Në kryesinë e Kuvendit është mbledhur komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, ku po diskutohet projekt-ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Misioni i Bashkimit Evropian, Euralius, po prezanton projektligjin e rishikuar pas opinionit prej 55 faqesh të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike bën të ditur se është njohur vetëm mbrëmjen e shkuar me draftin ligjor dhe nga një vështrim i shkurtër, janë përgatitur opinionet për 25 nenet e para të pr/ligjit, për të cilat PD i ka dyfishuar në 47 nene.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me procedurat për emërimin e gjyqtarëve si dhe për nenet e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve që do të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve.
Partia Demokratike në një far mënyre rrëzon komplet draftin e pr/ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve, duke propozuar thuajse një draft komplet të ri.
Mbrëmjen e shkuar, nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe ekspertë të kësaj partie kanë zhvilluar një takim me ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS ku kanë diskutuar për draftin.
Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë për seancën plenare që do të miratojë ligjin në fjalë./opinion.al