Home KRYESORE E afërmja e ministres së Kulturës çoi në gjyq Ilir Kernin

E afërmja e ministres së Kulturës çoi në gjyq Ilir Kernin

A është një e afërme e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, shkaku i dorëheqjes së drejtorit të TKOB-së, Ilir Kerni?

Një padi gjyqësore, siguruar nga televizioni “Ora news”, mund të hedhë dritë mbi marrëdhëniet e ngrira mes drejtorit Ilir Kerni dhe drejtoreshës artistike, Abigeil Voshtina. Marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë aspak e mirë dhe këtë e pranojnë shumica e artistëve të TKOB-së. Madje, për të zgjidhur këtë marrëdhënie konfliktuale, palët kanë përfunduar në gjyq.

Më 25 maj 2016, Gjykata Administrative në Tiranë, merr në shqyrtim padinë e shtetases Abigeil Voshtina, 41 vjeçe, e përfaqësuar në seancë nga avokati Emiljano Gjika, ndërsa pala e paditur, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, përfaqësohej nga Migena Biba. E paditur gjithashtu ishte edhe Avokatura e Shtetit, zyra vendore në Tiranë, përfaqësuesi i të cilës mungonte.

Objekt i seancës gjyqësore ishte konstatimi i pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, urdhri i Titullarit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nr.60, datë 22.02.2016. Nga ana e paditëses Voshtina u kërkua pavlefshmëria e urdhrit të drejtorit për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” me arsyetimin se në dhënien e kësaj mase disiplinore nuk është zbatuar procedura e parashikuar në nenin 21 të statutit të TKOB-së. Në vendimin e datës 25 maj gjykata vendosi që të rrëzojë padinë e paraqitur nga Voshtina si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Dorëheqja

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Ilir Kerni, në datë 22 korrik do të postonte në faqen e tij, në “Facebook”, një status, në të cilin do të faktonte me shifra një pjesë të punës që kishte realizuar gjatë drejtimit të TKOBAP-së, në 28 muaj. Teksa shkruan se, nuk i ka dashur asnjëherë gjërat e bujshme shënon se: “Vetëm në 28 muaj punë për të transformuar gjithçka, me punë, punë dhe vetëm punë, me buxhetin më të ulët historik, shpenzimi mesatar për një shfaqje nuk i kalon 600 euro, pra mund të hyjmë në rekordet Gines”. Më tej, Kerni shton se buxhetit të shtetit i janë kthyer 200 milionë lekë nga biletat, megjithatë shpenzimi del edhe më i ulët. Këtë periudhë Kerni e cilëson, si kohën e pasionit, përkushtimit, shpresës dhe idealit të pastër për Operën e vetme në trojet shqiptare”, duke falënderuar të gjithë stafin e institucionit dhe artistët shqiptarë, të cilët gjatë këtyre 3 vjetëve janë kthyer, si asnjëherë në teatrin e tyre. Por çfarë ndodhi më tej? Vetëm pas një jave (29 korrik 2016) në rrjetet sociale bëhet publike se; Ilir Kerni ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues.

Peticioni i artistëve

Ndërsa vetëm para dy ditësh (1 gusht 2016) 80 për qind e artistëve të TKOBAP-së lënë pushimet për të firmosur një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet të cilit, i bëjnë thirrje ndër të tjera, që të mos thyejë Ilir Kernin. “Ne artistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me përulësinë e artistit, ju kërkojmë të mos firmosni kërkesën për dorëheqje të drejtorit tonë, Ilir Kerni. Vazhdimësia e tij është garancia e punës së artistëve në të ardhmen. Kjo garanci e bën edhe punën tuaj më të lehtë për të luftuar hatëret, nepotizmin dhe padrejtësinë që ngërthen kudo, por që me figura të pastra si Ilir Kerni, të cilat janë aq të munguara në habitatin tonë, dhe si ishuj të vetmuar në ujërat e ndenjura të shoqërisë, dhurojnë shpresën që e ardhmja do jetë e ndryshme dhe më e mirë”.

Artistët më tej i luten kryeministrit, që ta pranojë kërkesën e tyre, në mënyrë që t’i kthehet shpresa atyre dhe shoqërisë shqiptare, në këto momente të vështira, ku gjithmonë “e keqja” triumfon.

Reagimi i Ministrisë së Kulturës

Nëpërmjet një reagimi për mediet, fill pas peticionit të artistëve (1 gusht 2016) reagoi edhe zyra për shtyp e Ministrisë së Kulturës, ku ndër të tjera shkruante se, drejtori i përgjithshëm i TKOBAP-së Ilir Kerni paraqiti të premten kërkesën për dorëheqje nga detyra. Prandaj, Ministria e Kulturës e konsideron këtë dorëheqje, si një akt individual vullnetar dhe si të tillë nuk mund ta komentojë.

Mbështetja e artistëve për Kernin

Në rrjetet sociale, për dorëheqjen e Ilir Kernit, arsyet e së cilës nuk janë bërë publike, kanë reaguar edhe shumë artistë shqiptarë dhe jo vetëm, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Lindita Kaimi, Nikolin Gurakuqi, Linda Kazani, Simixhiu, Lindita Kaimi, Noorman Ëidjaja etj. Të gjithë këta artistë mbështesin dhe vlerësojnë me nota të larta punën e bërë gjatë tre vjetëve në opera, nën drejtimin e artistit Ilir Kerni. Sot pritet që gjatë mbledhjes së Qeverisë të merret vendimi përfundimtar rreth dorëheqjes së Ilir Kernit./shekulli.com.al

Share: