Turisti rus Denis Kaiumov ka vdekur nga shoku i rëndë traumatiko-hemoragjik, si pasojë e dëmtimeve që janë shkaktuar me mjete të forta mprehtëse me mekanizmin e goditje –përplasjes.
Ky është konkluzioni paraprak i ekspertëve mjeko- ligjor, të cilët kanë konstatuar tre plagë të thella që dyshohet të jenë shkaktuar nga helikat e motorëve të skafit.
43-vjeçari ndërroi jetë pak minuta pasi iu dha ndihma e parë, në spitalin e Himarës.
Ndërsa hetimet janë përqendruar për të provuar lidhjen shkakësore midis skafit të sekuestruar të 44-vjeçarit Fatmir Kuçi dhe plagëve në trupin e viktimës.
Fatmir Kuçi u arrestua si i dyshuar për goditjen nga pakujdesia të turistit rus, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ai i mohoi akuzat, me pretendimin se i dha vetëm ndihmën e parë.
Menjëherë policia kufitare ka nisur një operacion në shkallë të gjerë, për bllokimin e mjeteve të lundrimit pa dokumentacionin përkatës.
Zyra e shtypit të policisë së shtetit bëri me dije se vetëm sot janë bllokuar 7 mjete, ndërsa në total që prej 1 Qershorit, 20 të tillë. /Tv Klan