Home KRYESORE Ja dëshmia e plot e pilotit italian, nxjerr vetëm dy emra: Këshillova...

Ja dëshmia e plot e pilotit italian, nxjerr vetëm dy emra: Këshillova sheshimin e pistës

Problemet me drejtësinë Italiane kanë shkundur nga financat pilotin italian Guido Andrea Guidi,i cili ishte proceduar në Itali për akuzën e korrupsionit. I ndodhur në vështirësi ekonomike, piloti italian ka rrëfyer para prokurorëve të krimeve të rënda, se kishte pranuar ofertën e një italiane dhe një trafikanti shqiptar i sapoliruar nga burgu në Milano, për transportimin e një sasie droge nga Shqipëria në Italinë Veriore. Për një rrugë të tillë,italiani ka thënë se nga shqiptari emrin e të cilit nuk e kujtonte,ka marrë garancinë se do të paguhej 20 deri në 25 mijë euro sapo sasia e drogës të dorëzohej në Itali. Për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë shqiptare, 69-vjeçari është toleruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka zgjedhur të kryejë hetimin ndaj tij në gjendje të lirë me kushtin se ai do tregonte gjithçka rreth asaj që ai dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal kishin organizuar në Itali dhe Shqipëri, për të vënë në zbatimin planin e trafikimit të drogës. Momentalisht italiani, po mbahet nën ruajtjen e efektivëve të repartit “RESI” në një hotel në zonën e Durrësit, ndërkohë që ai s’mund të largohet nga Shqipëria pasi i është sekuestruar pasaporta.

Takimi në Milano me trafikantët

Piloti italian u ka thënë hetuesve se pak muaj më parë, nëpërmjet një miku të tij italian, të cilin e ka identifikuar me emër konkret, dhe që rezulton ish-i dënuar për trafik droge, kishte takuar një shtetas shqiptar, të sapo dalë nga burgu italian, pjesë e rrjetit kriminal të Milanos. Takimi, sipas pilotit italian ishte bërë në Milano në një kafene, ku është treguar prej tij dhe rruga e vendndodhjes së saj. Në këtë takim Guidi ka marrë ofertën për të bashkëpunuar me grupin kriminal, ku ai do kryente vetëm transportin e lëndës narkotike, duke vënë në dispozicion avionin e tij. Si fillim sasia e drogës do ishte 200 kg, në mënyrë që të mos rrezikohej shumë. Në dëshminë e tij, piloti ka treguar para prokurorëve se këtë ofertë e ka pranuar sapo i kanë dhënë garancinë se për një rrugë do paguhej 20 deri në 25 mijë euro. Më tej piloti ka shtuar se ka pranuar për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe problemet me drejtësinë Shqiptare.

“Me pistën u njoha nëpërmjet fotove”

“Pas rënies dakord, jemi takuar dhe disa herë në Milano, ku është dakordësuar që unë të vizitoja Shqipërinë, për të parë vendin e saktë dhe marrë koordinatat e zonës ku duhej të ulesha. Ardhja ime në Shqipëri është financuar nga anëtarët e këtij grupi, ku unë në 2014 kam ardhur dhe kam parë vendin. Më kanë pritur disa persona shqiptarë, të cilët nuk ja di emrin dhe më kanë çuar në zonën ku ishte projektuar ulja e avionit. Pasi jam njohur me terrenin kam menduar se në këtë zonë mund të ulej avioni, por sërish nuk kisha një bindje të tillë, pa e provuar. Kjo për shkak se vendi kishte shumë gropa dhe baltë. Unë kam këshilluar që një pjesë toke e vogël të punohet dhe përshtatet si pistë, dhe këtë gjë e kanë marrë përsipër ta kryenin trafikantët shqiptarë. Më tej u kam kërkuar që ta bënim një test ulje, pastaj të fillonim me transportimin e sasisë së drogës. Kësaj kërkese i kanë dhënë “ok” dhe trafikantët shqiptarë, të cilët e panë të arsyeshme të mos nxitoheshin”-është shprehur piloti italian para hetuesve. Ai ka shtuar se është larguar nga Shqipëria me një sasi të vogël lekësh, të cilët ja kanë dhënë trafikantët shqiptarë, si kosto rruge dhe karburanti për avionin, me të cilin do kryhej testi i uljes. Më tej, piloti ka treguar se me pistën e improvizuar është njohur nëpërmjet fotove që i kanë treguar në telefon shtetasi italian dhe trafikanti shqiptar në Itali.

Ulja shumë mirë, ngritja doli keq

Para hetuesve ai ka thënë se është nisur në mëngjes herët nga qyteti i Barit nga një pistë private duke mos e ndezur transponderin për t’u identifikuar nga radarët. 69 vjeçari ka thënë se ka fluturuar në lartësi dhe në afërsi të bregut ka bërë uljen në pistën e improvizuar. Pas uljes, ka thënë piloti, kam bërë kthimin e avionit dhe në momentin që po tentoja të ngrihesha rrota e parë ka ra në një gropë, duke u thyer. Ai ka thënë se kishte ardhur për të testuar pistën dhe në fund të muajt shtator do të bënte rrugën e parë, ku do të merrte 200 kg hashash. I pyetur nga prokurorët e dosjes nëse e priste dikush në pistë, ai ka treguar se nuk e priste askush në pistë. Kjo nuk i është dukur bindëse prokurorëve, të cilët kanë kërkuar ekspertikmin e të gjitha gjurmëve të gishtave që janë gjendur brenda dhe jashtë trupit të avionit. Ndërkohë që telefoni i tij i është nënshtruar një ekspertimi teknik për të mësuar bisedat dhe kontaktet që ka pasur së fundmi italiani./360grade.al

Share: