Home KRYESORE Jugu ofron pushime të bukura, por jo për të gjithë!

Jugu ofron pushime të bukura, por jo për të gjithë!

Nga Luljeta Progni

Në vargun e fshatrave përgjatë rivierës shqiptare, mes Borshit dhe Lukovës ndodhet Piqerasi, një fshat i vogël, mbi kodrat me ullinj që zbresin deri në brigjet e Jonit, nën pllajat e zhveshura të maleve.  Është një vend ku pushimet kalohen shumë bukur. Piqerasi, gjendet pothuajse në qendër të vijës bregdetare joniane, me një pozicion që të lejon të vizitosh plazhet dhe qendrat historike të Jugut vetëm për pak minuta. piqeras 2Është një fshat i paqtë, me gjelbërim e ajër të pastër dhe duke qenë se ngrihet disa qindra metra mbi nivelin e detit është më i freskët. Në fshat ku nuk gjen as edhe një mbeturinë të hedhur nëpër rrugë. Mbi të gjitha është një fshat ku banorët të presin me shumë mirësi. Kishte shumë të huaj që e kishin zgjedhur për të pushuar dhe pak nga kryeqyteti. Pranë qendrës, buzë rrugës kryesore, ndodhet një tavernë. Është një biznes familjarësh të përkushtuar për të plotësuar çdo nevojë të klientëve, me shërbim fantastik, gatime tradicionale shqiptare mjaft të mira dhe çmime shumë të favorshme. Shpesh aty sheh edhe turistë të huaj. Shend e verë ata komunikonin me stafin e tavernës dhe kërkonin të provonin çdo lloj gatimi që ata kishin atë ditë në menu. Përbri tyre ishin edhe një grup turistësh shqiptarë. Nga dialekti dukeshin se vinin nga kryeqyteti. Ndryshe nga të huajt, shqiptarët dukeshin shumë mosbesues dhe gjithë sy e veshë për të kapur ndonjë detaj që nuk shkonte në tavolinë, apo rreth saj. piqeras 5I zoti i tavernës, shfaqej shpesh në çdo tavolinë për të parë nëse klientëve iu nevojitej diçka. Kur u afrua te tavolina e turistëve shqiptarë u përball me një arrogancë të çuditshme. Nëse kishte diçka që dukej në çdo detaj të tavernës ishte pastërtia. Pikërisht aty nisi g’rricja e turistit kryeqytetas, kur i tha të zotit të tavernës: “ma pastro pak këtë…” pa asnjë lloj mirësjellje. Në fakt, nuk dukej se kishte ndonjë gjë për të pastruar. Nejse, e kundërta ndodhi me turistët e huaj. Sa herë shfaqej pranë tyre i zoti i tavernës, merrte me vete falenderimet e përzemërta për gatimet e shkëlqyera dhe për mikpritjen. Erdhi fund i drekës. Klienti që “urdhëroi” pastrimin e tavolinës mbante në dorë një kanaçe, e sa doli jashtë e ktheu me eks dhe e plasi kanaçen në rrugë. Fare pak metra më larg ishte një kosh plehrash. Dikush prej stafit të lokalit doli pas pak minutash, e mori kanaçen dhe e hodhi në kosh. Me siguri që këta “turistë“ mbushin me plehra edhe plazhet, pasi nuk pamë asnjëherë, që kur mbyllnin çadrat të merrnin me vete ndonjë qese me plehra. S’mund t’i akuzojmë banorët e jugut, pasi ata janë të gjithë ditën të zënë me punë dhe as që kanë mundësi të bëjnë ndonjë orë plazh.

Ata kanë ndërtuar disa lokale druri portative të mbuluara me kashtë dhe rrallë mund të gjesh ndonjë që ka derdhur beton pranë plazhit. Edhe betonizimin e kanë bërë “turistët kryeqytetas”. Sepse, “turisti kryeqytetas” nuk interesohet shumë për natyrën, detin, kodrat, ullinjtë, kalatë apo muzetë arkeologjikë. piqeras 4“Turisti kryeqytetas” kërkon shërbime luksi, pishina, karkaleca, shkuma party etj. Banorët e jugut që punojnë gjatë verës: kamarierë, kuzhinierë e kushdo tjetër që është pjesë e stafeve të hoteleve e restoranteve, nuk kanë asnjë garanci për të siguruar të ardhura nëntë muajt e tjerë të vitit, pasi largohet “turisti kryeqytetas”. Gjatë 9 muajve, kur Jugu boshatiset nuk ka asnjë aktivitet, asnjë punë, madje as shkolla, ku fëmijët të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë.

Pse gjithë ajo arrogancë, e në fund të fundit pse shprehet gjithë ai mllef kudo në rrjete sociale, madje edhe media, ndaj kësaj zone të Shqipërisë? Nëse hedhim vështrimin përtej rivierës shqiptare, në Greqi, shoqëria, shteti dhe mediat, janë në bashkëpunim të vazhdueshëm për të përcjellë një imazh sa më pozitiv, me qëllim që të thithin sa më shumë pushues në mënyrë që të ardhurat të kthehen në investime të mëtejshme. E kundërta ndodh në Shqipëri. Çdo fillim sezoni, nis historia e sharjeve, e fyrjeve për jugorët që nuk munden të ofrojnë atë çfarë kërkojnë “tiranasit” për pushime. Është e vërtetë se disa kushte minimale janë të panegociueshme, por për ato nuk e kanë fajin aspak banorët e zonave ku ne shkojmë e pushojmë. Nuk është aspak faji i tyre, pse nuk ka ujë, pse mungon energjia elektrike e pse mungon infrastruktura rrugore. Është faji i qeverisë. Asnjë politikë për zhvillimin e turizmit në Jug apo në pjesë të tjera të Shqipërisë nuk është zbatuar në këto 25 vjet. Asnjë projekt trajnimi për stafet që ofrojnë shërbime në këtë perlë të Shqipërisë, me përjashtim të një faze të re betonizimi ose ribetonizimi, siç kemi dëshirë t’i vendosim nga një “ri” përpara çdo fjale për ta shitur si “trendy”.

Nëse nuk keni mundësi të ofroni asgjë në ndihmë të zhvillimit të turizmit në Jug, nëse nuk ke edukatën për t’i marrë me vete mbetjet nga plazhi, t’i hedhësh në kosh, të paktën hesht e mos vill vrer çdo vit, sa herë kthehesh nga pushimet në bregdetin e jugut.

Në jug bëhen pushime shumë të mira. Mjafton ta lësh arrogancën në kryeqytet, kur shkon me pushime./27.al

Share: