Home KRYESORE “Vettingu” do të kryhet nga ekspertët amerikanë dhe zyra juridike në Bruksel

“Vettingu” do të kryhet nga ekspertët amerikanë dhe zyra juridike në Bruksel

Por, në të vërtetë asgjë nuk ka ndryshuar nga drafti i parë i reformës në drejtësi, në pikën për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.

Zyra juridike e Brukselit në bashkëpunim me ekspertët amerikanë të FBI-së do të përgatisin të gjithë infrastrukturën e nevojshme për kryerjen e procesit të vetingut.

Në kushtetutë roli i tyre është përcaktuar si asistues, por në të vërtetë ata do të kujdesen për të gjitha detajet e përgatitjes së infrastrukturës për këtë proces.

Burime zyrtare nga komisioni i reformës në drejtësi, i thanë 27.al se prokurorët shqiptarë që po përzgjidhen dhe do të kenë të drejtën ligjore për të kryer këtë proces, do të jenë të asistuar në çdo hap, në çdo detaj të tij.

Me pak fjalë, vetingu do të kryhet nga ekspertët e huaj, ndërkohë që do të marrë vulën e prokurorëve shqiptarë. Këta të fundit janë përzgjedhur me shumë kujdes për të qenë në lartësinë e duhur të detyrës, të cilën ata do ta firmosin si proces të kryer prej tyre.

Roli i ndërkombëtarëve në proçesin e vetingut ishte pjesa më e diskutuar e miratimit të reformës në drejtësi, kryesisht ditët e fundit në prag të miratimit në Kuvend të saj.

Ka qenë opozita që këmbënguli në verifikimin me kujdes të rolit të ndërkombëtarëve, për gjoja moscënimin e sovranitetit të Shqipërisë.

Pas shumë negociatash u gjet formula e duhur dhe reforma në drejtësi u miratua me votat e 140 deputetëve të Kuvendit. Pati nga ata që nuk e votuan nenin për rolin e ndërkombëtarëve, por në një numër të papërfillshëm votash në Kuvend.

Ndryshimet kushtetutese u votuan midis natës së 21 e 22 korrikut ndërsa shtatë ligjet e reformës në drejtësi nuk janë votuar ende.

Janë shtatë ligje që e bëjnë funksionale kushtetutën e re, të cilat pritet të votohen brenda këtij muaji. Megjithë thirrjet e ndërkombëtarëve, palët në politikën shqiptare mundën ta shtyjnë procesin e votimit të shtatë ligjeve, në një marrëveshje të dukshme mes tyre.

Nuk pati asnjë ngut për miratimin e këtyre ligjeve as opozita, por as mazhoranca, as Basha as Meta, por as Rama.

Megjithatë, miratimi i shtatë ligjeve është një proces që do të ndodhë shpejt, i cili do t’i hapë rrugë proçesit të vetingut të gjyqtarëve e më pas atij të politikanëve e gjithë zyrtarëve të shtetit shqiptar./360grade.al

Share: