Nga Ndricim Kulla*
Kryeministri Rama e ironizon kryetarin e opozitës z. Basha, duke e quajtur “Lulëzim”, jo “Lulzim”, siç e ka ai emrin zyrtarisht. Me këtë z. Rama, kërkon që me një gur të vrasë dy zogj, siç i thonë fjalës. E para, Rama, kërkon të thotë se edhe Basha e ka ndryshuar emrin, dhe me këtë dëshiron të krijojë një tymnajë në këtë kohë kur doli se të zgjedhur nga partia e Ramës kishin ndryshuar emrat, për t’ ju fshehur drejtësisë. E dyta, Rama kërkon të thotë se nuk është ai i vetmi lider që ka ndryshuar emrin.
Duke e marrë si të mirëqenë atë që thotë Rama se Basha ka ndryshuar emrin, duhet thënë se ka dy dallime të mëdha midis ndryshimit të emrit nga Lulëzimi, në qoftë se ka ndodhur, dhe Edvini, për të cilin e dimë me siguri se ka ndodhur. Në qoftë se Basha e ka ndryshuar emrin nga “Lulëzim” në “Lulzim” këtu ka një logjikë gjuhësore. Dritëro Agolli i madh ka thënë shumë kohë më parë se Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, gjeni ashtu si ishte, duhet ta kishte kuptuar prirjen e gjuhës shqipe për rënien e “ë”-së fundore te fjalët dhe të mos shkruante “maletë”, “fushatë”. E njëjta prirje ekziston në gjuhën shqipe edhe te fjalët si “lulëzim”. Për fat të keq gjuhëtarët tanë nuk e dëgjojnë Dritëro Agollin, i cili flet me intuitën e poetit të madh, që ka një vëmendje të veçantë për fonetikën, dhe kështu zbulon prirjet e evoluimit të gjuhës.
Në emrin “Lulzim” nuk ka asnjë prirje për devijim nga shqipja letrare, nga një lider me origjinë gege, siç mund të thonë disa, sepse Dritëro Agolli që ka folur për prirjen për rënien e “ë”-së është firmëtar i Kongresit të Drejtshkrimit dhe me origjinë toske. Dhe fakti që Basha i ka kushtuar vëmendje kësaj vërejtjeje të Dritëro Agollit, nëse ka bërë moderim në emër është provë e unitetit toskë-gegë brenda kombit shqiptar. Por, ky unitet zhvillohet nga mendjet e iluminuara të kombit, që e shohin zhvillimin kudo edhe në gjuhë. Fakti që Basha edhe mund t’i ketë kushtuar vëmendje kësaj vërejtjeje të Dritëro Agollit i bën nder Bashës. Ndoshta duhet të ketë qenë kjo një nga arsyet që Dritëroi i telefonoi Bashës për ta uruar, kur ky u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës. Poetit të madh nuk mund t’ i ketë shpëtuar kjo nuancë në emrin e liderit të ri, dhe nuk mund të rrinte pa e vlerësuar në njëfarë mënyre, edhe pse iu përkisnin krahëve të kundërt të politikës.
Por, cili ishte shkaku që Rama e ndërroi zyrtarisht emrin nga “Edvin” në “Edi”. Emri Edvin (Edwin) ka kuptimin “mik i pasur”, ku fjala “Ed” do të thotë “i pasur” dhe fjala “vin” do të thotë mik. Edi Rama e ndryshoi zyrtarisht emrin kur kishte disa vite në politikë. Ai hoqi nga emri i tij fjalën “mik” dhe la fjalën “i pasur”. Domethënë tani e tutje Rama do të ishte një njeri i pasur pa miq. Ai këtej e tutje në vend të miqve do të kishte oborrtarë, servilë, banditë që i shërbenin, kalemxhinj lakenj etj.
Emri i z. Rama pësoi një përmbysje të kuptimit të tij, me ndryshimin që i bëri ai. Emri i z. Basha, nëse vërtet e ka ndryshuar, mbeti me kuptimin që kishte. Dhe “Kumbari” si të thuash i emrit të ndryshuar të Bashës, është poeti ynë i madh Dritëro Agolli, dhe ndryshimi është bërë sipas një trendi të gjuhës shqipe.
Kumbarë të ndryshimit të emrit të z. Rama, janë ata që e transformuan intelektualin e ri, të cilin ndryshe e kanë njohur shumë kolegë të tij, kur kanë qenë bashkë pedagogë në Akademinë e Arteve në vitet nëntëdhjetë, por dhe shumë të tjerë. Ramën e transformoi pushteti thellë nga njeri, që i predikonte moralitet politikës, në një makiavelist përbindësh të pushtetit. Dikur, vërtet ai ishte i pasur në miq, sot ai është i pasur në para, por i varfër në miq. Nuk di të them nëse kishte një prirje të tillë dhe i pëlqeu ky shndërrim ose ky ishte qëllimi i tij. Nuk marr përsipër të bëj psikanalistin e tij tashti për tashti.
Basha, si me “ë” si pa “ë” në emrin e tij, është një lider në lulzim, ashtu siç e ka emrin. Edhe miqësitë e tij janë në lulzim. Ai është një lider i pasur në miq, një “edvin” në këtë kuptim.
Ai , në fund të fundit, në të dy rastet, si me “Lulëzim”, si me “Lulzim” mbante dhe mban një emër të bukur shqiptar, ndërsa Rama mban një emër të huaj të cilin e ka gjymtuar si të gjitha gjërat të cilat i prek ai.
*Publicist