Home KRYESORE Syri.net: Urdhëri i Ramës: Bëni “Dosjen LSI”, me “pisllëqet” e njerëzve të...

Syri.net: Urdhëri i Ramës: Bëni “Dosjen LSI”, me “pisllëqet” e njerëzve të Metës

Prej më shumë se 3 muaj, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka urdhëruar vartësit e tij, të dokumentojnë çdo veprimtari të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjitha institucionet shtetërore që drejtojnë, por edhe në të tjerat ku janë të punësuar. Një burim shumë afër kryeministrit, i pyetur nga “Syri.net”, për këtë çështje jo vetëm që na e konfirmoi këtë urdhër verbal të Ramës, por shtoi se “kjo histori është e vjetër, të paktën që në muajin maj të këtij viti”.

Sipas këtyre informacioneve, mësohet se Rama është duke përgatitur një dosje voluminoze për aleatin e tij bashkëqeverisës, të cilën duket se do ta përdorë në kohën e duhur në rast divorci, por edhe tani e në vazhdim, si mjet shantazhi. Njerëzit kryesor që po merren me përgatitjen e “Dosjes LSI”, janë ministrat socialistë. Mësohet se së pari, ata po investigojnë dhe po mbledhin dëshmi në dikasteret që drejtojnë vetë, për zëvendësministrat, drejtorët qendrorë apo rajonalë dhe çdo të punësuar tjetër të LSI-së. Me shpejtësi, janë mbledhur dhe po vazhdon grumbullimi i dëshmive, dokumenteve, dhe çdo të dhëne tjetër që implikon njerëzit e Metës në korrupsion, apo keqmenaxhim të punëve. Të njëjtin urdhër kanë marrë njerëzit e PS-së, edhe në ministritë apo drejtoritë që drejtohen nga njerëz të partisë së Ilir Metës. Pushteti është ndarë në mënyrë të tillë, që në çdo institucion, nëse drejtori është i LSI-së, zëvendësi është i PS-së dhe anasjelltas. Pra LSI, është krejtësisht e markuar nga njerëzit e Ramës, edhe në ato vende ku duket se çelësat e institucionit i ka ajo. Nuk dihet se deri në çfarë pike është zbatuar ky urdhër i Ramës, por mësohet se dosja që vazhdon dhe përditësohet me shpejtësi është shumë voluminoze dhe për disa raste me fakte tronditëse.

Mosbesimi, ankesat, protestat e vazhdueshme, edhe direkt te Edi Rama, kanë qenë të pranishme te përfaqësuesit e PS-së që në fillim të ndarjes së tortës së pushtetit mes dy aleatëve-armiq. Por nuk është lënë vetëm me kaq, pra me dokumentim. Kanë qenë vetë përfaqësuesit e PS-së në qeverisje, veçanërisht Ministria e Brendshme e Saimir Tahirit të cilët janë kujdesur që skandalet, “kapjet me presh në dorë” në korrupsion, në çështjen e pagesave të dritave, aksidentet, tenderat, punësimet kundrejt pagesës, skema korruptive e ilaçeve etj, jo vetëm të bëhen publike, por edhe të shoqërohen me arrestime të zyrtarëve të LSI.

Puna serioze për krijimin e kësaj dosje ka nisur pranverën e këtij viti, në kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes Metës dhe Ramës. Përkon me zhvillimin dhe përpjekjen e kryeministrit, për realizimin e planit të tij për të votuar Reformën në Drejtësi, pa opozitën me vetëm 94 vota. Rama synonte që nëse e realizonte këtë gjë, të përçante fillimisht opozitën, të merrte autorësinë personale të reformës përpara opinionit dhe pas kësaj, të siguronte edhe mini maxhorancën në parlament, mbi 71 vota, për një qeveri pa Metën.

Mësohet se në takimet intensive që Rama kreu gjatë muajit korrik me ministrat, deputetët dhe krerët e PS-së në rrethe, tema kryesore ka qenë “halli-LSI”. Rama më në fund, jo vetëm që është bashkuar me grupin anti Meta në PS, i cili përfaqësohet nga Doshi dhe shumë të tjerë, por edhe është shndërruar në frymëzuesin e tij. Në këto mbledhje të zhvilluara gati në mënyrë masonike, dokumentimi i “pisllëqeve” të njerëzve të Metës dhe atij vetë, ka qenë detyra kryesore që u është lënë pjesëmarrësve. Më të zellshmit janë treguar kryetarët e degëve të partisë në rrethe dhe më pak pak optimist disa ministra që njihen si bashkëpunues me Metën për punësimet apo çështje të tjera të ndarjes së tortës. Në funksion të kësaj ka qenë edhe përgjimi që i ka bërë Tahiri kryetarit të Kuvendit personalisht, por edhe ministrave të tij, deputetëve, drejtorëve dhe rrethit miqësor e familjar.

Për të kuptuar, se deri ku ka arritur impenjimi i ministrave dhe njerëzve të Ramës në PS, për të spiunuar dhe grumbulluar fakte komprometuese për njerëzit e Ilir Metës në qeverisje, “SYRI. net”, po ju sjell një episod të vogël skandaloz, por që tregon shumë për atë që ju raportuam më lartë.

petriti-allias-redi-logoProtagoniste është vetë një nga ministret e afërta të Edi Ramës, Milena Harito. Duket se Rama ka ngritur një rrjet të tërë informativ, për të mbledhur të dhënat e njerëzve që ankohen për institucioneve që drejtojnë njerëzit e LSI. Kështu vetë ministria Harito, i dërgon mesazh në telefon një qytetari, i cili ka probleme prone me hipotekën që drejtohet nga njeriu i Ilir Metës, Ilirian Muho (Shih foton e mesazhit). Vetë ministria i kërkon qytetarit të cilin duket e ka ngatërruar me dikë tjetër që ta “spiunojë” direkt tek ajo, për shërbimin që i është ofruar nga institucioni i LSI.

Por qytetari, i habitur nga ky mesazh, i kujton ministres se mesa di ai, hipotekat janë në kompetencë të ministrit të drejtësisë Ylli Manjani i cili është i LSI-së, apo…

Mijëra “investigime” dhe mesazhe të ngjashme po bëhen nga njerëzit e Ramës për funksionarët dhe punonjësit e LSI. Duket se edhe vetë Ilir Meta është në dijeni të gjithë kësaj, por përveçse të porosisë njerëzit e tij që të jenë më të kujdesshëm dhe të bëjnë, edhe ata një kundër-dosje për ata të PS-së, nuk ka çfarë bën tjetër, përderisa me sa duket edhe nga zhvillimet e fundit, më shumë e josh pushteti që ndan me Ramën, sesa e frikëson gropa që ky po i hap me shpejtësi.

“Dosja LSI”, trashet çdo ditë. Koha do ta vërtetojë se përse dhe kur do ta përdorë Edi Rama./Syri.net

Share: