Home KRYESORE Ja kartela klinike e 30-vjeçarit që masakroi fëmijën në Vlorë

Ja kartela klinike e 30-vjeçarit që masakroi fëmijën në Vlorë

Jorgos Zani, 31-vjeçari i cili masakroi të mërkurën në Palasë një 12-vjeçar, ka dalë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës pasi babai i tij, Petro Zani mori përsipër përgjegjësinë për kujdesin ndaj tij.

Top Channel ka siguruar kartelën mjekësore të Zanit, në të cilën përshkruhet e gjithë sjellja e tij, që nga momenti i mbërritjes në Spital e deri në largimin, më 5 nëntor 2015. Në Epikrizën e Daljes, thuhet se gjatë qëndrimit në Spital ai ka patur përmirësime dhe se i këshillohet mjekim ambulator në shtëpi. Diagnoza përfundimtare është “çrregullime personaliteti si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike”. Drejtori i Spitalit, Kujtim Llapi, konfirmon se pas mjekimit të marrë, ka qenë i ati ai që e ka nxjerrë nga spitali 30-vjeçarin.

“Pacienti është mjekuar deri më datë 5 nëntor 2015. Më mbrapa, pasi është njoftuar dhe i ati, është qetësuar dhe është dominuar nga mjekimi i vendosur nga spitali dhe në datën 5 ka dalë. Ka firmosur dhe i ati kartelën, sipas të gjitha procedurave”, thotë Kujtim Llapi, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë. Por i pyetur sesi mund të lihet i lirë një person i cili shfaq rrezikshmëri me sjelljen e tij, Llapi ka shpjeguar.

“Detyra jonë është që të japim mjekimin derisa të vendosë konsulta që pacienti është në rregull. Ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin 44/2012 për shëndetin mendorë dhe të gjithë pacientët kanë të drejtat njësoj si dhe ne që jemi normalë. Nëse pacienti thotë do të dal, je i detyruar ta lësh të dalë. Nëse firmos familjari, je i detyruar ta lësh. Jepen rekomandimet e nevojshme që të vazhdojë mjekimin atje ku do të shkojë”, thotë Llapi.

Në Kartelën Mjekësore të Jorgo Zanit, shkruhet se kanë qenë banorët e zonës ata të cilët janë ankuar për sjellen e tij duke njoftuar dhe policinë. Ka qenë pikërisht një oficer police dhe një infermiere, ata që kanë e dërguar atë në spitalin “Ali Mihali” në Vlorë. Në rubrikën “Arsyet e ardhjes në Klinike”, shkruhet se Zani shfaqte sjellje konfrontuese edhe me fëmijët e lagjes, madje deri në sjellje kanibaliste ku therte dhe qentë dhe kafshët e punës, për t’u ushqyer me mëlçinë e tyre. T.CH

Share: