dialogun do të duhej ta kushtëzonte me rikthimin e sovranitetit të Gjeorgjisë në Abkahsie e në Osetinë e Jugut si dhe të Ukrainës në Krime, përveçse ndalimit të aventurës për pushtimin e Ukrainës Lindore të zonave rusishtfolëse.
Një ministër i jashtëm i çdo vendi anëtar të NATO-s do të duhej të solidarizohej më shumë me ndjenjat dhe frikën që përjetojnë vendet e Lindjes Europiane nga revanshi rus. Në këtë bllok vendesh bëjnë pjesë ato shtete, të cilat Gjermania dhe BE e NATO vetë i kanë ftuar të jenë pjesë e ketyre klubeve të mëdha gjeopolitike. Nuk mundet që një ministër i Jashtëm gjerman të shpërfillë frikën dhe rrezikun që ndjejnë Polonia, Ukraina, Rumania, Moldavia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda e Suedia, si dhe vendet e Ballkanit nga politikat revanshiste të Moskës. Ky qëndrim mospërfillës ndaj sentimentit të popujve dhe kombeve anëtare të klubit euro-atlantik dhe mbrojtja që i bëhet politikave pushtuese të Moskës janë në kundërshtim me realitetin gjeopolitik dhe strategjik si dhe konceptin euro-atlantik të sigurisë. Madje deklarime të tilla shtojnë mosbesimin dhe frikën e një loje politike të forcës së ekuilibrit sipas konceptit të “ndarjes së zonave të influencës”, gjë që në Ballkan së paku do të sillte destabilitet politik dhe do të rikthente konfliktet e shekullit të kaluar.
Nëse dikush e sheh sigurinë te bashkëpunimi dhe jo përgatitja për mbrojtje nga politikat shoviniste të Rusisë, kjo nuk është thjesht vetëm çeshtje konceptuale, është dhe problem koekzistence. Ndoshta për Gjermaninë është modus vivendi një politikë neutrale, çfarë do ta dëshironte Rusia dhe do ta aplikonte në modelin e saj psh Serbia. Por Gjermania nuk jeton e vetme në hapësirën kontinentale. Megjithatë jo vetëm Gjermania ose segmente të politikës së saj do të donin një qëndrim neutral. Asaj i bashkohen në këto qëndrime edhe Italia, Spanja e natyrisht Franca. Por nëse këto vende shohin vetëm interesat e tyre, sipas konceptit, “larg nga bytha ime”, atëherë nuk kishte pse të ftonin në NATO e BE ato vende, të cilat rrezikohen nga politikat agresive të Kremlinit. Nga ana tjetër deklarime të tilla në gojën e shefit të diplomacisë së vendit më të fuqishëm europian nuk janë pa ndikim në teatrin politik kontinental e me gjerë. Dihen tashme ndikimet që luajnë qëndrimet politike të tilla në skenën ndërkombëtare. Mësazhi kryesor lidhet me “lejen” që i jepet Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në zgjerimin e sulmeve për pushtime territoresh. Në Moskë gjithnjë është shfrytëzuar kjo hapësirë kontraverse për të realizuar qëllime destruktive në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Eshtë i njohur inkursioni i Sarkozit në Moskë pasi ushtria ruse aneksoi dy krahinat e Gjeorgjisë, me të cilin Putin mori mesazhin e pajtimit të Europës me faktin e kryer. Atëherë u duk sikur presidenti francez lutej “Aman, vetëm më tej mos shkoni”. E njëjta politikë u ndoq në rastin e aneksimit të Krimesë. Steinmeier de facto e njohu aneksimin, sepse përjashtoi çdo mundësi të ndërhyrjes me forcë për vendosjen e rregullit ndërkombëtar në Ukrainë. Mundej që të mos kishte asnjë mundësi ndërhyrjeje, por deklarata e tij se “është e përjashtuar çdo mundësi për ndërhyrje ushtarake”, ishte sinjal i vlefshëm për presidentin rus, që ai të kuptonte se “Bashkësia ndërkombëtare do ta toleronte pushtimin e një territori të një shteti tjetër”, të njohur ndërkombëtarisht me një marrëveshje të veçantë të nënshkruar ne Mnisk më 1994. Edhe ngurimet gjermane për të pranuar në NATO Gjeorgjinë, Ukrainën dhe ndonjë vend tjetër në kufi me Rusinë kanë ndikuar dhe ndikojnë për ta motivuar Vladimit Putin në aventurën e rrezikshme kundër paqes e sigurisë kontinentale. Madje I kanë dhënë atij legjitimitet të shtuar në arësyetimin që këto vende t’i shohë si “zona të sigurisë ruse”.
Poltikat dhe strategjitë kombëtare të Gjermanisë mund të justifikojnë qëndrime të tilla, për të cilat shprehet së fundi vetë shefi i diplomacisë së saj, madje duke i konsideruar manovrat e NATO-s si simbolikë që rrezikojnë paqen, në vend që ta forcojnë atë. Por Gjermania duhet të shfaqë në qëndrimet e saj përgjegjësi për fatin e të gjitha kombeve dhe shteteve që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Me këto deklarime askush që kërcënohet ose sulmohet nga ushtria e atomit rus nuk ndjehet i sigurt se NATO do të aplikojë detyrimin e saj statutor në mbrojtje të lirisë, demokracisë, sovranitetit dhe integritetit të vendeve anëtare të saj.
Shqipëria është pjesë e manovrave ushtarake që zhvillohen sot në territorin e Polonisë dhe për të cilat zoti Steinmeier është i shqetësuar se këto manovra minojnë dialogun, kompromisin dhe marrëveshjen me Moskën. Në fakt opsioni i tij do ta çonte botën drejt një politike të asaj që në kohën e Luftës së Ftohtë konsiderohej bashkekzistencë paqësore dhe politikë e detantës, çka do të thotë se Europa dhe bota do të viheshin përsëri nën diktatin e rivalitetit SHBA-Rusi. Por nuk dihet nëse Europa do të mund ta kishte komoditetin e gjysmës së dytë te shëkullit të kaluar, kur jetoi e sigurt nën mbrojtjen amerikane dhe madje reduktoi biliona dollarë shpenzime ushtarake, duke i vënë këto rezerva në dispozicion të zhvillimit të teknologjisë dhe të prodhimit vendas.
Ndërkohë, një politikë dhe qëndrim i tillë gjerman do ta ndante Europën në dy pjesë: – Në pjesën europiane proamerikane që rrezikohet nga ambicjet hegjemoniste të Rusisë dhe në pjeën, po e themi me terma të buta asnjanëse, që në fakt shfaqet si proruse. Një ndarje e tillë nuk besoj se i konvenon Europës dhe vetë Gjermanisë. Prandaj sido që ta analizosh qëndrimin e Steinmeier, rezultantja del se kemi të bëjmë së paku me një deklaratë pragmatiste ose ndoshta me burim sentimental personal. Urojmë që batalioni ynë pjesmarrës në manovrat e Polonisë në kuadër të NATO-s të mos ndikohet nga politika të tilla jo adekuate për interesat madhore strategjike e gjeopolitike të vendit tonë e të shqiptarëve në Ballkan.