Nga Artur Zheji
Aeroplani që u rrëzua fatmirësisht për ne në Ishëm, piloti mjekrosh Guido, pista parapërgatitur me kujdes, janë ana tjetër e medaljes së “luftës së qeverisë dhe sukseseve të saja dramatike” kundër kultivimit dhe tregëtimit të kanabisit.
Por nuk mbaron këtu, mediat dhe “Portalet” që ironizohen gjithmonë e më shumë nga qeveria dhe kryeministri, ngritën pikëpyetje të mëdha në lidhje me sms-të që mund të kenë burim ministrin e brendshëm dhe që në të vërtetë dekonspiron hetimin e Prokurorisë.
Sado bukur dhe në mënyrë elokuente të flasë apo të mbrohet Rama, sado interesante të jetë mënyra se si artikulon Saimir Tahiri në publik, faktet që nxjerrin krye, janë edhe më elokuente, si edhe më dramatike se sa sukseset qeveritare…
“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” na mësonin kur ishim të vegjël. Po përfytyroni pak, kur “gënjeshtra” të jetë kaq këmbëgjatë dhe kaq trupmadhe sa ka pushtuar të gjithë Shqipërinë. Sado të ecet përpara me skemën se “fajet në këtë vend i ka të gjitha Saliu!”, qeveria Rama, u rrëzua në imazhin e vet, sëbashku me rrëzimin e aeroplanit në Ishëm.
U rrëzua sepse në kulmin e retorikës së vet, me pompë të madhe dhe padyshim mjaft e aftë në fjalëformim dhe në interpretimin virtuoz të fakteve që nuk egzistojnë, ose që egzistojnë krejt të përmbysura nga sa thuhet, piloti Guido, ndihmoi edhe të trullosurit që të përmendeshin përsëri. Në zemër të Shqipërisë, nën hundën e policisë, dramatikisht të angazhuar në luftën kundër kanabisit, ishte ndërtuar një pistë dhe një aeroport i vogël, për transport droge, por edhe kushedi sa gjërave të tjera. Dhe për koinçidencë, rënia e avionit, ishte pikërisht ditën e seancës parlamentare. E panjoftuar nga Policia Shqiptare, por nga Opozita, që po demonizohej në mënyrë mjeshtërore në Kuvend.
Pra, Policia nuk dinte shumë gjëra. Nuk dinte që kishte një aeroport të vogël të ndërtuar nga trafikantët në Ishëm. Nuk dinte, ashtu si italiani Guido dhe ata që e kanë dërguar. Dinte se kur dhe si do të transportohej masivisht kanabisi i çmuar. Policia nuk dinte deri në orën 10,30 se aeroplani kishte rënë mbas orës 8,30 dhe shumë gjëra të tjera si këto.
Nuk i dinte apo nuk dontë ti dinte?
Apo i dinte dhe po përpiqej pa sukses ti fshihte? Dhe përse duhet ti fshihte? Për të fshehur mossuksesin e saj, apo për të fshehur bashkëpuntorët e vet, apo të segmenteve të caktuara të saj?
Mbi kokën e kësaj Drejtësie që kemi, ashtu si e kemi, rri pezull Vettingu. Spastrimi dhe kërcënimi!
Por ngjarjet po rrjedhin shumë më shpejt se Vetingu, dhe ithtarët e vettingut, do të duhet të përballen me drejtësinë shqiptare të pareformuar. Dhe ky duket një fat i madh për qeverinë “nismëtare dhe reformatore” të sistemit të drejtësisë.
Sepse qeveria, ka në këmbë sistemin e sekserëve dhe do të kërkojë këto orë, të negociojë “kokën” e saj, në dyert e këtij sistemi drejtësie, me këtë bombë që ju plasi në duar. Dhe ndoshta do ta deformojë me sukses, por ndoshta dhe jo!
Një gjë është e qartë, Qeveria dhe dënglat artistike dhe oratorike, ranë, sëbashku me aeroplanin e pilotit të trullosur dhe derdimen, Guido. Edhe ministri i vet i brendshëm. Një mik besnik dhe adhurues i Ramës, por që ka marrë mbi shpinë një barrë që bëhet gjithmonë e më e rëndë dhe që ka kërrusur krrejtësisht./360grade.al