Home KRYESORE Dritan Hila Artan Lames: NDJESA NUK MJAFTON PËR FAJET!

Dritan Hila Artan Lames: NDJESA NUK MJAFTON PËR FAJET!

Nga Dritan Hila

Sot, pasi edhe guri i fundit i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” puthi tokën, Artan Lame, një ndër ish eksponentët e shoqatës “Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, kishte bërë një postim në FB me foton e dikurshme të stadiumit dhe shprehjen lakonike “Ndjesë”.

Shoqata është e njohur për shqiptarët, kur çonte zërin për prishjen e gardhit të Pallatit të Brigadave, apo një shatrivani prej allçie tek parlamenti, dhe së fundmi për heqjen e ligustrave tek presidenca. Shumica e tyre, janë shokë e miq të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij. Janë në poste shtetërore, dhe njëkohësisht bëjnë edhe shoqërinë civile, një fakt ky i padëgjuar as në Rusinë e Putinit. Por gjithësesi, “Ndjesa” e sotme nuk ka asnjë vlerë. Ndjesë thuhet kur shkel këmbën e dikujt, kur e shan në momente gjaknxehtësie, ose e godet pa dashje. Ndjesa nuk ka vlerë, pasi bëhet një krim. Dhe krimi është shkatërrimi i kompleksit urbanistik, i vetmi bashkë me atë të ministrive që e bën Tiranën të dallueshme nga një fjetore. Çdo shpjegim profesional dhe normal sot është i pamundur. Kryeministri ka uzurpuar shoqërinë civile dhe hedhur në ofensivë turmat. Por ky është vetëm fillimi i të keqes.

Nëse për shkatërrimin e “Qemal Stafës” mund të jetë shpresa vetëm tek drejtësia, një ambjent tjetër po i nënshtrohet degradimit. Bëhet fjalë përt sheshin “Nënë Tereza”. Në këtë rast, meqënëse opinioni reagoi në mënyrë kolerike ndaj projektit të famshëm të Ramës për “Hyjen e integruar të liqenit” të prezantuar menjëherë pas fitores së delfinit të tij Veliaj, Rama po ndjek një strategji tjetër, atë të degradimit. Ndjekësi i tij pa gjak e fytyrë, kryetari i bashkisë së Tiranës Veliaj, ka kohë që e ka filluar këtë procedurë. Herë me sebepin e Vitit të Ri, pastaj Kampionatit Evropian dhe tani së fundmi me justifikimin absurd që “meqënëse ka kryeqytetas që nuk shkojnë në plazh, po sjellim plazhin në Tiranë”, ngre një herë qebaptore, një herë birrari dhe tani fusha me rërë, e shoqëruar gjithmonë me disa karuselë tejet të amortizuara fëmijësh, grupmoshë që Veliaj i nxjerr përpara në çdo eveniment. Nuk do jetë e largët dita që ky kompleks të degradojë. Dhe atëhere kryeministri nëpërmjet fotografive do të tregojë se si është, dhe pastaj me pamje 3D do të na tregojë sesi do të bëhet.

Ndërkohë disa sinjale kanë ardhur nga rikonstruksioni i fundit i kryeministrisë. Si rastësisht, disa njerëz të oborrit të Ramës, sinjalizuan se ndërtesa është prej betoni i cili nuk ka jetëgjatësi më të madhe se 100 vjet. Por këtë askush nuk e ka garantuar, vazhdonte arsyetimi i tyre, ndaj nuk do të jetë çudi që të mbarojë më përpara afati i përdorimit të sigurtë. Jo vetëm kaq. Pas rikonstruktimit të disa lodrave plastike që gjenden në krah të presidencës, Veliaj kërkoi edhe heqjen e gardhit të saj në mënyrë që të lozin fëmijët. Kjo do të shqetësonte çdo shtet serioz dhe do të turpëronte çdo njeri që do ta nxirrte nga goja. As në kohërat më të errëta të revolucioneve fshatare nuk ka ndodhur shkatërrimi i selive të institucioneve përfaqësuese. Por qëllimi është degradimi i këtyre hapësirave dhe kthimi në sheshe potenciale ndërtimi për oligarkun më të madh të vendit që është edhe kryeministër i tij.
Pas kësaj, dhe duke parë mospërfilljen e procedurave dhe ligjit që ka shefi i vendit, e vetmja zgjidhje është politike. Në fakt e deklaroi edhe vetë Rama në një nga përplasjet e tij me kundërshtarët e masakrës së Tiranës, kur ju tha që “merrni votat nëse doni të kundërshtoni projektet e mia”. Kjo është e vetmja rrugë për t’u ndaluar, nëse nuk duam që të vetmen gjë që do të trashëgojë ky vend të jenë parafabrikatet e Spiro Kolekës dhe nipit të tij. Ku daja, pa dyshim mbetet qartësish superior moralisht ndaj nipit të tij. Të paktën ai besonte diku dhe nuk ishte një gjuetar përqindjesh./dritare.net

Share: