Home KRYESORE I arrestuari për sulmin me bombë ndaj Kuvendit, është zyrtar i lartë...

I arrestuari për sulmin me bombë ndaj Kuvendit, është zyrtar i lartë i VV’së

Petrit Ademi, njëri prej të arrestuarve për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës ishte punësuar në Komunën e Prishtinës nëntë muaj pasi që Vetëvendosje e kishte marrë pushtetin komunal.

Javën e kaluar Gazeta Express ka publikuar gjithsej 28 emrat e militantëve të VV’së të punësuar në Komunën e Shpend Ahmetit.

Petrit Ademi është njëri nga të dyshuarit për sulmin me bombë, i cili ndodhi më 4 gusht, ndaj Kuvendit të Kosovës. Dyshohet se Vetëvendosje provoi t’ia lërë fajin për këto sulme një grupacioni tash për tash fantazmagorik, i quajtur, “Rugovasit”. Nga një adresë email me këtë emër janë shpërndarë emaile pas çdo sulmi, duke marrë përgjegjësinë. Kështu ndodhi pra pas sulmit në Kuvendin e Kosovës, në shtëpinë e Murat Mehës, kryetar Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare, si dhe së fundmi dy sulmet ndaj RTK’së, të kryera në ndërtesën e RTK’së dhe në shtëpinë e Drejtorit të saj, Mentor Shalës. Këto emaile kanë mbërritur edhe në redaksinë e Gazetës Express.

Në atë kontratë për marrëdhënie pune në Komunën e Prishtinës, shkruan se Petrit Ademi është punësuar në kuadër të Drejtorisë së Financave dhe Pronës në vitin 2014. Titulli i pozitës së tij është Zyrtar i lartë për çështje pronësore-juridike.

Kontrata e punës së tij në komunë filloi më 17 shtator 2014 dhe mbaron më 16 shtator 2017.

Sot janë arrestuar gjithsej gjashtë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje: Petrit Ademi, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Astrit Dehari dhe Atdhe Arifi.

Sipas Prokurorit Islami, arrestimi i tyre ka ardhur pas shumë veprimeve ligjore, përfshirë këtu edhe përgjimin e telefonatave të aktivistëve që nga nata e sulmit.

Gjatë bastisjes në vendbanimet e tyre, Policia e Kosovës ka gjetur armë zjarri, pushkë automatike e municion./GazetaExpress/

Share: