Nga Arian Galdini
Duke qenë se jemi në prag të ceremonisë së Shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërsa pyes veten përse unë besoj tek e nesërmja më kujtohet mençuria e kësaj gruaje të madhe në fjalët e saj të thëna thjesht por goditshëm: ‘E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le tia fillojmë sot.’
Pikërisht tek këto fjalë unë gjej fillin e përgjigjeve për pyetjen time: Përse unë besoj tek e nesërmja? Fillin tim e pikëtakoj sot, dhe ‘sot’ unë i them vetes sime se unë nuk kam, se ne nuk kemi nevojë për fjalë e përbetime, përdëllime e ankimime, sot unë, sot ne duhet të vendosim.
E për tia nisur mbarë ne sot do të na volitet ti hedhim hapat me një qasje të re me shtysë e qëllim që jo vetëm ta nderojmë Nënë Terezën, sikundër mirësisht është bërë e do bëhet nga shteti, politika, institucionet fetare, grupet sociale, civile apo akademike shqiptare, me fjalë e fjalime, me përkujtimore, përshpirtje, lutje, koncerte, e memoriale, por ta nderojmë vërtetësisht dhe sinqerisht në plotësi dhe me përunjësi duke ndjekur dhe përbrendësuar shembullin e saj.
Pikërisht këtu tek nevoja madhore për përbrendësimin e modelit të Nënë Terezës fillon edhe ngasja për sfidën dhe betejën më të bukur e më të vështirë me të cilën mund të ballafaqohet individi, qytetari shqiptar i kohëve tona që ne vetë shpeshherë i konsiderojmë si kohë të marrëzisë.
Kjo sfidë është as më shumë e as më pak por sfida për të përsosur vetëveten. Kjo sfidë asesi nuk mundet tu kërkojë llogari të tjerëve, pretendojë nga të tjerët, presë nga të tjerët, etj, etj.
Kjo sfidë është mirëfilli një ekzaminim dhe ushtrim i drejtpërdrejtë i kapaciteteve për të ujdisur punët vetëm dhe vetëm me vetëveten.
Askush nuk na ndihmon dot në këtë sfidë, askush nuk na dëmton dot në këtë sfidë, përveç vetes sonë.
E të mendosh se udha nëpër të cilën kalon kjo sfidë është një paradoks i stërmadh i kohës dhe ambientit ku jetojmë.
Vini re pardoksin nëpër të cilin të gjithë ne jemi të detyruar e përcaktuar të kalojmë e durojmë, qofshim me veshë e sy të mbyllur apo të hapur, qofshim me mendje të mbyllura apo të hapura, të bindur apo të pabindur, me dinjitet apo pa dinjitet, me zemra kurajoze apo me zemra të trembura dhe frikacake.
Paradoksi është i dukshëm deri në dhimbje, i prekshëm deri në tronditje, ulëritës deri në gufosje, arrogant e shpërfillës deri në asgjësim të ndërgjegjes qytetare.
Paradoksi ynë: Të gjithë thonë se në ditët e sotme, në këto ditë të territ dhe keqnajës sistemike, në këtë mënyrë sesi fuknsionon sistemi këtu në vendin tonë të shtrenjtë, të jesh mashtrues është e domosdoshme, dmth e lehtë e gati-gati natyrshmëri. Të jesh i korruptuar, hajdut, i babëzitur e batakçi është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh servil, i bindur, kokëulur, është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të thurrësh lavde, e bësh hosanara për “Udhëheqësitë” dhe Shefat që të shpërblejnë e japin bukën e gojës apo karrirën e padrejtë dhe të mallkosh, mohosh, përbaltësh, fyesh e shash të gjithë të tjerët që janë jashtë rrethit tënd të interesit apo edhe thjesht pse janë të ndryshëm nga ty apo të kundërt me ty ështe e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh mediokër, i paaftë, i mbushur me xhelozi dhe zili sociale për të tjerët që rrezatojnë e shkëlqejnë nga talenti, kreativiteti, virtytet dhe mirësia, është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh mohues i palodhur, përbaltës, shpifës, biçakues i passhpinës, të tradhëtosh, shesësh miqtë, tia fusësh kujt të mundësh për përfitim personal apo në grup, të skemosh, është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh me vese, imoral dhe amoral, para-dashës, pushtet-dashës, famë-dashës me çdo kusht dhe çmim, është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Të jesh pa integritet, pa dinjitet, pa fytyrë, pa emër, pa numër (no face, no name, no number), të jesh firmëtar i bindur, është e domosdoshme, dmth e lehtë e natyrshmëri.
Ja kështu pra, mund të vazhdojmë gjatë e më gjatë me zbulesën e këtij paradoksi që në Shqipërinë e ketyre 25 – 26 viteve është shndërruar dalëngadalë në mënyrë e stil jetese.
Ndaj edhe them se në ditët e sotme kur në vendin tonë ka pllakosur kaq fort zezona, shthurrja morale, shpërbërja e dinjitetit, grabitja e pronës së shtetit dhe tjetrit, gardhëzimi i lirisë, trajtimi i shtetit si plaçkë lufte që ndahet për të shpërblyer ‘të babëziturit’ dhe ‘barbarët’ që luftuan apo bënë a mund të bëjnë numrat për fitoren, sfida e vërtetë, sfida kthjelltësisht dhe këmbëngultësisht personale është që të jesh kundër rrymës.
Sot ne Shqipëri, të jesh qytetar i thjeshtë që ke thjeshtë guximin dhe integritetin që ti dalësh me dinjitet e ndershmëri për zot vetes, familjes, qytetit dhe vendit tënd, është shumë e vështirë madje ne kufijtë e së pamundurës, dmth je kundër rrymës.
Të jesh i virtytshëm dhe të përballesh plot kurajo e urtësi me vesin kudo që e sheh, është kundër rrymës.
Të jesh i moralshëm është kundër rrymës.
Të flasësh me vërtetësi, drejtësi, kurajo, mençuri e urtësi kur të gjithë kanë frikë të flasin, është kundër rrymës.
Të jesh i mbushur me mirënjohje e të shprehësh parreshtur mirënjohje, në një kohë kur të gjithë e kanë shkulur me gjithë rrënjë pemën e mirënjohjes nga shpirti e mendja e tyre, është kundër rrymës.
Të mos pranosh padrejtësitë dhe paudhësitë e Shefave dhe Udhëheqësive arbitrare dhe abuzive, është kundër rrymës.
Të bësh gjimnasitikë të përditshme mendore dhe shpirtërore duke i thënë vetes çdo ditë papushim: Unë jam, Unë mundem; Unë jam qytetar i thjeshtë, i mirë ligjzbatues e i ndershëm, unë nuk vjedh, unë nuk mashtroj, unë nuk skemoj, unë nuk e shes votën e nuk mbjell kanabis, unë i dua shqiptarët, unë e dua Shqipërinë, unë e dua Perëndimin, është kundër rrymës.
Të ndërtosh moral personal, të ndërtosh vlerë publike nëpërmjet talentit, zotësisë, dijeve, përvojës, karakterit, dinjitetit dhe virtytit tënd, nëpërmjet angazhimit, pjesëmarrjes, fjalëve, aktivizmit dhe përfshirjes tënde është kundër rrymës.
Të ngjitesh lart, të arrish suksesin, të bësh karrierë të drejtë dhe të merituar, të realizohesh, duke ndihmuar, lartësuar, vlerësuar, mbështetur dhe ngritur të tjerët, është kundër rrymës.
Të flasësh fjalë pozitive, të falësh pa u lodhur e papushim ata që të lëndojnë e të bëjnë keq, të flasësh me dashuri dhe mirësi, të mendosh pozitivisht, të shpërndash paqe brenda vetes tënde dhe rreth e qark vetes kudo qe jeton, ecën, rri, e punon, është kundër rrymës.
Të kesh mendje dhe zemer ndërtimtare, ofruese, komunitare, të duash dhe respektosh të tjerët, këdo, të afërmit, të ndryshmit, të kundërtit, madje edhe armiqtë, është kundër rrymës.
Të mbrosh plot energji dhe parreshtur Lirinë tënde, të Drejtat e tua, hapësirat dhe pronën tënde, identitetin, integritetin dhe dinjitetin tënd personal, por edhe të të tjerëve, është kundër rrymës.
Të jesh mbi të gjitha i ngritur në lartësitë ku të ngre veç përunjësia dhe modestia, është kundër rrymës.
Kjo pra është edhe sfida jonë krejtësisht personale që nëse merr jetë dhe ngrihet në këmbë, i ka të gjitha shanset të përballet e ngjadhnjejë mbi çfarëdolloj paradoksi të së sotmes sado i madh, i palëvizshëm dhe i paprekshëm të duket ai.
Sikurse thotë Nënë Tereza: ‘…. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Ne kemi vetëm të sotmen. Ndaj le tia fillojmë sot.’
A mundemi ne tia fillojmë sot që të jemi kundër rrymës?
A mundemi ne ti bëjmë virtytin, talentin, zotësinë, dijen, moralitetin, aftësinë, dinjitetin, integritetin, si kërkesa të kohës?
A mundemi ti bëjmë këto kualitete trendy, prirje për breznitë e të rinjve dhe të kohëve që po vijnë?
A mundemi ti sjellim këto kualitete në modë?
E sigurtë është që të gjitha janë kualitete kundër-rrymës, dmth i kanë të gjitha shanset që vetëvetiu të jenë trendy dhe në modë.
Lum kush ka kurajo të jetë kundër rrymës.
E këtu sfida është për të gjithë ata që janë apo ndihen të rinj në moshë, të rinj në shpirt, të rinj në mendje, e kësisoj që kanë forca, energji, kurajo, mundësi dhe dëshirë për të qenë kundër rrymës e për të sjellë në Shqipëri këtë modë të re, këtë prirje të re.
Unë dhe miqtë e mij e kemi ndarë mendjen të jemi kundër-rrymës. Unë dhe miqtë e mij besojmë tek e nesërmja, sepse jemi të vendosur të punojmë për të.
Unë dhe miqtë e mij nuk jemi as më shumë e as më pak përveçse disa njerëz të thjeshtë, të kthjellët dhe të vendosur për të ofruar vetëvetet tona në betejën e madhe për transformim, europianizim dhe perëndimorizim të Shqipërisë.
Unë dhe miqtë e mij jemi thjeshtësisht njerëz në gatishmëri të shoqërisë.
Ne kemi vetëm vullnetin, vendosmërinë dhe qartësinë për të sfiduar vetëvetet tona për tu përsosur çdo ditë.
Ne nuk jemi më të mirët.
Ne nuk pretendojmë e as synojmë si qëllim në vetvete të jemi më të mirët.
Ne nuk jemi të veçantë apo ku di unë çfarë.
Jemi thjesht njerëz që kanë gjetur arsyet, ndriçimin dhe çlirimin për kurajo për të bashkëudhëtuar me njëri-tjetrin, për tu vënë në gatishmëri të shoqërisë dhe vendit tonë, e për të punuar e luftuar fort që në Shqipëri të vijë një modë e re, një kohë e re, një prirje e re.
Ne jemi kundër-rrymës.
Dhe a e dini pse unë besoj tek e nesërmja, pse ne besojmë tek e nesërmja?
Sepse ne dimë të buzëqeshim, ne dimë të argëtohemi, ne dimë ta jetojmë jetën, ne kërkojmë më të mirën për jetën tonë.
Ne duam të buzëqeshim, duam të argëtohemi, duam ta jetojmë jetën plot ngjyra e larushi.
Ne dimë e duam plot buzëqeshje të themi: Të jesh me Virtyte, Dije, Talente, Zotësi, Mençuri, Moralitet dhe me Dinjitet, Je Mbret!!!
Të jesh me Virtyte, Dije, Talente, Zotësi, Mençuri, Moralitet dhe me Dinjitet, Je Pasha!!!
Të jesh me Virtyte, Dije, Talente, Zotësi, Mençuri, Moralitet dhe me Dinjitet, është edhe Moda.
Si përfundim, ka vetëm dy pyetje që gjithësecili prej nesh volitet ti bëjë vetes: Nëse jo unë, atëherë, kush? Nëse jo tani, atëherë, kur?
Përgjigja që unë i kam dhënë vetëvetes, përgjigja që miqtë e mij i kanë dhënë vetëveves është: Unë jam, Unë mundem. Ne jemi, Ne mundemi. Koha është tani!!!