Nga Zef Shtjefni.
Kush e merr rrugën për në Kosovë i bie në sy mënjëherë se rrugës së Kombit i mungojnë pjesë të tëra, i mungojnë shumë ura, nuk ka standartet e një autostrade europiane, ka një ndryshim të madh me pjesën e Kosovës etj. Ajo është e cungur në të dyja ekstremet e saj. Në hyrjen nga Kosova, deri në dalje të Kukësit mungojnë të gjitha urat dopio.
Bile ajo e Kukësit mungon fare, sepse ekzituesja është bërë që në kohen e Partisë së Punës. Por gjithë segmenti nga Morina deri në distancë 10-15 km përtej Kukësit ka një ndryshim të madh standarti me pjesën tjetër. Ky segment të duket si ato rrugët e shtruara qëmoti. Fshatarët kanë vënë kudo shkallë druri në te që të kapercejnë hekurat ndarës, sepse nuk është lënë asnjë mbikalim. Nuk ka korsi emergjence thuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës .
Mbrojtja e rrugës në një terren të tillë të vështirë është për të vajtuar.Jo vetëm rrjeti kundër kafshëve, por dhe pritat, çimentimet e gurëve, devijimet e rrekeve mungojnë gjithandej. Si pasojë shëmbja e dherave është problem i madh në çdo stinë të vitit. Kur zbret nga malet afër Rreshenit,aty përfundojnë tabelat jeshile. Edhe më lart ato duken banale me nivelin që ka rruga.Tabela të mëdha kostoze jeshile si të autostradave europiane tregojnë në mënyrë qesharake FAN CENTER, REPS NORD etj., kur në rrugë nuk ka as rrjeta të thjeshta mbrojtëse dhe ku në disa vënde jane hequr dhe ndarëset e mesit për të kaluar mjetet nga njëra anë në tjetrën..!
Aty në Rreshen mbaron gjithҫka. Pikërisht aty ku e pat dërguar Pandeli Majko trasenë me taksën e rrugës së Kombit. Këto para e investime Bektel Enka i gëlltiti pa nam e nishan. Aty tek ura e Fanit në Rreshen përfundon gjithҫka. Aty paratë mbaruan, u avulluan. Aty rruga u ndal. Një korsi është mjaft, kanë menduar Berisha me Lulin, kur mbaruan paratë. Dhe pikërisht aty ku trafiku vjen e shtohet, aty rruga ngushtohet. Aty e më poshtë nuk ka më shenjë autostrade. Segmenti tek që vijon deri në Milot është tregues i idiotësisë së qeverisjes sonë. Na e thanë FMN e BB se për 10 vite është e mjaftueshme njëra korsi për trafikun që është në këtë rrugë.
Pas 10 viteve mund të mendoni të bëni tjetrën anë të saj, për të mos bukosur buxhetin e shtetit e që rruga të jetë fizibile. Po kush kishte veshë t’i dëgjonte. Se mos e kishin hallin tek rruga politikanët tanë. E kishin tek paratë, sepse ndrysh i bie se rrugën do ta kishin mbaruar për dy vite, siç patën premtuar e vendosur. E lanë gjithë vëndin për 8 vite në mjerim investimesh prej asaj rruge që nuk po mbaron kurrë dhe është kthyer në një gropë të madhe për buxhetin tonë të varfër, tani edhe për ta mirëmbajtur. Një copë e autostradës së Kombit rifillon copa e zhele nga Miloti deri në Borizanë, por aty ka ngecur prej 8 vitesh edhe ajo.
Qeveria PS-LSI i ka dhënë prioritët investimeve të brëndeshme, qëndrave të qyteteve dhe me ritme të ngadalta po bën sikur po vijon me urat që i mungojnë rrugës së Kombit. Kontrolli i Lartë i Shtetit na thotë se rrugës së Kombit i janë vjedhur 230 milion euro. Kësaj rruge të bërë pa tender, të bërë me ndërmjetësinë e Tom amerikanit e amanetin Bektelin e Bush plakut dhe Enkën e Erdoganit. Kësaj rruge që i mungonte projekti dhe preventivat, që e kundërshtonin thuajse të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare si jo fizibel, ”patriotët tanë të mëdhenj” ia paguan paratë tona, por ajo mbeti pa mbaruar. Na mungon më shumë se 1/4 e saj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit tonë lëshoi britmën e kohës. Janë vjedhur 230 milion euro të rrugës, tha ! Prandaj rruga nuk mbaroi. Po ti kishim ato 230 milion euro, rrugën do ta kishim të përfunduar dopio deri në FushëKrujë. Do ta kishim me të gjithë paramentrat europianë të autostradave. Bile do të kishim pasur dhe koncesionarin e mirëmbajtjes me kohë që ajo të mos katandisej kështu siç është sot. Paratë u vodhën ditën për diell dhe Qeveria aktuale nga mungesa e parave, po ecën si breshka me punimet. Bile ajo nuk është e zonja as të bëjë akuza e të kërkojë ku kanë shkuar 230 mln eurot që thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Mbase nuk do, mbase nuk di, mbase nuk ia var njeri në Prokurori..! Vetëm shiriti i inaugurimit të Berishës pa mbaruar tuneli, i cili u shemb na ka kushtuar afro 15 mln euro riparime. Për fat nuk zuri brënda njeri, sepse inxhinierët qëndruan vigjilent ,ngaqë e dinin se do shëmbej.
Po ç’t’i bënin një të lajthituri që i urdhëroi të hapnin kalimin me dhera e gurë mbi kokë. Shtatë herë ia ka prerë shiritat kësaj rruge ish-qeverisja e PD-së. Por dhe 7 vite pas saj rruga nuk do të mbarojë. Na mungon një pjesë e madhe e saj dhe pjesa tjetër është bërë jashtë standarteve europiane. Kjo, sepse janë vjedhur 230 mln euro pa lënë gjurmë, ka thënë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe askush nuk po e lëviz dot nga vendi këtë mal të madh hajnie..! Janë të zënë me kuponat e kasave fiskale të domateve e kafeve dhe me brimën e brekëve të Shukriut..!
Turp që merreni me një “vrimë b…” të Shukriut dhe nuk shikoni vrimën e madhe të Rrugës së Kombit !/Koha Jone