Home KRYESORE Albin Kurti: Nëse ‘demarkacioni’ do votohej, do plaste lufta

Albin Kurti: Nëse ‘demarkacioni’ do votohej, do plaste lufta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në një tubim me qytetarë se nëse Demarkacioni do të kalonte me 1 shtator atëherë trupat malazeze do të tentonin të futeshin në territorin e Kosovës dhe kjo nuk do të kalonte pa luftë.

Ndaj, sipas Kurtit, opozita edhe shpëtoi territorin edhe ndaloi luftën me fqinjët e Malit të Zi.

“Beteja jonë zgjati një vit, derisa e ndalem qeverinë e Demarkacionit e të Zajednicës dhe kësisoj kemi korrur një fitore shumë të rëndësishme e të vlefshme.

Po të kalonte Demarkacioni trupat e Malit të Zi ia kishin mësyrë Kuqishtës. Ne jo vetëm që e kemi ndalur Demarkacionin, por ne e kemi parandaluar edhe luftën.

Jo vetëm që e kemi mbrojtur territorin, por e kemi parandaluar edhe luftën”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se ndalja e Demarkacionit e Asociacionit ishte e vështirë, por ajo u bë me insistencë të vazhdueshme të qytetarëve e opozitës.

“Insistimi është zgjidhja, këmbëngulësia është zgjidhja. Me protesta qytetare dhe padëgjueshmëri parlamentare, me peticion dhe aksione të tjera kemi arritur t’i shpëtojmë 8200 hektarë. Kjo është fitore e rëndësishme në një betejë të vlefshme”.

Madje Kurti tha se Opozita bëri shumë gjatë viti të kaluar duke ndaluar apetitet e Malit të Zi e Serbisë.

“Ne i kemi ndalur dy shtete në apetitet e tyre, Serbinë për Asociacionin e Malin e Zi për Demarkacionin.

A e dini çfarë do të thotë të ndalesh dy shtete grabitqare për Opozitën, Është më shumë se ta rrëzosh një Qeveri”.

Prandaj, sipas Kurtit “Qeveria nuk e ka hallin që po shkojnë, por që ne po vijmë. Ata duke ditur që shkuarja e tyre është ardhja e Vetëvendosjes, i bënë ata që të mos e kenë as zgjimin e as gjumin e qetë”.

“Po të ishin brengosur këta qeveritarë vetëm pesë për qind për territor të shtetit siç brengosen për pronat private, nuk do të kishim pasur probleme.

Ata privatisht janë centripetal, ndërsa për tokat e Kosovës janë centrifugal”.

“Kjo qeveri nuk është as e mirë e as e drejtë. Populli ynë e ka një shprehje: ‘Ku prin i keqi, popullin e ha dreqi’. Ne e kemi këtë gjendje jo se e kemi popullin e prapambetur, por sepse elita është e stërkequr”.

“Në Gjermani, presidenti ka vendosur të mos kandidojë prapë sepse nuk e ndjen veten se mund ta bëjë këtë gjë.

Pra, atje e gjithë Gjermania i kërkonte që të mbetej president, ai thoshte jo. Në Kosovë, i gjithë vendi i kërkonte Thaçit që të mos bëhej president, ai thoshte që vetëm unë duhet të jem”.

“Dallimi mes Vetëvendosjes dhe partive tjera nuk është kush e ka lexuar Rilindjen Kombëtare, e kush jo.

Por dallimi qëndron në atë se ata e kanë lexuar dikur moti për ta harruar sot, ndërsa ne gjithmonë e lexojmë atë”, ka thënë Kurti në këtë fjalim, njofton Klan Kosova.

Share: