Home KRYESORE Shqiperia sot, tregtia e rigonit përballë asaj të hashashit!

Shqiperia sot, tregtia e rigonit përballë asaj të hashashit!

Nga Nikollaq Neranxi*

Në këtë periudhë, Kompania “Neranxi” merret me grumbullimin e rigonit në Shqipëri, si një nga erëzat që tregtojmë. Këtë herë individët e ngarkuar nga Kompania për këtë punë, u kthyen duarbosh. Pyetjes se sa rigon keni bërë sivjet, kultivuesit i ishin përgjigjur me një të qeshur të gjatë, që nuk mbaronte kurrë.

– “Ju qenkeni mbrapa botës o njerëz! Po kush mbjell më rigon o të uruar, kemi cfarë të mbjellim tani!” – ishte përgjigja që na dhanë të gjithë. Si përfundim, pas 25 vitesh grumbullim dhe përpunim të erëzave, Kompania detyrohet për herë të parë të importojë rigon, sepse shqiptarët i kanë hyrë një tjetër “sporti”.

Vendosa ta ndaj me ju këtë eksperiencë, tani që pashë edhe videon e gazetarit investigativ Artan Hoxha, mes plantacioneve të hashashit.

Ai thotë se ka përgatitur një seri emisionesh ku dëshmohet se Shqipëria është e mbytur në hashash. Dhe ndërsa ndonjë dritëshkurtër mund t’i gëzohet faktit që të paktën janë punësuar ca fshatarë, unë ju them se ky është pikërisht fundi, shteti nuk ka shanse të degradohet më keq se kaq!

Është mbjellë cdo metër katror tokë me një bimë e cila ndalohet me ligj, nga e cila përfitojnë kryesisht njerëzit e veshur me pushtet dhe krimi, është një biznes i cili nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli si aktivitet fitimprurës dhe paratë që gjenerohen prej saj prishin rregullat e ekonomisë së tregut, të politikës, të drejtësisë dhe cdo hallke tjetër në këtë vend.

Pasi shohim këto pamje, më thoni ju mua, cfarë morali kanë institucionet e këtij vendi të droguar që të vijnë të na kërkojë llogari ne sipërmarrësve që e kemi bërë cdo qindarkë me djersë e me gjak, nëse i presim faturat tatimore dhe a i paguajmë taksat edhe kur ata i 100 fishojnë madje!

E ndërsa kanabis tashmë është korrur e shitur dhe të paprekshmit kanë palosur paratë, unë jam pak i zënë duke gjetur furnitorë të huaj që të importoj rigon. Nuk iu a kam zili, më besoni! E dashuroj punën që bëj dhe mënyrën se si e bëj, por urrej padrejtësitë dhe reagoj sa mundem!

Sa mirë do ishte të reagonim të gjithë pak më shumë!

*Autori eshte Presidenti i Kompanise te sukseshme Neranxi, Kryetar i Shoqates per Mbrojtjen e Tregetareve dhe Tregut Shqiptar dhe ish deputet i Kuvendit.

Share: