Home KRYESORE Lista me 150 zyrtarë të inkriminuar, DAP ia dërgon Interpolit

Lista me 150 zyrtarë të inkriminuar, DAP ia dërgon Interpolit

Tashmë nuk përbën më sekret që një pjesë e administratës rezulton e inkriminuar dhe me precedentë penalë.

Kjo u konfirmua pak kohë më parë nga Departamenti i Administratës Publike, i cili dërgoi në prokurori për hetime një listë prej 150 personash, të cilët në bazë të ligjit për dekriminalizimin rezultojnë me probleme.

Rezulton se një pjesë e listës së DAP kanë precedentë penalë jashtë shtetit. Struktura e Posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme i ka filluar hetimet në lidhje me këta persona dhe një pjesë e madhe e tyre i janë dërguar për verifikim Interpolit, por ende nuk ka mbërritur një përgjigje përfundimtare.

Gjithsesi, organi i hetimit nuk pranon të bëjë publike listën me 150 personat e dërguar për hetim të thelluar nga Struktura e Përgjithshme. Edhe DAP i ka mbajtur të fshehtë emrat e personave me probleme në administratë, madje në faqen e internetit të DAP është e pamundur të gjesh edhe formularët e vetëdeklarimit të punonjësve të administratës, edhe pse pretendohet se ata janë në faqen e uebit.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, deklarojnë se nga verifikimi i formularëve deri tani, rezulton se një pjesë e madhe e listës prej 150 persona rezultojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë. Bëhet fjalë për shkelje të cilat janë subjekt i ligjit të dekriminalizmit dhe si rrjedhojë, këta punonjës pritet të largohen nga postet që mbajnë. Ajo që bie në sy është fakti që bëhet fjalë për persona të cilët kanë mbajtur poste shumë delikate në administratën publike, madje edhe drejtorë shkollash në të gjithë vendin, të cilët kanë rezultuar me dënime të formës së prerë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Janë verifikuar një pjesë e mirë e formularëve të marrë nga DAP dhe puna vijon edhe për të tjerët. Një pjesë rezultojnë me precedentë jashtë, ndaj lista i është dorëzuar Interpolit për hetime”, saktësojnë burimet. Gjithsesi, fakti më shqetësues është që mes personave me precedentë penalë renditen poste kyçe të administratës. Konkretisht bëhet fjalë për drejtorë shkollash, në të gjithë vendin, staf, punonjës prefekturash në të gjithë vendin, administratorë të njësive të qeverisjes vendore, të cilët janë në varësinë e qeverisë pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale.

Hetimet për Rroshin

Paralelisht mësohet se Prokuroria është duke vijuar edhe hetimet për dy kryebashkiakët me probleme, Elvis Rroshi i Kavajës, dhe Artur Bushin e Bashkisë së Krujës. Burimet konfirmojnë se hetimet për Rroshin, i cili dyshohet se ka qenë i dënuar për përdhunime dhe trafik droge në vendet e Bashkimit Evropian, janë drejt fundit tashmë dhe së shpejti pritet të bëhen publike.

Ndërkohë, për Artur Bushin, duket se Interpoli ende nuk ka kthyer një përgjigje. Në fakt ligji për dekriminalizimin, i miratuar me konsensus mes PS-së dhe PD-së mund të konsiderohet i dështuar. Pak ditë më parë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi se nuk do të kishte asnjë penalitet ndaj deputetëve që rezultuan me probleme në bazë të ligjit. Po ashtu, deri tani edhe për kryetarët e bashkive me probleme ende nuk ka pasur ndonjë penalitet konkret apo shkarkim nga detyra, ashtu siç e parashikon ligji i dekriminalizimit./sot/

Share: