Nga Andrea Stefani
Debati për luftën do të ngecë në hullitë e propagandës dhe historiografisë së vjetër nëse kriter vlerësimi për ngjarjet historike nuk do të merret liria e njeriut. Pyetja që duhet shtruar gjatë vëzhgimit të historisë është: Si kanë ndikuar ngjarjet në ngjizjen apo shtypjen e kësaj lirie? Nëse vazhdohet të neglizhohet liria e njeriut në favor të lirisë së kombit kjo do të jetë, sikundër edhe ka qenë përherë, justifikimi i shtypjes, diktaturave, diktatorëve. Dallimi mes Europës dhe Ballkanit këmbëngul në mendësinë si trajtohet ky raport. Në Europë ka kohë që në qendër është vënë liria e njeriut ndërkohë që liria kombëtare ka kaluar në plan të dytë. Projekti i BE nuk është gjë tjetër veçse tejkalimi i barrierave dhe urrejtjeve nacionaliste në funksion të lirisë së njeriut. Ky është projekti, pavarësisht sfidave që po ndesh ai këto kohë.
Ndërkaq, në Ballkan këmbëngulet që kombi të prevalojë mbi njeriun. Flitet për lirinë e kombit si për një diçka që mund të ekzistojë edhe kur njerëzit janë të robëruar. Liria kombëtare është përdorur për të justifikuar shtypjen e njeriut. Nuk kuptohet që nuk mund te ketë liri kombëtare me njerëz të sunduar. Njerëz të lirë, komb i lirë, njerëz të nënshtruar, komb i nënshtruar!
Ndarja artificiale e lirisë së njeriut nga liria kombëtare, edhe në debatin për luftën, është themeli i spekulimeve që këmbëngulin të na e paraqesin diktaturën enveriste si liri. Dhe ta revokojnë si model që duhet ndjekur. Nuk është problem vetëm i së shkuarës por mbi të gjitha, i së ardhmes në këto kohë sfidash kur edhe Europa është në udhëkryq.
Enver Hoxha, i këshilluar nga Miladin Popoviçi dhe përgjithësisht nga eksperienca titiste, e shndërroi luftën për çlirim kombëtar në një fazë të revolucionit bolshevik për marrjen e pushtetit dhe vendosjen e një diktature. Kjo është linja historike që argumentoj unë. Duke bërë këtë, ai abuzoi me gjakun e të rënëve, me sakrificat dhe heroizmin partizan. Sepse partizanët nuk dolën malit për të themeluar një diktaturë por për vdekjen e diktaturës fashiste. Ata luftuan për “Liri Popullit” që nuk ka asnjë kuptim real, por mbetet një slogan abstrakt pa vlerë, nëse njerëzit që e kompozojnë këtë “popull” nuk janë të lirë. Të tillë nuk mund të jenë popull por një turmë të nënshtruarish. Dhe të tillë kemi qenë ne shqiptarët për 45 vjet dhe mjerisht vazhdojmë të jemi.
Udhëheqja enveriste duke devijuar kontributet partizane dhe patriotike drejt një revolucioni bolshevik, bëri që ato të shërbejnë jo si themel i një sistemi me liri, por i një sundimi diktatorial! Që pas lufte nuk erdhi liria por sundimi, ky është fakt. Por në vetvete kontributet partizane mbeten të panjollosura, një shembull klasik i patriotizmit dhe dashurisë deri në sakrificë sublime për çlirimin e Atdheut që nuk mund të jetë i lirë pa lirinë edhe të çdo individi! Prandaj janë një akt sublim edhe për lirinë e njeriut.
Duke mbështetur këtë pikëpamje, ndërhyra në debatin për luftën pikërisht për të kontribuar në ndarjen e heroizmit partizan nga diktatura dhe diktatori. Tentova të ritheksoja, nëpërmjet dokumenteve si ato të Pleniumit të Beratit, se etja për të realizuar një përmbysje bolshevike e shtyu udhëheqjen komuniste të Hoxhës, të prirej jo drejt bashkimit me nacionalistët, por drejt përçarjes me ta duke u bërë kështu, një ndër faktorët (se ka edhe të tjerë), që i shtynë disa nga ata të realizojnë tradhtinë duke bashkëpunuar me pushtuesin. Faj që e ka pranuar vetë Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë të PKSH-së.
Dhe për ta bërë edhe më të lehtë sqarimin e të vërtetës, mora si kriter vlerësimi të veprimeve apo mosveprimeve të palëve, ndikimin që ato kanë patur në lirinë e shqiptarit si njeri. Kjo qe e reja që u përpoqa të sillja duke shtruar pyetjen: Si kanë ndikuar të gjitha këto në sjelljen apo pengimin e lirisë? Pa një kriter të tillë objektiv, ngjarjet do racionalizohen nga palët dhe e vërteta nuk do të dalë kurrë. Dhe pa të nuk mund të vijë as ngushëllimi dhe pajtimi mes shqiptarëve.
Reagimi ndaj këtyre tezave në debatin që shpërtheu në “Dita” qe, në pikëpamjen time, përgjithësisht zhgënjyes. Oponentët në vend se të debatojnë mbi këto probleme, preferuan t’i shmangen duke bërë përqasje episodike mbi raste të tradhtisë së Ballit, gjë që nuk mungoi ta bëjë edhe Balli nga ana e tij duke sjellë raste të krimeve komuniste. Edhe përsa i përket lirisë nisën të “filozofojnë”, ta relativizojnë duke pretenduar se liria ka pamje të ndryshme deri edhe se liria është edhe antiliri!
Debati degradoi në telefon të prishur. Ndërsa unë shkruaj për fajet e Enverit dhe udhëheqjes komuniste, Bedri Islami më kundërvihet me heroizmin e Manush Alimanit që nuk e kam mohuar kurrë. Dhe jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, përdorin pjesën sublime të luftës për të mbrojtur një udhëheqës (e theksoj jo luftën, por udhëheqësin) që abuzoi me këtë sakrificë sublime. E gjithë kjo është, në thelb, një ribotim i taktikës enveriste që për 45 vjet shenjtëroi një pushtet diktatorial duke e njehsuar me gjakun e dëshmorëve që luftuan dhe ranë me thirrjen liri dhe pra, nuk kish si të jepnin jetën për një diktaturë tjetër. Ata nuk kishin si ta dinin se liria e premtuar do shndërrohej në sundim, në diktaturë.
Duke qenë i bindur se martirët nuk kanë dhënë jetën për diktaturë por për liri, unë tentoj t’ja u heq këtë stigmë të pamerituar që i bën kontribuues të diktaturës, duke i ndarë nga një udhëheqje që abuzoi me gjakun e tyre. Eshtë fakt, se Enveri abuzoi kështu me të rënët. Po kështu ai abuzoi edhe me heronjtë e gjallë. Eshtë plotësisht logjike të besosh se Manush Alimani, Qemal Stafa, apo Zonja Çurre, nëse nuk do kishin rënë në luftë, mund të qenë dënuar më vonë nga Komandanti i dashur dhe shokët grusht bashkuar rreth tij, në ndonjë plenium si tradhtarë. Sepse kur ndodhi kështu me legjendarin Mehmet Shehu, që vetë Enveri ia ngjiti urdhrin e Heroit të Popullit në gjoks, pse të mos ndodhte me të tjerë? Ky është mekanizmi i diktaturave jakobine e bolshevike, që në një moment të caktuar nuk mund të mos hanë edhe ca nga bijtë e vet. Sepse i ftojnë në revolucion me idealin dhe parullat e lirisë dhe pastaj iu shfaqin fytyrën e fshehur të sundimit. Kush konformohet duke braktisur lirinë e vet dhe të atdheut, rron, kush reziston se e ka në karakter devocionin për lirinë, konfliktohet, shpallet tradhtar dhe pushkatohet apo dënohet.
Kështu e zgjidh diktatura konfliktin me bijtë e vet liridashës, shumë prej të cilëve shpëtuan të shpallen tradhtarë se ranë dëshmorë dhe ca të tjerë u shpallën tradhtarë sepse nuk ranë dëshmorë. Kaq i brishtë, kaq i pasigurt mbetet fati i njeriut në diktatura me liderë absolutë që e kanë njeriun mjet dhe jo qëllim. Kështu kapriçioze, arrogante, paranojake është diktatura dhe diktatori. Nuk nderon asnjë sakrificë apo heroizëm, kur është fjala për ruajtjen e pushtetit dhe sundimit.
Kritika ime, ndryshe nga lumi i shpifjeve që u derdh mbi të, nuk ka fare për objekt luftën, heroizmin partizan, por diktatorin dhe kultin e tij. Nuk kritikohet lufta, por kulti i diktatorit. Dhe kundërshtimi që i bëhet kësaj kritike ka për qëllim pikërisht mbajtjen gjallë të kultit të diktatorit. Si për herë, ia atribuojnë gjithçka njëshit. Enveri e bëri luftën – thonë. Po kritikove Enverin, ke mohuar luftën! Enveri është Lufta dhe Lufta është Enveri! Një lloj transplantimi i motos majakovskiane, Lenini është partia dhe Partia është Lenini!
Në fakt, ushtarakisht, nuk e bëri Enveri luftën. Jugosllavit Miladin Popoviç dhe Enverit (ky i fundit pranon në Pleniumin e Beratit se bënte ç’i thoshte Miladini) i përket organizimi dhe strategjia politike. Pikërisht ajo e deformimit të luftës për çlirim në revolucion bolshevik. Në pikëpamjen ushtarake luftën e drejtuan, e komanduan dhe e bënë të tjerët. Spiro Moisiu, Mehmet Shehu etj. Enveri u bë komandant i ushtrisë për të konsoliduar rolin udhëheqës të PKSH në ushtri, por jo se qe realisht ushtaraku që e udhëhiqte atë në beteja.
Glorifikimi i rolit të Hoxhës në luftë është, në thelb, injorim që i bëhet kontributit të dëshmorëve duke ja atribuar gjithçka njëshit. Ajo që ka bërë Enveri, edhe sikur të mos qe tradhti e idesë së lirisë, as mund të krahasohet me gjakun e një dëshmori të vetëm! Një dëshmor qëndron shumë më lart se një diktator.
Por s’mund t’i kuptojë këto askush që nuk ka neveri për diktaturën dhe diktatorin, sepse pikërisht ato, ia kanë asgjësuar aftësinë për të dashuruar lirinë e tij. Për fat të keq, këta lloj skllevërish, qëndrojnë nën zgjedhë si nën një pozicion të natyrshëm dhe ndihen keq kur nuk e kanë mbi qafë atë. Prandaj kanë nostalgji për zgjedhën, ju duket shtegu i lirisë si shtegu i Ferrit, ndaj duan ta braktisin sa më shpejt për të hyrë përsëri nën zgjedhë.
Në qendër të kritikës sime për tradhtinë që i ka bërë luftës çlirimtare lidershipi komunist, duke sulmuar në raste të caktuara edhe forca nacionaliste që jo vetëm nuk kishin bashkëpunuar, por po luftonin pushtuesin (rasti i Muharrem Bajraktarit) kam vendosur dokumentet e pleniumit të Beratit në të cilin, vetë Hoxha dhe udhëheqës të tjerë komunistë, e pranojnë me gojën e tyre këtë “gabim”. Në vend se të qëndronin në këtë pikë për të zgjidhur ekuacionin e ndërlikuar të së vërtetës historike, thuajse të gjithë oponentët iu shmangën asaj. Por këtu, nuk bëhet fjalë për llafe kazani, por për një forum të lartë të PKSH-së që ka bërë bilancin e një lufte thuajse në përfundim. Dhe një fakt i tillë tronditës, i censuruar për 45 vjet, nuk mund të anashkalohet me aq lehtësi siç bën Viktor Malaj kur citon Çurçillin të ketë thënë se lufta është një katalog gabimesh të rënda. Kjo mund të jetë e vërtetë por historia duhet të marrë në vlerësim rrjedhojat e këtyre gabimeve. Sepse sikundër ka vënë në dukje Fushe, në politikë (dhe lufta, sipas Klauzeviçit, është vazhdimi i politikës me mjetet e dhunës), një gabim është më i rëndë se një krim. Prandaj historia nuk mund të neglizhojë të shqyrtojë se cilat qenë pasojat e këtyre “gabimeve” në ecurinë e luftës dhe deformimin e natyrës së saj.
Në citimin që Bedri Islami i bën Fehmi Ladrovcit më tërhoqi vëmendjen kjo pjesë: Jeta s’ka kuptim pa liri. Eshtë shumë e saktë nëse nënkupton edhe lirinë e individit dhe jo vetëm lirinë kombëtare. Liria kombëtare është një përrallë pa lirinë e njeriut. Ta ilustrojmë me Kosovën. Ajo sot është e çliruar nga Serbia, por kosovarët nuk janë ende të lirë nga njeri-tjetri. Kosovari sundon kosovarin si në Shqipëri shqiptari-shqiptarin. Me një mori padrejtësish. Sepse i robëron klientelizmi, patrimonializmi, korrupsioni i pushteteve, mafia, varfëria. Historikisht, përpjekja më e madhe për lirinë e njeriut nuk është bërë me të huajin, por mes bashkatdhetarëve. Dhe me marshimin e lirisë si koshiencë dhe sistem i së drejtës, anglezi ka mposhtur sundimin e anglezit, francezi të francezit, gjermani të gjermanit, amerikani të amerikanit. Kombet janë bërë të lira vetëm duke i bërë njerëzit e tyre të lirë. Pa njerëz të lirë, “liria kombëtare” është një lloj tribalizmi.