NGA JETMIR OLLDASHI*
Një ngjarje e rëndë me katër të vdekur brenda Spitalit Amerikan solli edhe një herë në vëmendjen e publikut koncesionet 100 milionë euroshe të ndërmarra nga ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryerilindësi, kryeministri Rama. Kur skandali u shpërnda në media u duk se do të shkaktonte një furtunë të fortë në qeverisje, por asgjë nuk ndodhi.
Drejtuesit e Spitalit Amerikan, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, ja dolën që nëpërmjet kulaçit dhe kërrbaçit t’i shuajnë zërat kritikë brenda një kohe të shkurtër. Befas, 100 milionë euro nga buxheti i shqiptarëve, nuk përbënin interes publik as për median, as për shoqërinë civile, as për Prokurorinë e Përgjithshme, madje as për opozitën politike. Drejtuesit e Spitalit Amerikan ja dolën mbanë që një konçension skandaloz të fashitej nga minutat dhe faqet e mediave në shqipëri.
Si çdo punë e zezë e cila bëhet natën për të mbuluar të vërtetën edhe kjo do të plaste një ditë. Prej kohësh pacientët kanë çuar foto dhe ankesa në media lidhur me gjendjen e mjeruar dramatike dhe arrogante më të cilën trajtoheshin në Spitalin Amerikan. Kërkesave të mediave për informacion ky spital ose i injoronte, ose i blente me kulaçin e reklamave, ose i kërcënonte si disa kolegë të gazetës “Shëndeti” me gjyq. Se si mund të të padisin në gjykatë kur denoncon afera kriminale dhe korruptive të cilat marrin jetë njerëzish, këtë kurajë me siguri e kanë vetëm ata që ija kanë dalë ta blejnë sistemin e drejtësisë në këtë vend.
Ngjarja e fundit i nxori cullak të gjithë. Edhe kryerilindësin, kryeministrin Edi Rama, që këto marrëveshje me lekët e shqiptarëve i quan PPP dhe një formë moderne e manaxhimit të sistemit shëndetësor dhe krekoset si gjeli majë plehut për reformat e tij imagjinare, pasi për qytetarët asgjë nuk ka ndryshuar për mirë.
Ngjarja e fundit nxori cullak edhe ministrin e rilindur Ilir Beqaj i cili iu dërgon mesazhe në celular njerëzve për t’i pyetur për gjendjen në spitale disa muaj pas vdekjes së tyre. Katër të vdekurit nxorën cullak dhe drejtuesit e Spitalit Amerikan të cilët me 100 milion euro të garantuara nga buxheti i shqiptarëve, nga xhepat e çdo fukarai dhe çdo shqiptari, nuk arritën të ndërtonin një sistem ose mekanizëm të sigurtë mbrojtjeje për këta pacientë të cilët çdo ditë dhe çdo orë u duhet të luftojnë me vdekjen.
Gjasat janë që shpërndarja e aq shumë ryshfeteve poshtë e lartë për ta përfituar këtë shërbim dhe për të mbyllur gojët kritike ka bërë që të mos investohet në thelb, por në fasadë.
Ka disa pyetje të thjeshta që prokuroria do duhet t’ua bëjë drejtuesve të Spitalit Amerikan (i cili vetëm emrin ka të tillë se shërbimin e ka më keq se spitalet publike rajonale).
Dihet që gjendja e të sëmurëve me dializë është depresive, por a ofron shërbim psikologu ky spital për këta pacientë?
Sa janë orët që pacientët presin në radhë të gjata për të kryer shërbimin e hemodializës të paguara me para të buxhetit të shqiptarëve?
A duhet në fakt të presin në radhë këta njerëz?
A ka një sistem apo një grafikë e cila iu shërben pacientëve për të marrë shërbimin?
A duhet të ketë spitali një sistem modern për fikjen e zjarrit që e kanë edhe biznese të zakonshme si hotelet, zyrat, baret etj.?
A e ka Spitali Amerikan këtë sistem për fikjen e zjarrit?
Edhe një pyetje të fundit: Sa dhe kujt i ka paguar ryshfet për të përfituar 100 milionë euro të buxhetit të shqiptarëve ndërkohë që pacientët i trajton si skllevër duke i kërcënuar deri edhe me moskryerjen e shërbimit aq të nevojshëm për mbijetesën e tyre?
Prokuroria ka për detyrë t’i thërrasë të gjithë, duke filluar nga Rama, Beqaj dhe Allajbeu. Secili të shkojë në vendin që i takon. Nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk e bën dot, atëherë një prokuror duhet ta bëjë, të dalë publikisht dhe të ngrejë akuza, ndryshe asnjë nuk meriton të rrijë më në sistem.
Shqiptarët duhet të shohin se cfarë palaçosh zgjedhin për t’i drejtuar sa herë që ka zgjedhje dhe të mos shpenzojnë lekët e tyre nëpër spitale e universitete që vetëm emrat kanë perëndimore dhe sjelljen e kanë si të qoftëlargut. (Boldnews.al)