Home KRYESORE Zoti Bilja, “Njeriu i Ri” dje dhe sot!

Zoti Bilja, “Njeriu i Ri” dje dhe sot!

Nga Edison Ypi

Një xhaxha’ partizan nuk i mjaftoi për tu bërë spiun.

Dëshira për të jetuar pak më mirë, nuk i shpërtheu kurrë.

Shoku Bilja në diktaturë bëri pra jetë; ku ishe asgjëkundi, çfarë bëre hiçasgjë.

Shoku Bilja u martua në diktaturë. Përveç një rasti kur në autobuz preku padashje me kurriz një gjoks femre, që në fakt kishin qënë dy bukë të buta, deri në dasëm Shoku Bilja s’kishte prekur femër. Megjithatë pak ditë para dasmës, Shoku Bilja deklaroi hapur dhe me nevozizëm; “Boll lule më lule, tani duhet të martohem”.

Me shembjen e diktaturës Shoku Bilja u shndrrua befas në Zoti Bilja, çka Bilja e priti me një lloj euforie jargavitëse të paprovuar më parë, një qef lezetlliku i të cilit nuk ishte aty dhe tani por më vonë dhe diku tjetër.

Për të mos mbetur pas në ndjekjen e modës, pra për ta dëshmuar të kaluarën rrebele me heroizmat e tij ekstreme pa të cilat demokracia dhe pluralizmi nuk do vinin kurrë, Zoti Bilja u tregoi miqve një episod trimëror të disa viteve më parë kur duke sfiduar rreziqet e kohës, kishte thënë copë; “Gjermanët kanë futboll dhe ekonomi të mirë, por atë dreq politike s’dihet pse nuk e ndryshojnë”. Pra jo sot kur të flasësh ësht më lehtë se të pjerdhësh, por kur spiunat të spiunonin, sigurimi të burgoste, partia të pushkatonte, Zoti Bilja kishte patur guximin që për ta rrëzuar diktaturën të vinte në dukje përparësitë e sistemit kapitalist ndaj aij socialist, duke bërë me atë rast dhe sugjermet përkatëse për ndryshim sa më të shpejtë. Nuk ja varën. U dëshpërua. Pas pak, brenda këtij dëshpërimi, nuhati se kalimi në rendin ku njeriu për njeriun është ujk nga rendi ku e kundërta është e vërtetë, nuk nënkupton asnjë përfitim imediat, por punë, shumë punë.

E kishte menduar ndryshe. U dëshpërua edhe më. Hoqi dorë nga politika pas kosit. Ndejti ca kohë mënjanë. Mblodhi ca lek andejkëndej. I futi në një piramidë. J’u deshën tre vjet të bindej që i humbi. Një ditë duke menduar për të ngritur një biznes të vogël me kredi bankare, j’u duk siku brenda trurit j’u ndez befas një llampë që i ndriçoi gjithçka të errët të ngatërruar.

U rrënqeth sikur shpiku boshtin e rrotës, se rrota ishte shpikur. Eureka, tha me vete. S’ka si vjedhja. Rroftë hajdutllëku. Mirpo shpejt kuptoi se si për çdo gjë dhe për të vjedhur duhet zotësi, guxim, talent, vullnet, cilësi lëto që Zoti Bilja e dinte që nuk i kishte. Konstatimi se s’mund të vidhte jo se s’donte por se s’mundëte, ja kalli tmerrin, e flaku në fundin e një honi dëshpërimi të pafund.

Prej atij çasti të gjitha mossukseset e jetës i transferoi nga kurrizi vet i dobët mbi një kurriz tjetër që mban sa të duash, mbi shpinën e mungesës së Fatit, i cili, siç dihet, nuk është në dorë të njeriut por të Atij atje lart.

Zotit Bilja i është rritur barku. Është dhjamosur. Është ngathtësuar. Të shumtën e kohës e kalon në kafene ku meqënse askush s’e pjerdh për xhaxhallarë partizanë dhe antikurvizëm, gjithë kohën llap për;

Biznesmenët e suksesshëm të Shqipërisë që janë njerëzit më të poshtër.

Me përjashtim të luftës së klasave, të tjerat kurvi i bëri mirë.

Të shash e të shpifësh më të mëdhenjtë e Historisë së vendit tënd është kënaqësi e parrëfyer, mjerë ai që s’e ka provuar, por edhe mënyra më e kollajtë për tu bërë i rëndësishëm. Shaj e shpif të mëdhenjtë, ngri në qiell ca buburreca, Bac u kry, bëhesh fëtefët në mos Pjetër Bogdan, Gjon Buzuk me siguri.

Të dish sa larg është Kumanova nga Tirana, e ka një farë rëndësie. Se helbete, mund të na bjerë ndonjëherë rruga nga Rruga e Fijes. Ama të shpenzosh kohë dhe imagjinatë për ta mësuar se në cilin shtet ndodhet Kumanova, s’ke asnjë leverdi.

Shalli po. Rugova s’ka rëndësi.

Libri nuk është i rëndësishëm për çfarë përmban në brendësi. E rëndësishme për librin është cili qerrata e ka shkruar, kush ishte në promuovim, cilin çmim gllabëroi, sa pare fitoi, si i ka punët me gruan.

Në filma, ata të dy, ai dhe ajo, gjatë filmit të bëjnë ç’të duan, ama në fund të filmit, e mira është, të martohen

Sa mirë e kam kaluar në ushtri. Kishim një lab që na bënte me qesh, një mirditor që i dhamë të hante bojë këpucësh në vend të marmalatës, dhe një kapterr devolli që na torturonte duke na detyruar të shkundnim batanijet dhjetë herë në ditë.

Në ndërmarrje kena pas një shef kuadri burr flori. I merrte në punë të gjithë kalamajtë e baballarëve me shumë fëmijë, sidomos ata që spiunonin nga pak.

Shitja e votës është mëkat i tillë që ta fal apo s’ta fal Zoti varet nga çmimi.

Çdo gjo osht me shonc.

Këto ditë Zoti Bilja u tha Zotërinjve Pilja, Hilja, Kilja, Vilja, Fërtelja; Qeveritë tona e kanë pisk me qeveris tipa si ne, që jemi shumica. Për ta patur kollaj, të presin sa shqiptarët të bëhen të gjithë rrusha si unë Bilja/Mapo.al

Share: