Home KRYESORE Tre fitore të Ramës dhe rënia morale

Tre fitore të Ramës dhe rënia morale

Nga Artur Zheji

Kryeministri, fitoi fill mbas 21 korrikut të paktën tre beteja të rëndësishme që lidhen me pushtetin.

E para, me anë të sekserëve deputetë, super të pasur dhe të superpasuruar nën pushtetin e tij, ai ja mbrriti të krijoi një “kundërlojë” ndaj frikës së Metës që kërcënoi, diku hapur, diku tërthorazi, se do ta rrëzontë qeverinë. Me “blerje” të deputetëve të Opozitës, me oferta të “pakundërshtueshme” ndaj të paktën 2 deputetëve të Aleatit, kryeministri e mbushi një pjesë të “gropës” që do të hapte Meta.

Së dyti, në mënyrë magjike dhe të pakuptueshme, ai vuri në “gjumë” dhe “bleu” heshtjen e të “rrebeluarit elokuent” Ben Blushi. Se si ndodhi, e se si nuk ndodhi, askush nuk e thotë dot qartazi, por ndonjë postier enigmatik do të ketë hedhur në kutinë e postës të Ben Blushit, letrën me “recetën” dhe “formulën” çudibërëse. Dikush thotë ofertë e sigurtë e një posti të rëndësishëm, dikush tjetër thotë një temë për një roman, dhuruar nga kryeministri shok dhe armik, dikush tjetër, diçka krejt tjetër dhe më materiale. Por në fund të fundit kjo nuk ka fare rëndësi, në një periudhë shumë të vështirë për kryeministrin, Blushi, përmes heshtjes dhe strehimit në Dardhë apo diku tjetër, la të kuptojë se do të votonte një Qeveri Rama2. Efefekti Blushi ishte shumë i rëndësisishëm për Ramën sepse i siguronte atij një demoralizim të “rrebelëve” apo të pakënaqurve të tjerë potencialë.

Fitorja e tretë, ka të bëjë me një apo më shumë shishe me verë që rrëkëlleu sëbashku më Aleatin, Metën, pas një ftohjeje reale dhe shumë të gjatë. Një Armëpushim politik, që i jep mundësinë qeverisë së tij të dështuar, të ecë përpara, me numra të rregullt. Tanimë në koalicionin e nënvizuar PS-LSI-PDIU, ku PDIU e Idrizit, është rezerva e dytë, mbas nënshtrimit apo “hipnotizimit” që Rama u bëri fraksioneve në brendësi të PS. Është e habitshme, ndoshta jo e paparashikuar, që PDIU, u bë gati në rastin e krizës reale qeverisëse, të rrëmbente vendin e Metës. Ndonëse Idrizi, mbante deri vonë, një pozicion të barazlarguar ndaj Metës dhe Ramës.

Armëpushimi në të vërtetë, i shërbeu Ilir Metës, edhe si një “stërvitje terreni” që vuri në sprovë, deklaratat nga aktet dhe fjalët nga veprat, e mjaft aktorëve politikë dhe jo vetëm. Meta, me këtë rast, bëri një bilanc të ri, real dhe të prekshëm, të miqve të deklaruar dhe kundërshtarëve të padeklaruar dhe këtu mjeshtërisht e detyroi ai vetë Ramën, që të nxjerrë zbuluar kartat e veta sekrete të “situatave të jashtëzakonshme”.

Dhe strukturat e “kollonave të pesta” te kryeministrit dolën hapur përgjatë 48 orëshit që pritej veprimi i mocionit të mosbesimit nga ana e Ilirit. Mocion që nuk bë asnjëherë, pavarësisht se u çua psikoza e përgjithshme, se ishte çështje orësh dhe minutash.

Është e vërtetë që Meta e humbi këtë rast dhe ky është një minus i fortë taktik për të, por njëkohësisht pati rast që të kishte mbi tryezë listën e vërtetë, të “tradhëtarëve” në radhët e tij dhe të të tjerëve që në zyrë të tij, përbetoheshin në mënyrë të rreme, për kokën e tij dhe kundër kokës së Ramës.

Por Rama nuk është as i shqetësuar dhe as i dëmtuar shumë nga kjo. Ai synon shumë më tepër, ai synon të paktën mposhtjen e Metës në mënyra të tjera dhe përgjysmimin e partisë së tij, në terren elektoral. Sepse Rama, nuk do një fitore të pjesshme, por një fitore të plotë dhe të përgjithshme kundër tij.

Kush ishte disfata morale e kryeministrit?

Në panikun e emergjencës së rënies së Qeverisë së vet, ai, përpara të gjithë atyre që sidoqoftë ruanin ende një pritshmëri tejet të durueshme, rrëfeu se ishte gati të fuste në qeveri të vet çfarëdo malli dhe çfarëdo plaçke dhe që vinte nga çfarëdo origjine.

Duke zbardhur publikisht se nuk kishte as edhe një pengesë morale, përkundrejt panikut e të mbeturit pa një pushtet kryeministror. Duke vetërrëzuar kësisoj, krejt ngrehinën e rreme të deklaratizmit të tij, për një gjoja “Epërsi Morale”, të partisë së vet të rilindur dhe të grupit të tij drejtues.

Jo se nuk e dyshonte apo nuk e mendonte njeri, porse kësaj rradhe u detyrua, ai vetë, kryeministri, ta afishonte me gërma të mëdha.

E pra, nuk ishte ai që kish nevojë për çdo “qelbësirë” për të mposhtur Berishën dhe për të sjellë në jetë qeverisjen e tij.

Por është qelbësirllëku i pushtetit që ai kërkon me çdo kusht, kalbësira morale që qelbet kaq shumë nëpër Shqipëri.

Kalbësira e sistemit të shëndetësisë.

Kalbësira e moskontrollit të krimit dhe drogës.

Kalbësira e aleancave me çfarëdo segmenti gri apo të zi të shoqërisë shqiptare.

Kalbësira e antivlerave, që ai, kryeministri, një shitës i shkëlqyer i çorbës së prishur, shet çdo ditë si ushqim shprese për një Shqipëri më të mirë dhe të rilindur./360grade.al

Share: