Konsensusi për draftin kushtetues u arrit me vështirësi me socialistët dhe në Partinë Demokratike kanë nisut të përfliten dy deputetët që deklaruan votën pro, para marrëveshjes. Genc Pollo interpretoi qëndrimin e Fatmir Xhafës gjatë negociatave, kur deputetët Eduart Selami dhe Majlinda Bregu jepnin deklarata publike për votën pro draftit kushtetues. Sipas Pollos, qëndrimi i tyre e dobësoi Partinë Demokratike përballë socialistëve.
“Çdo betejë ka kosto, pavarësisht se mbyllet me fitore a disfatë. Për fatin e mirë të PD-së e të shtetit ligjor, kjo betejë u mbyll me fitore. Ndërsa deklarimi publik i votës pro reformës pikërisht në momente kritike të vendimmarrjes, mendoj se i dobësoi pozitat e negociatorëve të PD-së e deputetëve të opozitës në komision. Z. Xhafaj, në anën tjetër të tryezës, e kishte kollaj t’u thoshte mos na kërkoni kaq shumë, se dy-tri vota i morëm e tri-katër do t’i marrim dhe e miratojmë edhe pa ju. Fatmirësisht, siç e dimë tashmë, në fundore nuk e dhanë këtë efekt negativ”, tha Pollo për “Panoramën”.
Pollo komenton edhe rolin e ndërkombëtarëve në proces dhe mesazhet e përcjella nga Ambasada e SHBA-ve për deputetët e Kuvendit.
Deputeti demokrat i cilëson si të papranueshme mesazhet që ambasada nisi për deputetët, duke theksuar se masat për të cilat flitej në ato tekste janë të rezervuara për terroristët dhe kriminelët./Lapsi.al