Home KRYESORE Koço Kokëdhima, njeriu i pushtetit i angazhuar për të grabitur dhe zhdukur...

Koço Kokëdhima, njeriu i pushtetit i angazhuar për të grabitur dhe zhdukur përfundimisht Himarën!

Nga Nikollaq Neranxi*

Të gjithë ata që nuk e kanë akoma të qartë se për çfarë po protestojnë himariotët dhe kush po ju krijon probleme, duhet të ndiqni këtë video ku “kompetenti” i zonës, do t’ju a shpjegojë më mirë.

Ky është Koço Kokëdhima, ish deputet i Partisë Socialiste, me mandat të hequr nga Gjykata Kushtetuese, sepse ka bërë veprim antikushtetues duke përfituar fonde publike. Megjithëse është pa asnjë funksion, Kokëdhima nuk përton të flasë gjerë e gjatë për çështjen e Himarës, si përsoni që ka dijeni për çdo gjë që ndodh aty. Nga ajo intervistë ne mësojmë se vetëm Koçoja e njeh planin urbanistik të Himarës (ne banorëve nuk na e tregon njeri), por nëse Kryetari i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, thotë në media se do prishen 5 shtëpi nga plani urbanistik, Koço thotë do prishen 10, duke hedhur në publik një gënjeshtër të re.

Ky është pra njeriu i cili ka marrë përsipër të shkatërrojë Himarën (qendër Spile), mundësisht ta zhdukë fare nga faqja e dheut. Ky është njeriu i cili komandon Jorgo Goron duke e kthyer të zgjedhurin e popullit, në një individ qesharak, pasi nuk mund të thotë as mirmëngjes pa lejen e Koços. Ky njeri i cili sot nuk është asgjë në Himarë zyrtarisht, jo zyrtarisht është njeriu i qeverisë i cili është caktuar të grabisë pronat e himarjotëve, t’i përzërë të gjithë banorët autoktonë që aty, e më pas të sjellë klientët e pushtetit për të bërë investimet e tyre.

Urrejtja e Koços për Himarën është histori e vjetër. Koçoja ka thënë për herë të parë që është nga Himara, vetëm kur u vendos në listë për deputet në qarkun e Vlorës. Që atëherë filloi të tregojë histori se si zbritën nga Tërbaçi paraardhësit e tij dhe mbollën rrap në Qeparo. Më përpara, kur e pyesje nga je, thoshte jam nga Fieri, sepse si komunist i përbetuar, Himara e cila nuk i ka dashur kurrë komunistët, i prishte biografinë.

Njeriu i cili flet sot për plane moderne urbanistike në Himarë, është i njëjti i cili vite më parë guxoi të ndërtojë në Himarë tre pallate të shpifura pa leje (askush tjetër nuk e kishte bërë para tij) dhe ujrat e zeza i derdhte në det, mu në mes të Spilesë, aq sa një ditë banorët u detyruan ta betononin vendin nga ku ai “parfumoste” Himarën duke rrezikuar shëndetin e shumë njerëzve.

Kur u bë deputet, ai vuri nën thundrën e tij institucionin e Bashkisë së Himarës. Sot ai institucion është inekzistent për qytetarët, sepse i shërben vetëm Koços dhe klientëve të tij. Në atë institucion mungon transparenca e cila është e detyruar me ligj. Nëse doni të mësoni nga faqja zyrtare e Bashkisë se çfarë punësh publike po bëhen, si u zgjodhën firmat, kur ishte tenderi etj, nuk do gjeni asgjë, sepse nuk funksionon asgjë. Deri tani çdo ndërhyrje e bërë në Himarë, nuk ka marrë pëlqimin e banorëve të zonës, duke shkelur kështu përsëri ligjin e qeverisjes vendore, sipas të cilit asnjë punë nuk mund të bësh pa marrë pëlqimin e banorëve.

I njëjti njeri, Koço Kokëdhima, ka urdhëruar të bëhet shëtitorja në Qeparo (vendi ku ai ka investimet e tij) duke mos e prishur rërën, ndërsa në Himarë (qendër Spile) betoni e ka shkatërruar komplet bregun e detit dhe rërën. Dhe a e dini pse, sepse ai e urren atë vend. Kushdo që e sheh sot atë beton, mund të kuptojë se vetëm dikush që ka urrejtje, mund ta katandisë ashtu. Por “Arkitekti i Himarës së Re” nuk ndalet, ai shpjegon projektin, flet për mrekullitë që do të ndodhin në atë vend, tregon që vetëm 50 vetë protestuan se banorët gjerësisht janë dakord me Koçon, duke fyer popullin e atij vendi, ndjenjat e tyre dhe duke mohuar një të vërtetë që u shfaq me zë e figurë ditën e protestës.

Se sa jemi kundër betonit dhe grabitjes, do ta tregojmë shumë shpejt sapo të mbarojmë me mbledhjen e firmave tek të gjithë himarjotët, edhe në Greqi, Amerikë e kudo tjetër ku ata jetojnë. Sepse ju e kishit marrë lehtë grabitjen e pronave tona, menduat se himarjotët kanë vdekur dhe ju do t’i rilindnit si dele të bindura tuajat. Por gaboheni rëndë! Ne nuk do lejojmë që të bëhet asnjë ndërhyrje në vendlindjen tonë, pa marrë që të gjithë çertifikatat e pronësisë, si problemin tonë themelor, të cilin ti zoti Kokëdhima nuk e përmende fare në intervistën tënde edhe pse të pyeti qartë gazetari. Ti flet për shpronësim, por njeriu që nuk ka një letër zyrtare të pronës, vetëm mund të përzihet e grabitet, jo të shpronësohet. Këtë vetëm budallai mund ta besojë, por himajotët nuk janë budallenj, thjesht kanë durim të presin pak më gjatë se të tjerët.

Mafiozët e grabitjes së pronave në Himarë, të cilët kanë si përfaqësues të tyre Koço Kokëdhimën, tani që ne banorët e Himarës ua bëmë publike skenarin e vjedhjes, janë acaruar dhe kanë filluar një fushatë të ethshme shpifjesh ndaj nesh. Një herë na quajnë të përdorur nga politika, pastaj e paraqesin protestën tonë si destabilizim të sponsorizuar nga Greqia, pastaj fillojnë dhe merren me emra të përvetçëm, duke i deniguar, të bindur se kështu do të baltosin kauzën tonë që më pas Koçoja dhe hajdutët e pronave dhe shtëpive tona, të punojnë të qetë.

Ju bëj me dije të gjithëve, që ne himarjotët nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç pronave tona. Ai komunitet njerëzish modestë dhe me shumë halle, deri më sot, kanë mbajtur shpresë se do i marrin ato prona, sepse i kanë të trashëguara ndër shekuj, por tani kanë mësuar se mafia ka vendosur t’i grabisë ato që në ditët e para të shtatorit, prandaj janë ngritur të gjithë në këmbë.

Ndërkohë, sa më shumë që shpifet nga pseudo patriotët të cilët në fakt janë ca lavirë shkarravitës, aq më shumë binden himariotët se armiku që kanë në derë, e ka shumë seriozisht shkatërrimin e tyre.

Njerëzit e mençur, të gjithë e kuptojnë se kjo nuk është një luftë mes patriotësh dhe grekofilësh, kjo është një luftë e pastër ekonomike, thjesht janë disa hajdutë të veshur me pushtet të cilët kanë vendosur të grabisin pronat e trashëguara të një komuniteti që fati e deshi të jetojnë buzë detit. Dhe pasi të na përzënë nga ai vend, do të tundin edhe flamurin e patriotit, sepse arritën të zhbëjnë një komunitet të bezdisshëm që flisnin edhe greqisht!!! Vjedhja e pronës dhe zhbërja e një historie të lavdishme të një vendi si Himara, është programi i mafiozëve me në krye Koçon, të cilët ta dini mirë se janë të gjithë bashkë dhe nuk i prishin kurrë marrdhëniet me njëri tjetrin, sepse ndajnë interesa të mëdha ekonomike.

Në kauzën tonë të drejtë, himarjotët kanë përkrahje shumë të madhe, ndërkohë që disa janë skeptikë nëse ne do arrijmë t’ia dalim kundër mafies në pushtet. Por ne jo vetëm që do t’ia dalim, por do t’i japim një shembull ekselent të gjithë pjesës tjetër të Shqipërisë se si kërkohen dhe fitohen të drejtat, me qytetari, vendosmëri, me rrugë ligjore dhe mbi të gjitha, duke qenë të gjithë bashkë deri në fund. Himara është e himarjotëve dhe ska për të qenë kurrë e hajdutëve!

* Shkruar nga Nikollaq Neranxi, dikur tregtar i përkushtuar erëzash (jo armësh dhe droge), sot president i një prej 200 sipëmarrjeve më të mëdha në vend, që ka punësuar me qindra njerëz dhe ka 25 vjet që paguan taksa në shtet, që shkëlqen në biznesin e tij pavarësisht se kush është në pushtet, që nuk ka përfituar kurrë asnjë para publike, që gjithçka e ka fituar me djersë bashkë me familjen e tij që e ka të shtrenjtë. Një patriot që e do shumë vendlindjen e tij Himarën, i betuar që të mbrojë emrin dhe amanetin e të parëve me çdo çmim.

Share: