Home KRYESORE Meidani: Unë kryeministër i qeverisë teknike? Propozimi i Metës…

Meidani: Unë kryeministër i qeverisë teknike? Propozimi i Metës…

Duke përshëndetur miratimin e Reformës në Drejtësi, ish­presidenti Meidani shprehet se zbatimi i kësaj reforme duhet të veprojë dhe ndaj atyre individëve që denigrojnë figurat publike me mashtrime dhe akuza të pabaza, të cilët sipas tij janë dhe punonjës të administratës publike, dhe janë shtuar shumë gjatë viteve të kësaj qeverisjeje. Ai e vlerëson rolin që luajti kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, në arritjen e konsensusit të plotë për miratimin e Reformës në Drejtësi, “në mënyrë të veçantë për të mos lejuar kapjen e mëtejshme politike të Gjyqësorit”.

Ish-presidenti e sheh rolin e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin sa të rëndësishëm, aq dhe të tepruar. Sipas tij, ky teprim i ambasadorëve në detyrimin e politikës shqiptare për të miratuar Reformën në Drejtësi nuk është parë as në momentet më të vështira për vendin, as në krizën e piramidave, por as gjatë referendumit të Kushtetutës në 1998. Për ish-kreun e shtetit, roli i ambasadorëve për Reformën në Drejtësi i nxori bojën një pjese të politikës pompoze shqiptare në sytë e publikut.

“Propozimi i Metës për qeveri teknike ishte disa ditë para arritjes së konsensusit për miratimin e paketës kushtetuese të lidhur me Reformën në Drejtësi; madje një propozim i tillë tepër energjik dhe në kohën e duhur e luajti rolin e tij për arritjen e atij konsensusi historik në miratimin e asaj pakete të ndryshimeve kushtetuese”, thotë Meidani. “Ajo ishte dhe kardinale për reformën e projektuar në drejtë­si. Personalisht, shpresoj që procesi i nisur do të vazhdojë normalisht edhe për ligjet shoqëruese të kësaj reforme, natyrisht nëpërmjet jo ngutjes, por tretjes së domosdoshme”, vijon ai. /Panorama

Share: