Një dokument sekret i vitit 1958, i Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit zbulon një ngjarje të pazakontë për efektivët e Sigurimit të Shtetit.
Relacioni me firmën e kreut të institucionit, Gani Goxhi, “Mbi veprimtarinë e imoralitetit të organizuar në grup nga shefi i Degës Qatip L.”, e pohon qysh në mbititull thelbin e çështjes, që i përket një historie perverse, me një mori ndodhish e episodesh, të cilat fillojnë e mbarojnë me skena përndjekjesh e përdhunimesh, me skenarë të ideuar nga një zyrtar jo pak i rëndësishëm i Degës së Brendshme.
Si protagonist i zhvillimeve monstruoze, kapiten Qatip L. shtjellon dokumenti në fjalë duke spekuluar me “pushtetin” e funksionit, organizon vartësit për t’i sjellë vajza të reja që të shuajë epshet e shfrenuara.
Në këtë marrëdhënie të vendosur rishtas, “gjurmuesit” e porositur joshen edhe vetë dhe, aty për aty, sa mbaron punë shefi me gjahun e radhës, i kthehen edhe ata, herë vetëm e herë në grup. Në rastet më të shumta, strehë e orgjive bëhen bazat sekrete të Shërbimit të Fshehtë, një dhomë e maskuar në dyqanin e këpucar Hysenit në qytet, vagoni i trenit i rezervuar për punonjësin e sigurinë, zyrat e recepsionit në hotel “Adriatiku”, hotel “Shkumbini” etj.
Ndërkohë, “pehlivanët” e seksit, sipas rastit, nuk hezitojnë ta ushtrojnë vesin e tyre as në zyrat e Policisë, siç ishte ajo e postës së Kombinatit të Drurit, apo e stacionit të trenit. Në pjesën më të madhe, viktimat e radhës janë femrat e cilësuara kontingjent i Sigurimit dhe vajzat e internuara, me të cilat gjahtarët e shefit qejfli mund të operojnë pa shumë vështirësi.
Po ndodh që lakmia e këtij të fundit shkon përtej tyre dhe vartësve të tij u duhet të sfiliten pa fund e paturpësisht për t’i sjellë në krevat gjahun e përzgjedhur. Fantazia djallëzore e sojit të “pehlivanëve” të tillë arrin deri aty sa të nënshtrojë me presion dhjetëra vajza të bukura, duke u arrestuar më parë të dashurit e tyre, të cilët duhet të qëndrojnë në qeli deri sa me to të mbarojë punë kapiten Qatipi me të tijtë.
Çuditërisht, institucioni që bën denoncimin e shfaqjes së shëmtuar, kur operon për ndëshkimin e autorëve, nuk shkon përtej 10 ditëve burg dhe një sugjerimi për t’u gjykuar politikisht në organizatën e Partisë. Po çfarë përmban tjetër relacioni i kreut të Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit, që mban datën 20 shkurt 1958…
DOKUMENTI
LËNDA: Relacion mbi veprimtarinë e imoralitetit të organizuar në grup nga kapiteni Qatip L., shef në degën Elbasan Kapiten Qatip L., efektiv i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Elbasan, qysh në muajin majqershor të vitit 1957, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, në bashkëpunim me rreshterin e Policisë Parion Z., kapter Sefer B., kanë shfrytëzuar gra imorale deri në dhjetor 1957. Në dijeni të veprimtarisë së tyre kanë qenë edhe disa civilë si p.sh. Hysen V. (këpucar privat), Osman C. sportelist në hotel “Adriatiku”, Xibushe X. sporteliste në hotel “Shkumbini”, Nevruz B. punëtor në Elbasan (kushëri i kapiten Qatipit), si dhe njëfarë Ilmi, tash ndodhet ushtar. Prej kë tyre, disa kanë qenë bashkëpunëtorë dhe disa strehues.
Lidhja e dy nënoficerëve me dëshirat imorale të kapiten Qatipit u bë në këtë mënyrë: Kapiten Qatipi, pasi u njoh familjarisht me gruan e rreshter Parjonit, i cili banonte në hotel “Adriatik”, një ditë i thotë rreshterit, që një natë t’i çonte në shtëpinë e kapitenit një vajzë imorale të quajtur Meleqe K., e cila ishte e internuar në Elbasan. Këtë detyrë rreshteri e mori përsipër ta kryente, mirëpo mbasi nuk e dinte shtëpinë e kapitenit, i thotë kapter Sefer B. se kërkonte shtëpinë e kapiten Qatipit me qëllim që t’i çonte Meleqe K., mbasi e kishte porositur vetë. Kapteri merr pjesë në këtë veprim dhe qysh atëherë ata bashkëpunuan si grup për qëllime imoraliteti.
Raste konkrete të veprimtarisë imorale që kanë kryer si grup janë:
1 Në hotel “Adriatik” jetonin dy vajza, të cilat janë nga Dibra e Madhe dhe janë internuar nga Tirana; njëra nga këto quhet Meleqe K. Atë, në muajin korrik 1957 e kanë marrë dy nënoficerët dhe ia kanë çuar në shtëpi kapiten Qatipit, sipas porosisë që u kishte bërë. Kapiten Qatipi e ka mbajtur disa herë rresht në shtëpi prej orës 20:00 deri në orën 3 pas mesnate, ndërkohë që në këtë periudhë ai gruan e kishte dërguar në fshat për një kohë të gjatë.
2 Në muajin qershor 1957, kapter Seferi dhe rreshter Parjoni i kanë çuar në shtëpi Qatipit një femër imorale që kish ardhur nga Kavaja, të cilën në fillim e përdorën vet dhe pastaj e çuan në shtëpinë e kapiten Qatipit pse i kishte urdhëruar për këtë gjë. Kjo femër, me ndërmjetësinë e Qatipit, është strehuar në dyqanin e këpucarit Hysen V. ku edhe atje e kanë përdorur në grup, mbasi ka pasur një vend të maskuar në dyqan.
3 Në muajin korrik 1957, kapiten Qatipi ka marrë një vajzë imorale (minoritare) e quajtur Fotini nga Gjirokastra, me të cilën ka pasur lidhje edhe më përpara dhe së bashku me kushëririn e tij, Nevruz B., e çojnë nga rruga e trenit dhe aty bëjnë aktin. Një herë tjetër po këtë femër e kanë thirrur në zyrë me pretekstin për t’i kontrolluar dokumentet, ku kanë mbajtur gjoja njëfarë procesverbali dhe pastaj e kanë nxjerrë jashtë dhe në afërsi të Degës së Brendshme, Qatipi dhe Nevruzi kanë kryer marrëdhënie seksuale me të.
4 Në muajin gusht 1957, kapiten Qatipi bashkë me Seferin, Parjonin dhe tetar Bektashin, kanë marrë një vajzë që vinte nga Lushnja të quajtur Xhemile S. dhe e kanë çuar në orën 10 të mbrëmjes në hotel “Adriatik”, mbasi ishin marrë vesh më para me sportelistin Osman C. Aty kanë kryer marrëdhënie në grup. Vajzën e ka përdorur edhe sportelisti Osman C. Në këtë marrëdhënie grupi ka ftuar edhe rreshter Ramazan Gj.
5 Për disa herë rresht, kapiten Qatipi së bashku me dy kapterët, ka shkuar në Fushë Mbret me qëllim që të shfrytë zonin të quajturën Zejmene C.
Me preteksin për t’i kontrolluar pasaportizimin, shkuan ta merrnin vajzën me vete. Mirëpo prindërit e saj nuk e lanë. Në një rast tjetër, Qatipi ka marrë me vete Seferin dhe ka shkaur prap tek ajo vajza në Fushë Mbret, por edhe kësaj radhe nuk ia mbërriti dot qëllimit. Mbas kësaj kohe, kapiten Qatipi u afrua me kapter Qerim G., përgjegjës roje në Kombinatin e Drurit “Nako Spiro”. Këtu ka shkuar disa herë dhe i kërkonte Qerimit t’i sillte vajza nga Kombinati në zyrën e Postës së Policisë.
6 Në fillim Qerimi i ka prurë në zyrën e Postës të quajturën Fatime B., punëtore në kombinat. Në këtë rast, Qatipi asaj i ka bërë presion, duke e provokuar mbi të dashurin që kishte. Më në fund e ka kapur nga dora dhe nga gjiri, por mbasi ajo nuk e ka pranuar, ai nuk arriti të realizojë dëshirën e tij. Po me këtë femër ka tentuar edhe në dy raste të tjera.
7 Në muajin dhjetor 1957, rreth orës 23:00, me anën e Qerimit, është thirrur në Postën e kombinatit Antoneta M., punëtore në këtë kombinat, nën pretekstin e kontrollit të dokumenteve, duke e mbajtur rreth një orë brenda në zyrë dhe pastaj e ka shoqëruar vetëm Qatipi për në qytet. Gjithë rrugës e ka kapur për krahu dhe i ka propozuar për ta shfrytëzuar, por ajo nuk e ka pranuar.
8 Aty nga muaji tetor 1957, kapiten Qatipi, Simon B., kryetar i lokalitetit të qytetit dhe kapter Qerimi, kanë shkuar në FushëMbret, kanë marrë të quajturën Zejmene C. me të cilën kanë kryer nevojat seksuale që të tre në një kohë.
9 Në datën 9 shkurt 1958, kapter Seferi, duke qenë me shërbim postë roje në stacionin e trenit, takon një femër, të quajturën Mariana H. nga Vlora, të cilën e kishte dërguar oficeri i rojës i drejtorisë për të hipur në tren, mbasi nuk kishte lekë dhe njëkohësisht për ta larguar nga qyteti. Seferi, në bashkëpunim me kapter Hysen H. bie në marrëveshje me një nëpunës të stacionit të trenit dhe e mbyllin brenda në një dhomë për dy orë rresht.
Më vonë e marrin e çojnë në ullishte dhe aty kryejnë përsëri nevojat seksuale të dy bashkë me një civil. Kapiten Qatipi që është iniciator i kësaj veprimtarie ka përdorur si taktikë zgjedhjen e dy nënoficerëve të dhënë pas qejfeve dhe imoralitetit. Njërin nga këta (kapter Seferin) e dërgonte vazhdimisht si postë roje në stacionin e trenit, me qëllim që porsa të diktonte vajza imorale, t’i merrte dhe të njoftonte menjëherë kapiten Qatipin. Ndërsa Parjonin e caktonte postroje në qytet po me këtë detyrë. Po kështu edhe kapter Qerimi i është bindur verbërisht kapiten Qatipit, duke i prurë femra për qëllime imoraliteti. Në veprimtarinë e tyre për imoralitet, ky grup ka përdorur edhe metoda që shkelin ligjshmërinë, siç janë:
1 Shumë nga këto femra i kanë thirrur në zyrë me pretekst të punës, por i kanë përdorur seksualisht.
2 Kanë thirrur në zyrë Meleqe K. së bashku me të dashurin e saj Tomorr Xh. Meleqen e kanë marrë me vete për nevoja seksuale, ndërsa Tomorr Xh. e kanë ndaluar për 24 orë në polici.
3 Kanë thirrur një vajzë nga Kavaja, duke i thënë eja se të kërkojnë në zyrën e drejtorisë dhe në fakt e kanë shpurë në dyqanin e këpucarit privat që e kishin bazën e tyre dhe aty e kanë përdhunar në grup.
4 Janë thirrur pa asnjë arsye dy vajza (Fatimja dhe Antoneta) në orët e vona të mbrëmjes në Postën e Policisë së Kombinatit të Drurit nga kapiten Qatipi nëpërmjet kapter Qerimit dhe me to kanë bërë aktin e turpshëm.
5 Është ndaluar padrejtësisht brigadier Jonuz T. rreth 6 orë nga Posta e Policisë e Kombinatit me urdhër të kapiten Qatipit, pse në çështjen e thirrjes së Antonetës në orët e vona të mbrëmjes, Jonuzi ka thënë, që mbasi ta çnderoni Antonetën, ma jepni edhe mua.
6 Në kundërshtim me platformën e Sigurimit, kapiten Qatipi për disa herë rresht ka thirrur vajza imorale vetëm në zyrë dhe në çdo rast i ka provokuar për të dashurit e tyre, me qëllim që t’i komprometonte dhe së fundi t’i bindeshin për t’iu nënshtruar atij. Nga ana e komandës u mor masa disiplinore 10 ditë arrest të rëndë për kapter Sefer B. dhe rreshter Parjon Z. Kryetari i Degës Politike Gani Goxhi. / Gazeta Panorama