Home KRYESORE Ambasadori turk në Tiranë: Gjarpri shfaqet përsëri po nuk ia shtype kokën!

Ambasadori turk në Tiranë: Gjarpri shfaqet përsëri po nuk ia shtype kokën!

Interviste nga Elton Metaj

Ambasadori turk në Shqipëri, Hydajet Bajraktar, shprehet se në ngjarjet e 15 korrikut në Turqi fitoi demokracia, nuk fituan tanket, topat dhe armët që përdorën terroristët. Në një intervistë për “Shekulli Online”, diplomati turk nënvizon se përpjekja për grusht shteti nuk mund t’i faturohet Forcave të Armatosura të Turqisë, pasi ajo u realizua jashtë zinxhirit të komandave dhe urdhrave. Ambasadori turk thotë se qeveria e Ankarasë i ka dorëzuar Uashingtonit të gjithë të dhënat dhe kërkesë për “arrestimin e kreut terrorist Gylen për katër padi të ndryshme”. Në të njëjtën, Bajraktar i cilëson si të përkryera marrëdhëniet me Shqipërinë, duke nënvizuar se Turqia e ka përparësi “shkatërrimin e të gjitha zgjatimeve të FETO-s, kësaj strukture terroriste”.

Cila është gjendja aktuale në Turqi, pas grushtit të dështuar të shtetit?

Siç jeni në dijeni, organizata terroriste Fetullahiste (FETO) më 15 korrik, ditën e premte, organizoi një tentativë për grusht shteti kundër rendit tonë demokratik e kushtetues. Populli turk, të cilin me sa duket puçistët nuk e kishin llogaritur në planet e tyre, reagoi fuqishëm ndaj kësaj tentative. Puçistët me tanke, helikopterë dhe avionë sulmuan egërsisht dhe masakruan popullin. Për të ruajtur demokracinë, populli, burra e gra, të rinj dhe të moshuar, mbushën sheshet të gatshëm për t’u sakrifikuar. Ata sfiduan tanket, armët, avionët luftarakë. Media jonë e lirë u mobilizua kundër puçistëve.

Partitë tona politike, në pozitë dhe në opozitë, u bënë si një grusht i vetëm. Në këtë mënyrë puçistët nuk mundën të realizojnë qëllimet e tyre. Por fatkeqësisht gjatë këtyre sulmeve të egra 240 persona ranë dëshmorë për demokracinë, mbi 2000 të tjerë u plagosën. Por falë vullnetit të popullit turk, u vërtetua se nuk do të mund të realizohet një grusht shteti. Në Turqi fitoi demokracia. Nuk fituan tanket, topat dhe armët që përdori kundër popullit Organizata Terroriste Fetullahiste FETO.

Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për një çështje. Është tepër e gabuar t’ua faturosh të gjithë Forcave të Armatosura të Turqisë këtë tentativë për grusht shteti, e cila u realizua jashtë zinxhirit të komandave dhe urdhrave. Pjesa më e madhe e ushtrisë iu kundërvu puçit që në fillim. Kjo tentativë për grusht shteti u organizua nga elementë që kishin kohë që kishin depërtuar në radhët e forcave të armatosura. Pjesa tjetër e ushtrisë u trishtua shumë nga ky veprim.

Gjatë historisë së saj, Turqia ka provuar disa grushte shteti. Ku ishte dallimi i zhvillimeve të javëve të fundit, me ngjarjet e viteve më parë?

Ndërsa në grushtet e shtetit të viteve 1960 dhe 1980, populli heshti, më 15 korrik populli ynë i doli për zot shtetit të tij, Presidentit të zgjedhur dhe Qeverisë së zgjedhur. Për më tepër puçistët e 15 korrikut sulmuan për të shkatërruar vendin. U bombarduan Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë, Pallati Presidencial, ndërtesa e Kryeministrisë, ndërtesa të tjera publike, qendra e ndërlidhjes satelitore TURKSAT, etj. Vetëm bombardimi disa herë i Parlamentit, Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, që simbolizon vullnetin kombëtar, mjafton për të shpjeguar gjithçka.

Raportimet e mediave ndërkombëtare flasin për një numër të madh të arrestuarish dhe pezullimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Pse qeveria turke vendosi të marrë masa kaq drastike?

Të gjithë jemi dëshmitarë të bilancit të përgjakshëm të tentativës për grusht shteti që realizuan kriminelë mizorë duke përdorur metoda terroriste. Organizimi i FETO-s brenda shtetit është në përmasa serioze. Sepse po të mos kishin një organizim të tillë, nuk do të mund të mbërrinin në këtë pikë. Bëhet fjalë për një lëvizje terroriste serioze kundër të ardhmes dhe rendit kushtetues të vendit tonë. Masat që po merren janë të domosdoshme. Nëse i tolerohet një strukture terroriste, nëse sillesh butësisht me të, ajo të godet përsëri. Gjarpri shfaqet përsëri po nuk ia shtype kokën.

Qeveria amerikane ju ka kërkuar prova të qarta për përfshirjen e Gylenit në organizimin e grushtit të shtetit. A i ka qeveria turke këto prova?

Ne pamë dhe jetuam në mënyrën më konkrete tentativën e përgjakshme për puç të organizatës në fjalë. Tani pritshmëria jonë më e madhe nga SHBA është ekstradimi i Fethullah Gylenit që banon në SHBA. SHBA-ve u është përcjellë kërkesa për arrestimin e kreut terrorist Gylen për katër padi të ndryshme. Midis dy vendeve ka një marrëveshje për ekstradimin e të dënuarve dhe ndihmën gjyqësore reciproke për çështje penale. Kërkesa jonë për ekstradim lidhur me katër padi, bashkë me dokumentet, provat ligjore që përbëjnë thelbin e çështjes, u përcollën para disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

A do të ketë ndikim grushti i dështuar i shtetit në marrëdhëniet e Turqisë me vendet e tjera dhe veçanërisht me NATO-n e SHBA-në?

Aleatët tanë, miqtë tanë pas grushtit të shtetit i dhanë një mbështetje të fuqishme vendit tonë. Edhe unë me këtë rast dëshiroj të falënderoj veçanërisht qeverinë, opozitën dhe popullin shqiptar. Një mbështetje të tilla na dhanë edhe SHBA dhe aleatët e tjerë në NATO. Pritshmërinë tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e theksova pak në pyetjen tuaj të mëparshme. Ne vlerësojmë dhe u kushtojmë rëndësi marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-të, një vend aleat i yni. Besojmë se SHBA do të kthejnë në Turqi kryeterroristin. Mendojmë se miqësia dhe aleanca e bëjnë të nevojshme këtë. Gjithashtu njihen politika, mundësitë dhe kapacitetet e NATO-s në luftën kundër terrorizmit. Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe ka kontribuar në të gjitha drejtimet. Aleat i NATO-s nuk është FETO, është Turqia. Prandaj nuk bëhet fjalë që të cënohen marrëdhëniet tona me NATO-n.

Po marrëdhëniet me Shqipërinë, a do të ndikohen nga këto zhvillime?

E dimë që institucione të lidhur me FETO-n veprojnë edhe në Shqipëri. Vendi ynë e ka përparësi shkatërrimin e të gjitha zgjatimeve të FETO-s, kësaj strukture terroriste. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë në nivel të përkryer. Vlera e investimeve tona në Shqipëri është mbi dy miliardë dollarë dhe falë këtyre investimeve janë punësuar rreth 10.000 vetë. Për më tepër marrëdhëniet midis vendeve tona janë të sinqerta. Në këtë kuadër ne besojmë me gjithë zemër se do të hidhen hapat e duhura./Shekulli.com.al

Share: