Ardhja e muxhahedinëve, apo azilkërkuesve në Shqipëri, e ka gjetur qendrën e pritjes në Babrru të “papërgatitur”. Ministria e Brendshme ka hapur një tender për të blerë smartphone dhe laptop për këtë qendër, ndërsa nuk dihet përse duhen këto pajisje.
Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues ka hapur këtë tender me emërtimin “Blerje pajisje dhe produkte zyre”. Fondi limit është 1.840.000 lekë dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 10 ditë nga data e lidhjes së kontratës.
Në pritje të procedurave të statusit të azilantit, muxhahedinët qëndrojnë për disa muaj në kamp dhe më pas strehohen në banesa në periferi të Tiranës, të përcaktuara nga qeveria dhe organizatat në mbrojtje të tyre. Në bazë të marrëveshjes me SHBA-të, në javët në vijim në Shqipëri pritet të mbërrijnë edhe disa qindra muxhahedinë të tjerë. Ata janë tashmë në procesin e integrimit në shoqërinë tonë.
Sipas portalit online në Iran, “Fars News Agency”, rreth 155 muxhahedinë kanë mbërritur gjatë muajit gusht në Shqipëri. Në shkrim thuhet se, grupi i muxhahedinëve erdhi në Shqipëri me një avion privat amerikan dhe ata janë strehuar nëpër banesa private.
Lajmi konfirmohet edhe nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat pohuan se një avion me muxhahedinë është ulur në aeroportin e Rinasit para pak ditësh./Syri.net