Home KRYESORE Nard Ndoka: Qeveria e Rames u konsumua, duhen qeveri tranzitore per ne...

Nard Ndoka: Qeveria e Rames u konsumua, duhen qeveri tranzitore per ne zgjedhje.

Flet për “Koha Jonë”, Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partitë kryesore në vend i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Jo vetëm opozita dhe maxhoranca, por janë në total 19 parti që kanë shpallur kandidaturë. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në një intervistë për “Koha Jonë”, ka theksuar se partia e tij ka gati kandidatin potencial. Ndoka shton se, maxhoranca aktuale në Dibër i ka konsumuar mundësitë, për të qeverisur dhe për t’u përfaqësuar. Kreu i PDK-së, pyetjes se është kundër pjesëmarrjes së maxhorancës në këtë proces, ai shton se: “Maxhoranca aktuale nuk duhet të paraqesë kandidat në këto zgjedhje duke harmonizuar vendimmarrjen me aleatët apo duke vlerësuar edhe opozitën si alternative në këtë rast”. Edhe pse pjesë e kësaj qeverisje, Ndoka nuk i kursen akuzuat për qeverinë, duke shtuar se qeveria ka qenë problematike në tërësinë e vet, me skandale, me paaftësi, korrupsion, papërgjegjshmëri në të shumtën e rasteve. Si opozita edhe Ndoka mendon se e vetmja zgjidhje dhe mundësi, janë zgjedhjet dhe qeveria tranzitore për t’i zhvilluar ato.

 Partitë kryesore kanë bërë publike kandidatët e tyre, për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Dibrës. Koalicioni që keni bërë me partitë e vogla jo parlamentare, ka si qëllim daljen fitues në ato zgjedhje?

Është detyrë politike e çdo partie politike, që të paraqesë kandidat në zgjedhje, në rastin e demokristianeve është akoma më shumë domosdoshmëri. Kjo për faktin, se jemi në proces unifikimi dhe dalja me kandidatin Demokristian të përbashkët teston forcën tonë politike, por paraqet edhe një alternativë ndryshe nga dy palët. Momenti është për kandidatë potencial, qytetarët nuk duhet të rendin symbyllur pas partive, por të votojnë kandidatin më të mirë, me cilësor, i cili garanton një përfaqësim real dhe dinjitoz të votuesve dibranë.

Pse keni vendosur që të mbështesni një kandidat që nuk vjen nga koalicioni qeverisës, ku ju bëni pjesë?

Maxhoranca aktuale e pati mundësinë për të qeverisur në Dibër, por e humbi që vitin e parë këtë shans, duke kaluar në luftë mes vetes dhe intrigave meskine të momentit. Ndaj edhe loja politike ka rregullat e veta, në politikë të ndëshkon vota, drejtësia dhe opinioni qytetar. Maxhoranca aktuale në Dibër i ka konsumuar mundësitë, për të qeverisur dhe për t’u përfaqësuar, dukshëm me turp.

Z.Ndoka jeni shprehur se maxhoranca aktuale nuk ka të drejtën morale të paraqesë kandidat, i qëndroni ende besnik këtij qëndrimi?

Në politikë ka edhe moral në të shumtën e rasteve, por edhe kur ky moral mungon, qytetarët me votë e vendosin dukshëm në krye të procesit dhe vlerësimit politik. Duke e parë në këtë këndvështrim, pa emocione politike, gjykoj që maxhoranca aktuale nuk duhet të paraqesë kandidat në këto zgjedhje duke harmonizuar vendimmarrjen me aleatët apo duke vlerësuar edhe opozitën si alternativë në këtë rast. Jam i bindur se politika nuk vetëpastrohet, as çlirohet nga e keqja, ndaj votuesi duhet të jetë akoma më i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm, në këtë procesvotimi dhe zgjedhjeje.

Shpesh herë jeni kritikues, ndoshta edhe më shumë se, vetë opozita ndaj qeverisjes dhe z.Rama. Sipas jush, pse kjo maxhorancë nuk duhet të mbyllë mandatin e saj 4-vjeçar?

Qeverisja ka qenë problematike në tërësinë e vet, me skandale, me paaftësi, korrupsion, papërgjegjshmëri në të shumtën e rasteve, ndaj kjo qeverisje ka pasur më shumë se asgjë tjetër, nevojë për oponencë brenda saj dhe opozitë të fortë. PDK-ja ka ruajtur profilin e vet politik duke qenë e qartë në qëndrime, në përfaqësim, por duke vlerësuar pavarësinë politike më shumë se pushtetin dhe privilegjet e tij. Kjo na ka bërë që të jemi ndryshe nga të tjerët, që të kemi lirinë tonë në fjalë, qëndrime, votime në Kuvend, por edhe në vendimmarrjen politike, pa u ndikuar dhe kompleksuar nga asnjë palë.

A mendoni edhe ju si opozita se këtij koalicioni qeverisës i ka ardhur fundi dhe duhet shkuar në qeveri teknike?

Për fatin e keq maxhoranca e konsumoi qeverisjen dhe veten parakohe, me konflikte, mungesë vizioni, mungesë bashkëpunimi institucional me opozitën, me Presidentin e Republikës, me institucionet kushtetuese e të pavarura. Reformat esenciale kanë munguar, por edhe kur ka pasur nisma të tilla ‘reformuese’, janë ndërmarrë nëpërmjet konfliktit duke detyruar edhe partnerët ndërkombëtare, që të bëhen pjesë e së keqes në politikën tonë alla anadollake, që mbizotëron pothuajse kudo. Tashmë të gjithë duhet të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, për standardet, për të ardhmen e vendit dhe implementimin e reformave në një frymë konsensusi. Sipas gjykimit tonë, e vetmja zgjidhje dhe mundësi janë zgjedhjet dhe qeveria tranzitore për t’i zhvilluar ato. Kontradikta tashmë e hapur mes PS-së dhe LSI-së, mungesa e koordinimit dhe qeverisjes në këtë periudhë e bën edhe më të domosdoshme krijimin e një qeverie të besueshme dhe të pranuar nga të gjithë.

Keni folur pro miratimit të reformës edhe kur votimi u shihte i pamundur. Pasi ka kaluar faza e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, si ju është dukur i gjithë procesi?

Procesi ishte shumë i vështirë, jo transparent, me kulisa, duke e paraqitur klasën politike shqiptare jo të denjë për përgjegjësi kombëtare. Faktori ndërkombëtare, kaloi caqet diplomatike duke u sjellë, si xhandar dhe jo si partner në këtë proces. E vetmja meritë në këtë proces, për hir të realitetit, i takon Metës dhe moderimit të tij, në raport me opozitën dhe PS-në.

Kushtetuta e re ka hyrë në fuqi, por zbatimi i saj është pamundur, pasi që varet nga miratimi i 7 ligjeve. Pse po bllokohet procesi dhe në dijeninë tuaj, kur do të kalojnë 7 ligjet?

Disa kërkojnë që ligjet duhet të kalojnë me emergjencë, çdo gjë ka kohën e vet ligjore dhe kushtetuese, t’i respektojmë afatet dhe detyrimet tona si ligjvënës, pa ju rikthyer edhe njëherë skemave të vjetra. Ligjet duhet të kalojnë në shtator dhe tetor, duke i konsultuar ato në raport edhe me ndryshimet por edhe me realitetet e krijuara. Çdo nxitim apo presion, tashmë është i panevojshëm dhe i papranueshëm.

Jeni përfshirë në nismën që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli. Çfarë po ndodh konkretisht me këtë nismë?

Kushtetuta është dëmtuar rëndë me ndryshimet e bëra nëpërmjet pazareve politike PS e PD, për zgjedhjen e Presidentit, duke e kthyer zgjedhjen e tij me një shumicë të thjeshtë, duke e bërë palë me maxhorancën. Absurdi vazhdon kur, Avokatin e Popullit e zgjedhim me 95 vota dhe Presidentin e Republikës me 71 vota, duke shembur dhe bërë palë të gjitha institucionet e tjera kushtetuese dhe të pavarura. Ndaj zgjedhja e Presidentit, me 84 vota ose direkt nga populli është domosdoshmëri kushtetuese. Ndaj, unë personalisht kam hije dyshimi në investimin e faktorit ndërkombëtar vetëm për reformën në drejtësi, duke anashkaluar reformën zgjedhore dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Kapja e politikës dhe terrorizmi i saj, duket të jetë qëllimi kryesor, jo pavarësia e institucioneve dhe e pushtetit tonë politik. Ndaj përgjegjësia e klasës politike duhet të jetë përtej interesave të momentit apo frikës dhe servilizmit ndaj ndërkombëtarëve, por si një garanci e sistemit tonë politik, sovranitetit dhe të ardhmes tonë kombëtare. Jam i sigurt, që dikujt nesër do t’i kthehet në bumerang ajo që ka bërë me symbyllur apo nën presion. Gjithsesi, është koha dhe momenti për qartësi dhe pajtim mes palëve, duke menduar se raportet politike ndryshojnë, ndërsa e ardhmja e jonë dhe perspektiva ynë euroatlantike jo.

Share: