Home KRYESORE Inteligjenca amerikane: Ja lufta e re në Ballkan

Inteligjenca amerikane: Ja lufta e re në Ballkan

Sërish Ballkani është në qendër të vëmendjes botërore. Pas një periudhe të qetë, tensionet janë shtuar ndjeshëm në rajon.

Agjencia e inteligjencës amerikane, Stratfor, thekson se tashmë beteja në Ballkan është kryesisht me natyrë ekonomike.

Në këtë betejë janë përfshirë Rusia, Turqia dhe Perëndimi.

“Por Rusia, Turqia dhe Perëndimi kanë një rival të vetëm në Ballkan: Destabilitetin politik”.

“Ky rajon është kthyer në arenë përplasjeje mes Rusisë dhe Perëndimit, që po tentojnë të blejnë influencë me investime dhe projekte energjetike”.

Zyrtarë të lartë rus, turq dhe amerikanë kanë nisur turet e tyre në mbarë Ballkanin.

“Qeveritë perëndimore kanë dy qëllime madhore në Ballkan: të ruajnë stabilitetin në pjesën perëndimore të rajonit dhe të minimizojnë influencën ruse”.

Stratfor thekson se Maqedonia dhe Serbia nuk kanë shans të anëtarësohen në BE edhe për një dekadë, edhe pse marrin fonde nga BE.

“Edhe pse Perëndimi ka më shumë burime për të investuar në Ballkan, Rusia ka në pronësi disa asete të rëndësishme energjetike dhe ka disa kredi të dhëna qeverive ballkanike. Moska ka arritur të ruajë po ashtu marrëdhënie të mira me disa oligarkë”.

Stratfor po ashtu thekson betejën e gazsjellësve me Maqedoninë që kërkon të jetë pjesë e gazsjellësit rus dhe Shqipërinë si aleate amerikane, që mbështet gazsjellësin TAP.

Duke folur për zhvillimet në Kumanovë, agjencia shkruan se koha e operacionit ka bërë që shumë të besojnë se ishte politikisht i motivuar.

Sipas Stratfor, në Shkup është në drejtim një qeveri, që nuk ka besimin e njerëzve. Por meqë është në lojë kaq shumë gjeopolitikisht, Ministria e Jashtme e Rusisë ka dalë në krah të qeverisë së Nikolla Gruevskit.

“Rivalitetet gjeopolitike dhe konfliktet lokale në rajon kanë formuar historikisht një kombinim shpërthyes, duke nxitur konflikte ushtarake si Lufta e Parë Botërore dhe disa luftëra të tjera në Ballkan. Sot, një konkurrencë më e nuancuar po zhvillohet, me fuqitë e mëdha që përdorin ndikimin ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe mbështetjen politike për të çuar përpara qëllimet e tyre në rajon.

Konflikti në Maqedoni dhe potenciali që ka për të dëmtuar planet e Rusisë në rajon- mishëron problemet që fuqitë e huaja gjejnë në Ballkan. Ndërsa Perëndimi, Rusia dhe Turqia janë të etura për të pompuar kapital në rajon, qeveritë e dobëta do të vazhdojnë balancimin mes fuqive të jashtme”, mbyllet analiza.

Share: