Home KRYESORE Ligji i Prokurorisë, tjetër nen që dënon gazetarët, miratuar!

Ligji i Prokurorisë, tjetër nen që dënon gazetarët, miratuar!

Tjetër nen që kufizon lirinë e mediave në Shqipëri. Dy ditë pas tërheqjes së ligjvënësve nga neni 13 i draftit për institucionet antikorrupsion, “Shqiptarja.com” zbulon një tjetër paragraf, tashmë në projektligjin për organizmin dhe funksionimin e prokurorisë, zbatimi i të cilit mund të çojë në instalimin e censurës në vend, duke dënuar me burg gazetarët që investigojnë veprimtarinë e prokurorëve.

Bëhet fjalë për paragrafin e tretë të nenit 6, të projektligjit për prokurorinë, i cili parashikon që, çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.

Përmbajtja është pothuajse e njëjtë me nenin 13 të projektligjit për SPAK-un, thjeshtë fjala “media” është zëvendësuar me togfjalëshin “mjeteve të informacionit”. Pra, ndikimi i papërshtatshëm mbi prokurorët me mjete informacioni dënohet sipas ligjit, në rastin konkret deri në tre vjet burg, sikundër parashikohet në Kodin Penal. Drafti në fjalë është shqyrtuar në parim dhe nen për nen nga komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi, ku si relator figuron deputeti Ulsi Manja. Gjatë shqyrtimit, anëtarët e komisionit nuk kanë bërë asnjë diskutim mbi paragrafin e tretë të nenit gjashtë, i cili prodhon të njëjtat efekte si paragrafi i tretë i nenit 13 të ligjit për SPAK.

Hartuesit

Projektligji është përgatitur gjatë periudhës janar-qershor 2016 nga një grup pune i përbërë prej ekspertëve të nivelit të lartë dhe EURALIUS, ndërsa është rishikuar në vijim në bazë të komenteve të palëve të interesuara. EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë kanë sqaruar se draftit i kanë bërë një kontroll për përputhshmërinë me projektligjet në proces hartimi, në veçanti me projekt ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe projekt ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Megjithatë, ky paragraf duket se bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, i cili ndalon censurën e mjeteve të komunikimit, ndërsa garanton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit, radios dhe televizionit.

Prokurorët

Nëse neni 13 i draftit për SPAK kriminalizonte ndikimin e papërshtatshëm të mediave në punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, neni 6 i ligjit për prokurorinë kriminalizon ndikimin me mjete informacioni mbi të gjithë prokurorët. Drafti në fjalë përfshin Prokurorinë e Posaçme, e cila ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe veprat penale të kryera nga funksionarë të lartë. Po ashtu, përfshin prokurorët pranë çdo gjykate të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm si dhe prokurorët pranë çdo gjykate apeli të juridiksionit të përgjithshëm.

Parashikimi

Ky paragraf parashikon që çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.

Zbatimi

Nëse neni 13 i draftit për SPAK kriminalizonte ndikimin e papërshtatshëm të mediave në punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, neni 6 i ligjit për prokurorinë kriminalizon ndikimin me mjete informacioni mbi të gjithë prokurorët.

Neni 6 i draftit për prokurorinë

Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur, bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.

2. Prokurorët i nënshtrohen udhëzimeve të përgjithshme me shkrim të prokurorit më të lartë, sipas dispozitave të këtij ligji.

3. Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit./shqiptarja.com

Share: