Ne kemi braktisur në masë apo përpiqemi çdo ditë të gjejmë mundësi për ta braktisur atdheun tonë “të dashur” për ndonjë “atdhe” më të ëmbël, por nuk pranokemi dot që kosovarët kanë të drejtë të luajnë futboll për Kosovën! Hipokrizi totale!
Ndoshta produkt i kompleksit të inferioritetit për mungesën e arritjeve dhe mbetjen mbrapa nga bota e qytetëruar—kompleks nga i cili përpiqemi të çlirohemi duke ju hakërryer kosovarëve, të cilët në mënyrë perverse i mendojmë më pak të denjë se vetja.
Bëhuni burra, njerëz, dhe gëlltiteni: Kosova është vend i mëvetëm. Kosovarët kanë vuajtur shumë për t’ja arritur kësaj dite dhe gjëja e fundit që kanë nevojë janë leksionet e frustruara të hipokritëve të këtejmë, të cilët pasi kanë dështuar të ndërtojnë një shoqëri normale dhe të denjë për fëmijët e tyre, duket se bëjnë autoterapi duke ju dhënë leksione kosovarëve se si të jetojnë jetët e tyre.
Shikoni hallet tuaja, njerëz, e mbi të gjitha ruani kokën nga njëri-tjetri, se kanë ardhur kohë të këqija kur të ikën jeta për hiç mos gjë, nga ndonjë bashkëatdhetar.