Sikurse gjatë gjithë këtij muaji, PD, partia më e madhe e opozitës, ka vijuar edhe ditët e fundit të denoncojë me emra zyrtarë të lartë të policisë, të vënë sipas saj në shërbim të drogës. Janë akuza shumë të rënda, që nuk mund të kalohen kurrsesi duke u fshehur pas gjethes së fikut me fraza të tilla “kështu e ka opozita”, “nuk u përgjigjemi akuzave të opozitës”.
Duhet thënë se opozita nuk ka bërë vetëm akuza. Ka sjellë prova dhe fakte. Ka bërë këtë vit çfarë nuk ka ndodhur ndonjeherë: ka hyrë me drejtues dhe anëtarë të saj në parcelat e drogës duke rrezikuar, ka sjellë pamje filmike, ka diktuar një betejë të panjohur që vazhdon sot e gjithë ditën ku opozita e tërheq policinë në detyrë me faktet që paraqet, kurse policia përfundon shpesh mes dy zjarresh: në një anë ligji, në anën tjetër interesat kriminale të bosëve me unformë e pa uniformë që përpiqen ta kalojnë me aksione selektive apo sa për shoë, por që padashje, nga forca e ngjarjeve, prekin edhe ndonjë parcelë që s’duhej prekur, raporton panorama.
Ne favor të akuzave të opozitës shkon edhe fakti se drogë zbulohet, drogë asgjësohet por me përjashtim të ndonjë roje a peshku të vogël, askush nuk kapet. Qeveria e ka për detyra të shtrojë pyetjen “kush qëndron prapa ndërmarrjes kriminale gjigande të drogës”. Qeveria e ka për detyrë të gjejë përgjigjen dhe të godasë me forcën e ligjit. Si ka mundësi që opozita dhe vetë banorët e zonave ku kultivohet drogë dinë gjithçka kurse qeveria lë të kuptojë se narkokultivuasit qenkan fantazma, alienë!
Me përhapjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin, droga e ka rrëzuar retorikën e Rilindjes se po bëjmë shtet. Droga e ka rrëzuar në fakt qeverinë e Ramës dhe Metës. Nuk ka nevojë që aksh qevritar apo ministër të kapet me presh në duar, duke dhënë porosi apo duke marrë tridhjetë përqindshin e drogës siç akuzon opozita. Qeverinë e rrëzon fenomeni. Fenomeni është katastrofik./Opinion.al