Ethet që kanë zënë Edi Ramën për kapjen e numrit magjik “71”, me të cilin do të flakte më në fund LSI-në dhe Ilir Metën nga qeverisja, pasqyrohen më së miri në mediet e urdhëruara prej tij. Përveç takimeve të shumta “kokë më kokë” nëpërmjet sekserëve, Rama ka rritur diversionin ndaj opozitës, aty ku edhe shpreson të sigurojë votat që i duhen për të mbajtur pa Ilir Metën, edhe 1 vit qeverinë. Jo se nuk po punohet me deputetët e LSI-së, por investimi më i madh po bëhet brenda opozitës, herë me oferta dhe herë me anë të përhapjes së lajmeve përçarëse. Këtë mision, më së miri po e kryen Mero Baze.
Ai ka hedhur në eter lajmin, se sipas “burimeve të tija të sigurta” brenda opozitës, janë plot 14 deputetë të cilët në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nuk do të futen në listat e Partisë Demokratike. Nëpërmjet këtij lajmi lihet të nënkuptohet, se këta deputetë të opozitës janë të informuar për këtë fakt, dhe në shenjë hakmarrje ndaj Lulëzim Bashës, mund të jenë potencial i madh për të bashkuar votat, me një qeveri që nuk do të quhet socialiste, por kryeministër do të ketë sërish Edi Ramën.
“Do të jenë 14 deputetë me gjithë kreun e LZHK Dashamir Shehi ata të cilët nuk do të jenë më pjesë e garës për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhëm. Një pjesë si kundërshtarë të Bashës për reformën në drejtësi, Kastriot Islami në pension politik, ndërsa është në dyshim Jozefina Topalli. Situata në Partinë Demokratike, pavarësisht në dukje e qetë është tepër e trazuar. Lulzim Basha kreu zyrtar i demokratëve po e mban me vështirësi presionin që i vjen nga të gjitha anët për të goditur të gjithë ata deputetë që nuk kanë qënë në të njëjtën “korsi” politike me lidershipin e PD për draftin e reformës në drejtësi, teksa janë deklaruar “pro” para se të arrihej marrëveshja konsensuale për reformën…Deputetët që e deklaruan votën ‘pro’ kanë qënë Eduart Selami, Majlinda Bregu, por pro ka qënë dhe Astrit Patozi dhe deputetë të tjerë të cilët nuk ishin për acarim të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Me sa duket historia do të përsëritet, duke e goditur gjithë këtë grup deputetësh të cilët mendohet se janë afër 14 të tillë që janë vënë nën shënjestrën e shtypit pranë PD, në shënjestrën e eksponentëve të caktuar të PD dhe që do të startojë me lënien jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm të këtij grupi deputetësh që në një formë apo tjetër kanë mbajtur jo vetëm peshën e qeverisjes tetë vjeçare në Shqipëri, peshën e debatit parlamentar në tetë vite e më shumë, por dhe janë palca e PD në tërë këto vite. Dhe nëse është kundërshtuar lidershipi sidomos në situata që kanë qenë në përballje me SHBA dhe BE atëherë largimi i tyre përmes një linçimi më parë është tërësisht i sigurt”, shkruan “Tema e Mero Bazes.
Vini re çfarë diversioni i paturp vetëm e vetëm që Rama të mos lëviz prej karriges kryeministrore!
“Do të startojë me lënien jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm të këtij grupi deputetësh, që në një formë apo tjetër kanë mbajtur jo vetëm peshën e qeverisjes tetë vjeçare në Shqipëri, peshën e debatit parlamentar në tetë vite e më shumë, por dhe janë palca e PD në tërë këto vite…”, mburr, merr në mbrojtje dhe quan “palca e PD” Baze, pikërisht ata deputetë ( Ritvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Myqerem Tafaj, Kastriot Islami, Mhill Fufi, Astrit Veliaj, Igli Cara etj), të cilët i ka degjeneruar me shpifje nga më të ulëtat, deri dje, në medien e tij.
Opozita duket se është në pozicion komfort në këtë luftë dhe garë që ka plasur mes Ramës dhe Metës, për numrin “71” të votave, pra “o unë o ti” në qeveri. Prandaj edhe reagimi i menjëhershëm i këtij diversioni ka ardhur pa vonuar me një kundërdiverison, nga Ilir Meta.
Nikoll Lesi te “Koha Jonë” dhe Artur Zheji në portalin e tij “360Gradë”, të cilët shquhen për “respektin” ndaj kreut të LSI, në shkrimin “Ja deputetët socialistë të cilët nuk do jenë në listat e ardhshme të Ramës” zbardhin një listë me plot 28 emra të cilët, edhe këta sipas “burimeve të sigurta” Rama do ti flakë gjatë zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas tyre, nuk do të jenë përfundimisht në listat e Ramës për zgjedhjet e ardhshme:
1-Adelina Rista
2-Anastas Angjeli
3-Andrea Marto
4-Antoneta Dhimo
5-Arben Çuko
6-Ben Blushi
7-Besnika Karaj
8-Bujar Çela
9-Dashamir Kamberi
10-Eduart Bejko
11-Eduart Ndocaj
12-Erjeta Alhysa
13-Fatmir Toçi
14-Ilir Xhakolli
15-Luljeta Arapi
16-Mimoza Hafizi
17-Mira Shehu
18-Ilir Xhakolli
19-Koço Kokëdhima
20-Musa Ulqini
21-Namik Dokle
22-Namik Kopliku
23-Pjerin Ndreu
24-Rakip Suli
25-Shkëlqim Cani
26-Shkelqim Troplini
27-Vladimir Kosta
28-Ylli Ziçishti/Syri.net