Home KRYESORE Kultura e mosndëshkimit mbizoteron

Kultura e mosndëshkimit mbizoteron

Nga Ndriçim Kulla

Në botë ka vende me një kulturë shumë të zhvilluar të ndëshkimit të abuzimit të politikanëve me pushtetin, vende me një kulturë të tillë të zhvilluar, por dhe shumë vende me një kulturë të pazhvilluar. Kulturë e ndëshkimit në këtë kontekst do të thotë që shoqëria reagon fort ndaj abuzimit me pushtetin dhe kërkon ndëshkimin e abuzuesve nga organet e drejtësisë.

Gjithashtu, ka dhe vende ku është zhvilluar kultura e mosndëshkimit, madje këta janë me shumicë në botë. Është gjysma e së keqes kur një vend ka një kulturë të pazhvilluar të ndëshkimit. Më e keqja është kur në një vend është zhvilluar kultura e mosndëshkimit. Kjo do të thotë se jo vetëm shumica e shoqërisë nuk reagon ndaj abuzimeve me pushtetin, por e quan këtë gati si një të drejtë të atij që ka pushtetin, dhe shikon si mund të nxjerrë ndonjë përfitim edhe vetë prej abuzuesve. Kultura e mosndëshkimit ka si të keqe të madhe atë që qytetarët nuk reagojnë ndaj abuzuesve me pushtetin, duke e quajtur këtë një fenomen që është bërë pjesë e realitetit të jetës, si fenomenet natyrore. Pra, kultura e mosndëshkimit vret nervin e reagimit qytetar.

Shqipëria fatkeqësisht hyn në këto vende me një kulturë që mund ta quajmë si e mosndëshkimit. Para se ne të përpiqemi të zhvillojmë kulturën e ndëshkimit duhet të çrrënjosim kulturën e mosndëshkimit. Madje vendi ynë mund të konsiderohet si një nga vendet me kulturë shumë të zhvilluar të mosndëshkimit. Protestat për abuzimet me pushtetin këtu marrin përmasa të mëdha vetëm kur ato i organizojnë partitë e mëdha politike. Protestuesit marrin pjesë në protesta të tilla se këtë ua kërkon partia. Kur partia ndryshon qëndrim për arsye politike ndaj çështjes për të cilën është protestuar, shumica e protestuesve te djeshëm kanë të njëjtin qëndrim me partinë. Shembulli më i mirë për këtë është 21 janari. Pjesa më e madhe e atyre protestuesve që dëgjuan thirrjen e Edi Ramës për të dalë në protestë për videopërgjimin, e miratuan qëndrimin e ri të Ramës, kur ai bëri aleancë pikërisht me atë politikan për shkak të të cilit kishte bërë thirrje që njerëzit të dilnin në protestë në 21 janar.

Si është krijuar në Shqipëri kjo kulturë mbisunduese e mosndëshkimit të zyrtarëve dhe pushtetarëve për abuzimet që bëjnë me pushtetin që kanë, për qëllime përfitime? Pse edhe kur ndodh që ndonjë prej tyre kapet në grackë nuk arrestohet, dhe këta në përgjithësi janë zyrtarë të nivelit të ulët dhe rrallë ndonjë i nivelit të mesëm, megjithëse pothuaj të gjithë këta dalin shpejt nga burgu, brenda disa ditëve, ose javëve, me detyrim për paraqitje, ose për arsye shëndetësore, nuk ka fare reagim të publikut? Pse publiku e quan normale që për zyrtarët e lartë dhe pushtetarët, as që bëhet fjalë që të ndëshkohen? Ata konsiderohen si të paprekshëm.

Pse megjithëse është hequr imuniteti për deputetët, gjyqtarët etj., nuk kemi presion nga opinioni publik për atë që nuk kemi asnjë rast që ndonjë prej tyre të ketë kaluar në burg e pakta një vit, për të mos thënë se askush nuk ka bërë as disa muaj burg? Edhe kur është arrestuar ndonjë kokërr ka dalë shpejt nga burgu, në fillim në spital e pastaj ka shkuar në shtëpi. Kemi të bëjmë kështu me një imunitet de facto, në mungesë të imunitetit de jure. Thyerja e këtij imuniteti është sfidë në procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Dhe vazhdimisht kur flasim për korrupsionin vazhdojmë t’i adresojmë akuzat vetëm te të tjerët duke harruar detyrën që ka gjithsecili institucion sipas ligjit, duke filluar që nga kryeministri për të iniciuar ndëshkimin e atyre që abuzojnë me pushtetin dhe postin zyrtar në përgjithësi. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë shumë kallëzime, jo vetëm në organin e akuzës dhe ky i fundit i ka dërguar akuzat në Gjykatë, e cila merr vendime. Por këto dy institucione, të cilat mund të quhen iniciuese, megjithëse kanë punuar në klimën e një kulture mbisunduese mosndëshkimi, kanë bërë një punë të madhe, të evidentuar me dokumente, duke iniciuar procesin e ndëshkimit të abuzuesve. Kontrolli i Lartë i Shtetit duke dërguar me guxim dosje të shumta në Prokurori dhe Prokuroria duke dërguar çështje në Gjykatë, nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur të qeverisë në koordinimin e luftës kundër shkeljeve administrative dhe aferave korruptive.

Ky tashmë është një fakt i provuar. Por ajo që e “vajis” më keq këtë klimë mosndëshkimi sot në këtë proces të ndërlikuar është qëndrimi i kryeministrit aktual të vendit, z. Edi Rama, i cili ndonëse është shumë aktiv publikisht me fjalë në luftën kundër korrupsionit, realisht ka shprehur qartë falsitetin e tij të dukshëm institucional në lidhje me këtë proces. Me dhjetëra për të mos thënë me qindra janë masat e propozuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi kontrollet e shumta të bërë në institucione të ndryshme shtetërore për ata drejtorë apo zyrtarë të tjerë të lartë e të mesëm për shkelje abuzive me postin e tyre dhe kryeministri pothuaj i ka toleruar dhe anashkaluar, pra, nuk ka marrë masat që duhej të merrte ndaj tyre duke e lënë krimin dhe korrupsionin në heshtje, atje ku ishte. A nuk është ky një mesazh i rëndë dhe i gabuar që jep kryeministri mbi krimin dhe korrupsionin në kurriz të interesave publike? Me sa po duket ai po vepron sipas kalendarit të tij personal, duke respektuar vetëm institucionet që ai ka nën kontroll dhe duke nënçmuar institucionet kushtetuese.

Edhe strukturat e reja të krijuara në kuadrin e reformës në drejtësi, SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) dhe BKH (Byroja Kombëtare e Hetimeve), të cilat gjithashtu do të kenë si kompetencë nismën e ndëshkimit të abuzuesve, pavarësisht kompetencave të tyre të mëdha, do të veprojnë në këtë klimë të kulturës së mosndëshkimit. Në këto kushte do të ishte shumë e rrezikshme që SPAK dhe BKH të bënin ndëshkime selektive, politike, vetëm ndaj atyre që nuk janë në pushtet sot, pasi kjo gjë vetëm sa do të forconte kulturën e mosndëshkimit në vend. Kultura e mosndëshkimit do të nisë të zhduket vetëm kur goditjet e drejtësisë të nisin nga ata që janë në pushtet fillimisht, pastaj nga ish-pushtetarët.

Tek ne flitet shumë për luftë kundër korrupsionit por harrohet se kjo luftë nis nga lufta kundër kulturës së mosndëshkimit, e cila nuk bëhet dot drejtpërdrejt as nga Prokuroria, as nga Kontrolli i Shtetit, as nga Gjykatat. Këto mund të kontribuojnë në luftën kundër kulturës së mosndëshkimit, me vepra konkrete, por nuk është as detyra e tyre dhe as kanë mundësi ta luftojnë fenomenin deri në rrënjët e tij.

Kultura e mosndëshkimit përbën një fenomen me të cilin duhet të merren akademikët, shoqëria civile, studiuesit e departamenteve universitare që sipas profilit të tyre duhet të merren me çështje të tilla, të bëjnë konferenca, debate, studime, libra, të përdorin të gjithë mjetet dhe mënyrat sensibilizuese që janë përdorur në botë. Por asgjë e tillë nuk bëhet fatkeqësisht. Ne sapo bëmë reformën në drejtësi, por akoma nuk kemi nisur luftën kundër kulturës së mosndëshkimit. Dhe kjo luftë nuk është më pak e rëndësishme se reforma në drejtësi./Mapo.al/

Share: