Home KRYESORE Ne i bejme te gjitha ne Kafene!

Ne i bejme te gjitha ne Kafene!

Nga Ndriçim Kulla*

Një e metë karakterit të shqiptarëve, të cilën Mid’ hat Frashëri e quante si të metën më të madhe të karakterit të shqiptarit,është kotësia, e cila shfaqet në mënyrë spektakolare me qëndrimin e shqiptarëve nëpër kafene. Duke pasur parasysh se çfarë ishte kafeneja shqiptare, Vangjel Koça në 1929 do ta denonconte qëndrimin e shqiptarëve në kafene si një plagë të vërtetë shoqërore:

Njëra nga plagët tona së cilës nuk i kanë vënë re veçse tepër pak njerëz, janë kafenetë. Këto lozin një rol shumë të dëmshëm në jetën tonë shoqërore. Qoftë në Kryeqytet, qoftë nëpër province gjer në fshatrat më të vogla, shumica e popullit një pjesë të madhe të jetës e shkon në kafene )

Që nga koha kur Vangjel Koça shkruante kështu dhe deri në ditët tona, kjo plagë shoqërore vetëm sa është përkeqësuar. Me shumë mundësi, shqiptarët e sotëm rrinë në kafene më shumë se ata të kohës kur shkruante Vangjel Koça. Një gjë është e sigurit, që sot ka më shumë kafene në raport me popullsinë se në kohën kur shkruante Vangjel Koça. Por një tjetër problem me kafenenë shqiptare është se ajo edhe kur ka një pamje shumë moderne, në thelb nuk është gjë tjetër veçse mejhaneja orientale, me të gjitha traditat e saj.

Vangjel Koça thoshte kështu se reformat në Shqipëri duhet të nisin nga reformimi i kafeneve nga ndryshimi i tyre. Sepse kafenetë në Shqipëri ishin shndërruar në shkolla të formimit të keq të karakterit të njeriut shqiptar.

Faik Faik Konica, në “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, thotë se nga vëzhgimi i kafeneve të një vendi mund të kuptosh shumë për karakterin e popullit të atij vendi:

Të huajt që kanë vizituar Shqipërinë e kanë ditur këtë gjë, prandaj kanë vëzhguar kafenetë shqiptare. Dhe kafenenë shqiptare si plagë shoqërore e kanë vënë re edhe shumë të huaj. Kështu, Ambroz Bredli Kelli, një zyrtar i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, në 1922, si këndvështrimin më të mirë për të përshkruar zhvillimet politike dhe shoqërore në Tiranën e kohës, kishte zgjedhur kafenetë të cilat ishin qendrat e jetës shoqërore dhe politike në vend: Kafenetë që kaltërojnë nga tymi i duhanit dhe kundërmojnë nga aroma pikante

E njëjta gjë ndodh sot me kafenetë në Hotel “Sheraton” dhe në Hotel “Rogner”, të cilat kanë të njëjtin rol që kishte “Kursali” në Tiranën e kohës kur shkruante suedezi Auren. Ky gazetar suedez ua rekomandon të huajve kafe “Kursalin”, si një pikë të domosdoshme për atë që dëshiron të njohë vendin:

Prandaj “Kursali” është pikënisja e detyruar për këdo që dëshiron të informohet mbi politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit .

Në të njëjtën mënyrë sot të huajt që e kanë njohur tanime Shqipërinë dhe shkruajnë për të, i rekomandojnë Hotel “Sheratonin” dhe Hotel “Rognerin” (kafenetë e tyre) si vende që kanë në jetën shoqërore shqiptare atë funksion si dikur Kafe “Kursal”. At Gjergj Fishta ka qenë një kritik i rreptë i kafenesë shqiptare, si qendër e jetës politike-shoqërore-“intelektuale” në vend. Në 1923, Fishta shkruante për konceptet e gabuara që përhapeshin gjerësisht në opinionin publik shqiptar, nëpër kafenetë e vendit:

“ Nëpër kafe e mejhane të qyteteve të Shqipnis flitet, se politika s’ asht tjetër veç nji rrenë: por e kanë gabim; se politika asht një dije, mson si me u dhanë të mbarën popujve, e jo si me rrejtë botën e me mahitë kombet”

Njerëzit që bëjnë politikën dhe që qeverisin në Shqipëri, thotë Fishta me këtë, edhe për aq sa pretendojnë se kanë mësuar në Europë, duke shkuar atje, si udhëtarë apo studentë, nuk kanë marrë dije atje, sepse më shumë kanë vegjetuar në kafenetë e klubet e natës të qyteteve europiane, ku nuk merren dije e virtyte, por fitohen veset e këqija që përmend Fishta. E pastaj këto vese politikanët shqiptarë i kanë zhvilluar në kafenetë e restorantet e Tiranës, këto shkolla të formimit të keq të karakterit të njeriut ku dhelpëria, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia shpallen si cilësi për t’ u lavdëruar te njeriu. Që nga koha kur Fishta shkruante ashtu , ka kaluar rreth një shekull e megjithatë këto fjalë iu përshtaten qeveritarëve dhe politikanëve të sotëm shqiptarë, ndoshta më shumë se në 1924. Sepse politikanët shqiptarë janë formuar në kafenetë dhe restorantet, dhe atje e kalojnë një pjesë të madhe të kohës. Prandaj ata marrin votat e elektoratit të kafeneve. Po në vitin 1924, Fishta do të thoshte se politikanët kafeneve e shndërruan parlamentin shqiptar në kafehane:

E parlamenti, mbasandej, çka bani? Mjaft me kndue procesverbalet, për me u vërtetue se parlamentarët tonë e kanë hangër haram rrogën e vet, e se parlamenti për ta, në ket kohë qesati, ka kenë një burim jetese private e jo nji institut përparimi të përgjithtë. E po: kush nder parlamentarët tanë shkrehi punën për me përfaqsues intereset e popullit parlament? Kurrkush; por të gjith, a mos tjetër 85% sish, duelën prej “kafeve” e “mejhaneve” e shkuen në parlament. Zati, prandej u ba, mbasandej, parlamenti “kafehane”.

Fishta thotë që parlamenti u shndërrua në kafene në kuptimin që debati në parlament bëhej si në kafene. Imagjinoni se çfarë do të kishte thënë Fishta nëqoftëse do të kishte dëgjuar debatet në parlamentin shqiptar të kohës së sotme! Sepse nëse krahason debatet parlamentare të asaj kohe, me ato të sotmet, të duket se parlamenti shqiptar i kohës kur shkruan Fishta është parlamenti i një vendi perëndimor, jo i Shqipërisë. Nëqoftëse se parlamenti shqiptar i kohës së Fishtës ishte i ngjashëm me kafenetë e kohës, atëherë niveli i debatit në kafenetë shqiptare të asaj kohe duhet të ketë qenë më i lartë se sot. Dhe për rrjedhim niveli i debatit në kafenetë shqiptare të kohës së sotme duhet të ketë rënë shumë. Sherret me fjalë dhe jo vetëm me fjalë në parlamentin e sotëm shqiptar janë të ngjashme me sherret në kafenetë më të këqija të Shqipërisë së sotme.

Mendimtarët shqiptarë të asaj kohe e shikonin rolin e keq të kafeneve shqiptare nuk ishte vetëm se formuan politikanë të këqinj, por se formuan edhe intelektualë të këqinj.

Kuptohet se idealet nuk krijohen nëpër kafene, kështu që shumica e intelektualëve shqiptarë duke vegjetuar nëpër kafene nuk mund të sillnin ndonjë kontribut në Mendimin Shqiptar. Krist Maloki në artikullin e tij të famshëm “Oriental apo Okcidental”, duke shkruar për ndikimin e keq të kafeneve në formimin e të ashtuquajturve oksidentalë shqiptarë, rimerr idenë e Fishtës të vitit 1924, të cilën e citon, si dhe potencon tezën e Tajar Zavalanit, duke e parë edhe të ashtuquajturin oksidental shqiptar si njerëz që në Perëndim më shumë kanë vegjetuar nëpër kafene, sesa kanë marrë dije dhe prandaj në thelb nuk ndryshojnë nga orientalët shqiptarë. Por Maloki citon vetëm Fishtën, jo edhe Zavalanin.

Për fat të keq një dukuri e tillë është ringjallur sot në kafenetë e shumta të Shqipërisë, ku për provokime të kota, shpesh kanë krisur koburet dhe kallashnikovët dhe janë vrarë e plagosur shumë njerëz, madje jo pak prej tyre duke mos pasur lidhje me palët që grindeshin. Ne sot shohim se kafenetë zenë vendin e parë si skena krimi në kronikën e zezë në Shqipëri. Në një masë të madhe kjo gjë është rezultat i kotësisë shqiptare, për të cilën flet Mid’ hat Frashëri dhe së cilës ne vazhdojmë t’ ia vuajmë pasojat, dhe do t’ ia vuajmë sa kohë që nuk jemi marrë seriozisht me kurimin e saj. Pjesa më e madhe e atyre që grinden, duke u rrahur e duke qëlluar me armë njëri-tjetrin në kafenetë e Shqipërisë, kur pyeten për shkaqet e grindjes më pas, kur gjaku është ftohur, detyrohen të pranojnë se gjithçka ndodhi “ashtu kot fare”! Por nuk harrojnë të shtojnë se fajin natyrisht e ka pala tjetër. Kafenetë e Shqipërisë shpesh kanë qenë dhe janë akoma dhe sot skena të grindjeve e përleshjeve me armë, duke qenë ndër vendet ku janë vrarë dhe plagosur më shumë njerëz në Shqipëri.

Por megjithatë duhet thënë se pasionin për kafenenë si shprehje e vetisë së kotësisë, shqiptarët nuk e kanë një gjë ekskluzive.Stephanos Zotos një autor I emigracionit grek në SHBA ankohet për të njëjtën gjë, për bashkëatdhetarët e tij grekë. Ai shkruan me ironi se kafeneja në Greqinë e sotme ka zëvendësuar agorën e famshme antike greke, ku qytetarët mblidheshin për të diskutuar për çështjet publike:

Kafenetë janë zakonisht vende të mbushura me njerëz; njerëzit flasin dhe grinden për politikën, financën, problemet private, dhe disa nga diskutimet shndërrohen në përleshje me grushta. Nëse ne na pëlqen ose jo, grindjet e nxehta ndihmojnë në shkëmbimin e ideve pa të cilat vendi nuk do të ishte shtëpia e mendimit individual.Në këto kafene të panumërta, njeriu mund të dëgjojë çdo gjë përveç urtësisë së shëndoshë që mbisundonte në agorat e lashta, ku kishte lindur pjesa më e rëndësishme e madhështisë së Greqisë së Lashtë. Por çfarë ndodhi me këtë trashëgimi kaq të madhe për të cilën grekët e lashtë ishin kaq të famshëm?

Zotos shkruan veçanërisht edhe për dëmin e kafeneve greke në formimin intelektual të grekëve, në të njëjtën mënyrë siç kanë shkruar tek ne Tajar Zavalani dhe Krist Maloki disa dekada para tij.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa nga mendimtarët dhe intelektualët shqiptarë të sotëm. Ata rrinë në kafene dhe filozofojnë pa fund. Të tjerë, ekzemplar të vetëshpalluri profesor me diploma amerikane, rrinë në kafenetë e Perëndimit dha Amerikës dhe që atje u japin mend shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë sesi duhet t’ i rregullojnë punët e tyre./mapo.al

Share: