Home KRYESORE “360grade”: Prona tek Gjiri i Lalzit, del emri i Vangjush Dakos

“360grade”: Prona tek Gjiri i Lalzit, del emri i Vangjush Dakos

Pas përplasjes në parlament mes Ramës dhe Berishës për largimin e investitorit të huaj, Faadi Mitri, prokuroria ka dalë me një vendim: Sekuestrim të pronës prej 45 mijë metra katrorë që u kthye në mollë sherri. Organi i akuzës deklaron se toka është përfituar me dokumente false nga pronari Pal Selçuni.

Po kështu prokuroria rrëzon argumentin e Kryeministrit Rama se vendimi i Gjykatës së Durrësit është dhënë në Korrik 2016, pra pasi Qeveria i kishte dhënë lejen investitorit për resortin turistik. Sipas prokurorisë vendimi i gjykatës është dhënë në Mars 2016.

Një pikë tjetër e dyshimtë në këtë histori është terheqja e Bashkisë së Durrësit dhe Avokaturës së Shtetit në fund të gjyqit. Siç na bën të ditur sot prokuroria, këto dy institucione kanë qenë palë në proces.

Pra kanë kundërshtuar marrjen e kësaj prone nga Pal Selçuni. Por, siç thotë prokuroria, në në seancën e fundit gjyqësore këto palë nuk u paraqiten. Më tej as Bashkia e Durrësit dhe as Avokatura e Shtetit nuk bënë ankimim, ndaj vendimi për kalimin e kësaj prone në favor të Pal Selçunit mori formë të prerë.

Në njoftimin për mediat prokuroria deklaron: “Në këtë gjykim kanë qenë si palë ndërgjyqëse Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit. Rezulton se në seancën përfundimtare kanë munguar Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit. Në këto kushte, ku palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime (për shkak të mungesës së tyre), gjykata e Durrësit, me vendimin nr. 457, datë 25. 03. 2016, ka vendosur të njohë shtetasin Pal Selçuni si pronar të pronës, objekt shqyrtimi”.

Gjithashtu, rezulton se kundër këtij vendimi nuk është bërë ankim nga palët ndërgjyqëse dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 19.04.2016. Në veprimet e mëtejshme hetimore, Prokuroria e Durrësit do të shqyrtojë arsyet e mungesës së palëve ndërgjyqëse dhe mungesën e ankimit mbi vendimin e njohjes së pronës në emër të shtetasit Selçuni. Pra prokuroria ka vendosur të hetojë edhe Bashkinë e Durrësit që drejtohet nga Vangjush dako dhe Avokaturën e Shtetit mbi arsyet që çuan në terheqjen e tyre nga ky gjyq./360grade.al

Ne link: Deklarata e plote e prokurorise

Plagosja e biznesmenit Fadi Mitri, Prokuroria e Durrësit, sekuestro preventive për pronën 45.000 m2 të shtetasit Pal Selçuni

Share: