Home KRYESORE Kapexhiu në krah të Sherefedin Shehut: “Votoni për ekonomistin jo për doktorët...

Kapexhiu në krah të Sherefedin Shehut: “Votoni për ekonomistin jo për doktorët dhe piktorët”

Karikaturisti Bujar Kapexhiu, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ka shpjeguar edhe thirrjen e tij për popullin dibran, që të votojë kandidatin e djathtë, Sherefedin Shehu, për kryetar të Bashkisë së Dibrës.

Kapexhiu tha se ishte një rastësi takimi me Shehun në promovimin e librit të tij në Dibër. “Unë jam dibran me origjinë dhe po promovoja librin tim “Kthesë”. Doja ta promovoja edhe në vendin tim të origjinës dhe një ftesë ishte edhe për z.Sherefedin Shehu, i cili iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe erdhi në promovim”, thotë Kapexhiu. Ai shpjegon se përse bën fushatë për Sherefedin Shehun. Sipas bindjes së tij, është më mirë që vendin ta udhëheqin ekonomistës, sesa doktorët dhe artistët

“Është bindje e imja se sot duhet të drejtojnë dhe të udhëheqin ekonomistët dhe juristët dhe jo doktorët dhe piktorët. 26 vite më parë të gjithë u ngritëm për të rrëzuar diktaturën komuniste dhe në krye të vendit u vunë doktorë apo njerëz me profesione të tjera. Morën postet sipas meritave, merita duhet të jetë sipas profesionit. Ajo kohë ishte ndryshe dhe ata njerëz kishin merita për aty ku u vunë, kurse sot është ndryshe. Është në bindjen time se profesioni duhet të ketë vlerë dhe ekonomistët dhe juristët duhet ta drejtojnë këtë vend. Iku koha kur drejtonin doktorët dhe artistët, ata kishin meritat e tyre, por sot është koha e profesioneve dhe u duhet besuar atyre drejtimi i vendit. Merita duhet të jetë sipas profesionit, ndaj dhe bëra thirrje që dibranët të votonin për z.Sherefedin Shehu”, thotë ai./ Panorama.al

Share: