Një vajzë 10 vjeçare është nxjerrë nga rrënojat në Pescara del Tronto shkatërruar keq nga tërmeti në Italinë Qendrore. Në mbrëmje, tri gra vraponin në atë çka ka mbetur nga rruga e qytezës dhe bërtisnin “Ajo është gjallë”. Shefi i Zjarrfikësve, Danilo Dionesei, ka konfirmuar se pas 17 orësh vajza është nxjerrë e gjallë nga nëntoka dhe është dërguar në spitalin më të afërt. Ai nuk dha shumë detaje për gjendjen e saj. Motra e saj nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndërkohë pranë shtëpisë së vogëlusheve ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të shpëtonin edhe një gjyshe dhe dy mbesat e saj, të cilat kishin mbetur të bllokuara thellë. Por, fatkeqësisht, pas shumë orësh gërmime, ato arritën të nxirren në sipërfaqe, por të pajeta.